1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE pret që Kosova e Serbia të arrijnë kompromis për dinarin

14 Maj 2024

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen të mërkurën në Bruksel për të gjetur zgjidhje pas skadimit edhe të periudhës kalimtare të BQK-së, e cila e përcakton euron si valutën e vetme për transaksione në Kosovë.

Miroslav Lajçak takohet me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, 05,03.2024
Miroslav Lajçak takohet me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, 05,03.2024Fotografi: Office of the Kosovo Government

Në Bruksel takohen të mërkurën (15.05.) delegacionet e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për çështjen e përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë, me shpresën për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme. Bashkimi Evropian pret që palët të jenë të gatshme për arritjen e një kompromisi. "Përfaqësuesi special për dialogun ka ftuar kryenegociatorët të vazhdojnë diskutimet. Do të takohen të mërkurën në Bruksel, do të vazhdojnë diskutimet për të gjetur zgjidhje të përkohshme të qëndrueshme, për të prekurit nga vendimi i BQK-së. BE-ja pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet e gatishmëri për të arritur kompromis”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Zëdhënësi i BE për çështjet e jashtme, Peter StanoFotografi: Dursun Aydemir/AA/picture alliance

"Po zhvendoset vëmendja nga ajo që është e nevojshme"

Stano e cilësoi problematikën e dinarit si një largim të vëmendjes nga palët drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve."Me secilin takim shpresojmë të jetë i fundit që merremi me këtë çështje. Po zhvendoset vëmendja nga ajo që është e nevojshme, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Shpresojmë që palët të sillen në mënyrë evropiane e të arrijnë marrëveshje kompromisi”, thotë Stano.

Me 12 maj, ka kaluar periudha kalimtare e Bankës Qendrore dhe nga e diela, euro është valuta e vetme për transaksione në Kosovë. Për ata që përdorin dinarin do të ketë masa ndëshkuese, dhe sipas kryeministrit Albin Kurti, "nëpërmjet kësaj po synohet ligjshmëria, transparenca, e jo dënimi”.

"Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese. Rregullorja e BQK-së nuk është për të dalë kundër dinarit, por për euron si mjeti i vetëm për pagesa në Kosovë”, është shprehur Kurti.

Fotografi: Bekim Shehu/DW

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njoftoi se tashmë e ka përmbyllur edhe periudhën tremujore tranzitore për siç u quajt, "zbatim i lehtësuar i rregullores për operacione me para të gatshme”. Ky vendim nxiti reagimin e Serbisë, e cila thotë se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë. BQK-ja tha se pas përmbylljes së periudhës transitore ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit, duke vendosur edhe 38 bankomatë apo pajisje të ngjashme të vetëshërbimit financiar.

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë