BE-ja i ndërpret deri në një vendim tjetër ndihmat financiare për territoret palestineze
7 Prill 2006Kërcënimi për ndërprerjen e ndihmave ishte dëgjuar që pas fitores së Hamasit në zgjedhjet në territoret palestineze. Tani me sa duket BE-ja e ka marrë seriozisht. Duke filluar nga e hëna Komisioni i BE-së do ta mbyllë rubinetin e ndihmave për autoritetet palestineze. Një diplomat britanik theksoi se komisarja e BE-së për politikën e jashtme, Benita Ferrero-Waldner ka përpiluar vendimin përkatës, i cili pritet të miratohet zyrtarisht prej MPJ të BE-së në takimin e tyre të së hënës. Prej kësaj mase preket rreth gjysma e 250 milionë eurove që BE-ja u paguan drejtpërdrejt autoriteteve palestineze. Gjysma tjetër e kësaj shume shkon në favor të UHNCR-së dhe organizatave të tjera humanitare që veprojnë në këtë zonë.
BE e konsideron Hamasin si një organizatë terroriste me të cilën nuk mund të ketë kontakte zyrtare. MPJ të BE-së do të diskutojnë të hënën nëse do të zhvillohen madje bisedime me përfaqësues të qeverisë së re palestineze. Diplomatët janë të mendimit se nisur prej shkaqeve praktike të një politike reale nuk do të ishte e këshillueshme që dera të mbyllej tërësisht. BE kërkon prej Hamasit që të njohë Izraelin, të heqë dorë prej dhunës dhe të pranojë planin ndërkombëtar të paqes, roadmap, i cili parashikon dy shtete: Izraelin dhe Palestinën. Gjatë ditëve të fundit MPJ palestinez Mahmud al Zahar bëri disa deklarata dykuptimshe dhe të zbehta pro idesë së dy shteteve. Në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan, ai i hodhi më pas poshtë të tilla deklarata.
Sipas vlerësimeve të Komisionit të BE-së qeveria e re e Hamasit pritet të ketë probleme të mëdha pa paratë nga Brukseli, sidomos për pagimin e rrogave për rreth 140.000 nënpunësit e saj. Rreth një e treta e popullsisë në Jordanin Perëndimor dhe Rripin e Gazës jetojnë prej këtyre rrogave. Në radhët e BE-së tani po vepron parimi i shpresës, sepse Hamasi e ka vetë në dorë që duke pranuar parimet perëndimore për paqen ta mundësojë dialogun me BE-në.
BE-ja ka vite që është financuesi më i madh i buxhetit të palestinezëve, i cili shkon në rreth 1,5 miliardë euro në vit. Për shkak të parregullsive në pagesa vitin e kaluar BE-ja nuk lëvroi në favor të autoriteteve palestineze rreth 70 milionë euro. Këto para u derdhën në një fond të përbashkët të vendeve kreditore, i cili adminstrohet prej Bankës Botërore. Vendet e BE-së investojnë në projekte bilaterale me palestinezët çdo vit rreth 250 milionë euro. Ndihmat e kombinuara pra të Komisionit të BE-së dhe të vendeve anëtare shkojnë në rreth 500 milionë euro në vit.
Përmes këtyre pagesave BE-ja ka pasur deri tani mundësinë që të kishte një ndikim të madh ndaj autoriteteve palestineze duke siguar kështu edhe një vend me peshë në të ashtuquajturin kuarteti i Lindjes së Mesme, pra grupi ndërkombëtar i ndërmjetësuesve. Për këtë MPJ gjerman, Frank Walter Steinmeier ka tërhequr vëmendjen, se Hamasi mund të gjejë kreditorë të tjerë, si p.sh. Iranin. Një gjë e tillë do ta komplikonte më tej gjendjen në Lindjen e Mesme dhe ndoshta edhe mosmarrëveshjet për programin atomik të Iranit.