1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE- ja në kërkim të strategjisë për furnizimin me gaz

Christopher Plass/Bruksel4 Janar 2006

Konflikti ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës për çështjen e furnizimit me gaz ka ngjallur frikë në vendet e Bashkimit Evropian lidhur ardhmërinë e sigurimit të gazit natyror

Bashkimi Evropian, Bruksel
Bashkimi Evropian, BrukselFotografi: EU

Komisari evropian për çështje të energjisë, Andris Piebalgs ka dy mesazhe këto ditë: Në njërën anë është i inkurajuar, që Rusia dhe Ukraina sërish i janë kthyer bisedimeve për zgjidhjen e konfliktit për gazin natyror. Dhe në anën tjetër situata aktuale tregon, se sa i lëndueshëm është Bashkimi Evropian në këtë çështje. Një e katërta e nevojave të BE-së mbulohen nga gazi natyror rus, ndërsa shtetet balltike jane 100% të varura nga ky gaz. Kjo vlen edhe për Hungarinë dhe Çekine. Ndërsa në Gjermani rreth 40% e gazit të konsumuar importohet nga Rusia.

Sipas parashikimet të Komisionit Evropian në vitin 2020 varësia e vendeve të BE-së nga importi i gazit natyror do të arrijë në 70%. Përkundër këtyre fakteve, BE-ja vazhdon të qëndrojë larg një politike unike për furnizimin me energji. Një kornizë e hartuar për këtë problem në vitin 2004 ka si qëllim krijimin e strategjisë së përbashkët.

Mirëpo nëse njeriu e lexon dokumentin e propozuar vëren, se BE nuk ka kompetenca mbi vendet anëtare, dhe se e gjitha çfarë mund të bëjë ajo tani, është funksioni vëzhgues. Vetëm në raste të vërteta krize, Komisioni Evropian mund të qëndrojë prapa shteteve anëtare me propozime veprimi. BE-ja deri më tani nuk ka kompetenca të kalojë mbi ligjet nacionale të vendeve anëtare.

Brukseli mund të marrë gjithsesi rolin e mbështetësit koordinues.
Këtë ai po e bën edhe përmes Grupit Koordinues për çështje të gazit tokësor. Aty po marrin pjesë ekspertë të vendeve anëtare të BE-së, përfaqësues të industrisë dhe të shoqatave të konsumit. Komisari evropian për çështje të energjisë, Piebalgs thotë se, ekzistojnë dy qëllime të takimit: reagimi lidhur me situatën aktuale si edhe shqyrtimi i furnizimit me gaz në planin afatmesëm dhe afatgjatë."

Në Bruksel vazhdon të trajtohet grindja në mes Rusise dhe Ukrainës vetëm në planin bilateral. Mirëpo në të ardhmen mund të paraqitet rreziku edhe për tregun e brendshëm evropian. Nevojat për energji do të jenë gjithnjë e më të mëdha, Kina apo India janë duke përjetuar rritje të kërkesave të tyre, kurse terrori dhe konfliktet rajonale po e kërcënojnë furnizimin me energji, ka thënë komisari evropian për energji, Piebalgs,duke shtuar se duhet të mos përjashtohet fakti, se dëmet do të reflektohen edhe në ndikimin e mjedisit apo edhe faktin, se furnizimi me gaz për kohë të caktuar mund të kufizohet. Por ne duhet t'u sigurojmë qytetarëve tanë furnizim me gaz. Prandaj BE-ja duhet të mund të reagojë edhe në raste të jashtëzakonshme.

Në samitin informues të BE-së në Hampton Court, gjatë tetorit të kaluar,
është hartuar një dokument për furnizimin me energji, prej të cilit deri në mars pritet të dalin në shqyrtim dhe diskutim edhe çështjet qendrore.

Komisioni Evropian, i cili synon që çështjet e energjisë t'i trajtojë me më shumë kompetencë në kuadër të tregut të brendshëm, shpreson në forcimin e pozicionit të tij. Në këtë moment, megjithatë, ai po përjeton një fenomen tipik: Në kohëra të krizave janë të shumtë, ata që kërkojnë veprim nga Brukseli. Mirëpo,shtetet anëtare të BE-se vazhdojnë t'u kushtojnë rëndësi përparësive të kompetencave nacionale në çështjen kaq të ndjeshme siç është furnizimi me energji.