1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja para humbjes së durimit?

Viron Gjymshana18 Korrik 2007

Para udhëtimit në Lindjen e Mesme, kryediplomati evropian, Havier Solana deklaron: Nuk mund të përjashtohet gjetja e zgjidhjes për Kosovën edhe jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së

EU-Außenbeauftragter Solana erhält Karlspreis 2007
Havier SolanaFotografi: AP

Bashkimi Europian duket se po bindet se nuk mund të pritet shumë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke pasur parasysh këtu qëndrimin negativ të Rusisë, e cila po hedh poshtë njëri pas tjetrit të gjitha projektrezolutat e propozuara deri më sot në OKB për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Pas deklaratave të përsëritura se Bashkimi Europian ka nevojë absolute për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më së fundi shefi i politikës së jashtme të BE-së Havier Solana pranoi se nuk përjashtohet mundësia e gjetjes së zgjidhjes për Kosovën edhe jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kumtesa e fundit e shefit të diplomacisë europiane ishte në sinkron të plotë me qëndrimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, që i deklaroi kryeministrit serb, Koshtunica, se Gjermania mbështet propozimin e Ahtisarit. Po ashtu qëndrimi i fundit i Solanës përkoi me bisedimet që ai zhvilloi kokë më kokë në selinë e Këshillit të Ministrave në Bruksel të martën paradite me vetë kryenegociatorin e OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisarin. 24 orë para këtij takimi ishte komisioneri Rehn që me anë të një deklarate përgatitur për Parlamentin Europian kërkoi mosshtyrjen pa arsye të zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Kombet e Bashkuara nuk kanë edhe shumë kohë për të ndryshuar fjalët apo paragrafet e projektrezolutave që po përgatisin. Dhe në rast mosskuksesi atëherë do të shihen rrugë alternative, siç mund të jetë marrja në dorë e këtij problemi nga ana e Grupit të Kontaktit për Kosovën, - ka pohuar Solana.

Sipas burimeve nga BE-ja do të jenë anëtarët e Grupit të Kontaktit që do të zhvillojnë diplomacinë e vajtje - ardhjeve Prishtinë - Beograd, 4 muajt e ardhshëm para se të merret vendimi përfundimtar për Kosovën. Me këtë rast në Bruksel kujtohet se në mbledhjen e fundit të Grupit të Kontaktit për Kosovën, Rusia nuk u ftua të merrte pjesë.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW