BE-ja po punon për të arritur konsensusin ndërkombëtar për Kosovën
27 Mars 2007Pavarësisht se si mund të duket në vështrimin e parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian nuk dallojnë edhe aq shumë në çështjen e statusit të Kosovës. Dallimet më shumë se strategjike duket se janë taktike.
Kristina Gallach, zëdhënëse e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Havier Solanës, deklaron për emisionin shqip të Dojçe Veles se ne kemi shumë respekt për propozimet që zyrtari i lartë amerikan bëri dje dhe nga ana jonë po punojmë me të gjitha mundësitë tona diplomatike që të arrijmë në një konsensus ndërkombëtar për këtë çështje. Ajo më poshtë vë në dukje se gjatë gjithë kohës BE-ja ka mbështetur me forcë punën dhe propozimet e Marti Ahtisarit për këtë problem.
Gjatë bisedës zëdhënësja e Havier Solanës flet edhe për dokumentin e përbashkët që Solana dhe Rehn do e paraqesin më 30 mars në Breme të Gjermanisë.2 Sipas saj BE-ja dhe përkatësisht Solana dhe Rehn kanë paraqitur herë pas here platforma të përbashkëta pune, të cilat ecnin paralel me zhvillimet politike ndaj çështjes së Kosovës. I fundit në rradhë ishte ai që Solana dhe Rehn përgatitën në kohën kur Prishtina dhe Beogradi po bisedonin në Vienë të Austrisë. Ndërsa tani jemi shumë më afër vënies në jetë të zgjidhjes së problemit- thotë ajo. Dhe dokumenti i tanishëm ngërthen, sipas saj, problemet dhe sfidat që i dalin përpara BE-së dhe Kosovës
deri sa Këshilli i Sigurimit i OKB-së të marrë vendimin e tij përfundimtar për Kosovën.
Kristina Gallach thekson se Solana dhe Rehn i dhanë sot dorën e fundit këtij dokumenti, i cili dëshmon angazhimin serioz të BE-së për të marrë sa më shumë përgjegjësi në Kosovën e pas-statusit.