BE-ja synon të lehtësojë dhënien e vizave për studentë dhe shkencëtarë
27 Mars 2013Sapo presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, komunikoi në konferencë shtypi masat për shpëtimin e Qipros, një student i afrohet mikrofonit në sallën e shtypit të Komisionit Evropian në Bruksel: Bellarminus Kakpovi vjen nga Benini dhe studion në Bruksel shkencat e komunikimt politik. Por rruga e tij deri tek një universitet i Evropës nuk ka qenë e lehtë. Ai tregon rreth vështirësive në marrjen e vizës: “Më është dashur të pres më shumë se tre muaj për vizën time. Studentët që shkonin për të studiuar në Francë, e merrnin vizën e tyre vëtëm pas dy javësh. Unë nuk mund ta kuptoj si është e mundur që kjo çështje të trajtohet në mënyra kaq të ndryshme brenda BE-së”.
Kopkavi tani po zhvillon një vizitë tek komisionerja e BE-së për Politikën e Brendshme, Cecilia Malmström. Ajo është duke prezantuar programin e saj të ri, që do të lehtësojë kushtet e marrjes së vizave për studentët nga vendet e treta. Para se politikania të dalë para publikut në konferencën e shtypit ajo ia lë radhën studentit nga Afrika, për të treguar lidhur me vështirësitë dhe përvojën e tij me burokracinë evropiane.
Lëvizja nga një shtet i BE-së në tjetrin është e vështirë
Çdo vit, më shumë se 200.000 studentë dhe studieus nga vendet, që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, shfrytëzojnë mundësinë e qëndrimit në BE, për një afat të kufizuar kohor. Procedura e marrjes së vizave nuk është e rregulluar njësoj në të gjitha shtetet anëtare. Çdo shtet ka rregullat e veta, në lidhje me mundësinë e studimit të studentëve dhe shkenctarëve, që vijnë nga vendet e treta. Gjithashtu i vështirë mbetet kalimi nga një shtet anëtar në shtetin tjetër.
Me qëllim që BE-ja në të ardhmen të bëhët një zonë tërheqëse për shkenctarët e talentuar dhe të jëtë e aftë të konkurrojë në tregun ndërkombëtar me SHBA-në dhe Australinë, Brukseli do të unifikojë politikën në të gjitha vendet anëtare mbi procedurën e lëshimit të vizave. Gjithashtu BE-ja synon t'i përmirësojë kushtet e studimit për akademikët e rinj. Të gjitha shtetet anëtare duhet të vendosin brenda një periudhe kohore prej 60 ditësh në lidhje me çështjen e lëshimit të vizave. Gjithashtu do të lëhtësohet lëvizja brenda për brenda universiteteve evropiane të vendeve që janë anëtare të BE-së. Krahas kësaj studentët do të kenë të drejtë të punojnë deri në 20 orë në javë.
Masa të tjera janë të nevojshme
Ulrich Grothus nga Shërbimi i Shkëmbimit Akademik të Gjermanisë (DAAD) pajtohet me qëndrimin e Komisionit Evropian, që Evropa duhet të bëhët më tërheqëse për studentët nga vendet e treta. Por ai thekson çështje të tjera problematike në këtë drejtim. “Kërkesat për studimin e degëve të nivelit master në gjuhën angleze në Gjermani janë shumë më të larta krahasuar me mundësitë që ofrohen.” Në këtë drejtim duhet të bëhen përmirësime. Gjithashtu njohja e diplomave dhe pranimi i studentëve duhet të vendoset mbi baza individuale dhe jo duke i klasifikuar ata sipas shteteve: “Një student nga Amerika që ka përfunduar arsimin e mesëm atje mund të konkurrojë pa problem në të gjitha universitetet më të mira në SHBA, por këtu në Gjermani ky kualifikim nuk është i mjaftueshëm, për t'u regjistruar në një universitet.” Prandaj, Grothus e sheh të udhës që të krijohet një sistem i përgjithshem testimi për studentët e huaj që aplikojnë. Por sa janë mundësitë reale që ky sistem testimi mund të organizohet me rregulla të njëjta për të gjitha vendet e BE-së është ende e pasigurtë, duke pasur parasysh sistemet e ndryshme të shkollimit dhe të edukimit në këto shtete.
Një hap në drejtimin e duhur
Sandra Haseloff, përfaqësuese e shoqatës Alexander von Humboldt, e cila përkujdeset për bashkpunimin ekonomik, sheh në propozimet e reja të BE-së një hap të rëndësishem: „Unë mendoj dhe shpresoj, që do të arrihen lehtësime të mëdha në këtë drejtim. Sidomos sa i përket afatit kohor të marrjes së vizave, por gjithashtu edhe mobilitetit të studentëve brenda BE-së, nëse ata p.sh. janë të involvuar në projekte të doktoraturës në vende të ndryshme të Evropës. E drejta për të punuar 20 orë në javë, sipas Haseloff është ngarkesë mjaft e lartë krahas studimit intensiv. Për momentin ligji në Gjermani u mundëson studentëve të huaj, që të punojnë rreth 120 ditë pune në vit me orar të plotë, apo 240 ditë pune me orar të përgjysmuar. Një ligj i përgjithshem për të gjitha shtete e BE-së aktualisht nuk ekziston. Parlamenti dhe Komisioni Evropian tani do të diskutojnë në lidhje me propozimin e komisioneres Malmström. Komisioni i BE-së shpreson se rregullat e reja mund të gjejnë zbatim nga viti 2016.
Me shpresë që Bellarminus Kakpovi deri atëherë do t'i këtë përfunduar studimet e tij në Belgjikë