BE-ja pa vend në politikën e jashtme?
20 Tetor 2007
E përditshmja çeke LIDOVE NOVINY nga Praga shkruan në variantin e internetit:
"A është kjo marrëveshje një gur kilomatrazhi në historinë e integrimit evropian? Kjo varet. ... Në një pikë unioni nuk ka ndryshuar. Ai është një projekt elitar, që është karakterizuar nga një mosbesim i thellë ndaj evropianëve, për të cilët po bëhet gjithë kjo punë... Mbasi holandezët dhe francezët e rrefuzuan kushtetutën evropiane në referendumet e tyre, ekspertët e komunikimit reagojnë sipas modelit klasik. Ata gdhendin një kontratë të re dhe publikut proevropian u thonë se nuk ka ndryshuar asgjë në krahasim me kushtetutën e rrefuzuar. Ndërsa euroskeptikëve u thonë se kjo marrëveshje nuk ka asgjë të përbashkët me kushtetutën, dhe e tëra, vetëm për të evituar një referendum. Ky është demokracia e mirëfilltë e ku zgjedhësit përbëjnë rrezikun më të madh."
Francezja LE FIGARO komenton rolin e presidentit francez, Nikola Sarkozy:
"Ç'ngjarje e shkëlqyer do të mund të ishte ky Këshill i BE-së në brigjet e Tezhos! Por për fat keq, mbi kokën e presidentit turfullonin shumë re stuhish, kur në Lisbonë ai do të mund të tregohej i kënaqur për faktin që kishte dhënë ndihmesën kryesore që procesi i reformave të mbetura në vend që prej dy vjetësh më në fund të vihej në lëvizje. Kompromisi i ri institucional, për pranimin e të cilit do të merrnin vendim të 27-ët në kryeqytetin portugez, për të ofruar një "kontratë të thjeshtëzuar" kishte qenë ideja e tij..."
Nga Lisbona JORNAL DE NOTÍCIAS e përqendron vëmendjen tek detyrat që dalin mbas miratimit të dokumentit:
"Sigurisht që ky tekst, sido që të jetë, nuk është stacioni i fundit dhe as nuk është ndonjë teskt fetishist ose tabu, i paprekshëm a i pazëvendësueshëm. Tani e ka radhën të ndërtohet me kujdes dhe logjikë struktura aktive. Evropa politike po ndërtohet megjithë ndryshimet realitivisht të mëdha mes shteteve, dhe ajo ose do ta rregullojë vetë këtë kaos, ose do të shndërrohet në një gjë të shkëputur nga qytetarët e thjeshtë."
THE TIMES nga Londra parasheh se në Britani do të vazhdojë beteja e brendshme e ratifikimit:
"Mbasi krerët e qeverive të BE/së miratuan kontratën e re për reformimin e BE-së, Gordon Broun ka vënë në plan deri më tre muaj kohë për ratifikim. Kjo zgjon fantazmat e betejave të stuhishme në parlament, që kanë filluar qysh para 15 vjetësh për shkak të marrëveshjes së Maastricht-it. Ministrat gjithashtu shpresojnë të zgjohen edhe kujtimet e zgjedhësve ndaj një partie të dobët dhe të përçarë konservatore të Xhon Mejxhërit(John Major), e cila ishte e dhënë mbas çdo detaji të Bashkimit Evropian."
Gazeta polake RZECZPOSPOLITA nga Varshava:
"Dokumenti bazë i BE-së e thellon procesin e integrimit evropian dhe ndihmon që BE-ja të bëhet një bashkësi e fuqishme shtetesh. Mbas miratimit të kësaj marrëveshjeje, detyra më e rëndësishme është që të përcatkohet, se çfarë lloji Bashkimi Evropian duan në të ardhmen vendet antare? Sepse deri tani, problemi nuk qendronte tek aftësia aftësia vepruese e institucioneve evropiane, por tek mungesa e vullnetit politike. Dokumenti bazë për fat të keq nuk jep përgjigje ndaj pyetjes për synimet e BE-së."
E përditshmja austriake nga Vjena KURIER e vë Bashkimin Evropian përballë Rusisë dhe Shba/ve dhe konstaton, se në arenën e politikës ndërkombëtare ende nuk ka vend për BE/në:
"Presidenti Putin e di që nuk e ka atë pozitë sa t'u marrë Shba-ve pretendimin për fuqi udhëheqëse në botë. Por ai i njeh dobësitë e tyre, duke filluar që nga përpjekja e dështuar për risistemin e Lindjes së Mesme e deri tek planet për mburojën antiraketore, të cilat askush në Evropë nuk dëshiron t'i mbështesë me gjithë zemër. Nga të gjithë këto dobësi Putini nxjerr një pozitë të fortë për Rusinë. Presidenti është një lojtar i shkathët, e sheh se cilat zona të influencës nuk i mban më dot, si për shembull Gjeorgjinë ose ukrainën, dhe tërhiqet shumë shpejt prej andej, për të hyrë sa më shpejt në një zonë tjetër të fushës. Janë përvoja të hidhura për Uashtingtonin, që mbas 15 vjetësh, në të cilat i përcaktonte vetë rregullat e lojës së politikës botërore, të shohë tani se ku janë kufijtë. Por janë edhe përvoja të hidhura për Evropën, e cila duhet të përjetojë, që rregullat e lojës së Luftës së Ftohtë vazhdojnë të jenë repertori kryesor i politikës botërore, dhe që në këtë lojë, edhe sot, asaj pothuajse nuk i bie radha fare."