BE-ja synon njësimin e kritereve për rrethin e personave që mund të përfitojnë prej së drejtës së azilit
25 Janar 2008Vitin e kaluar humbën jetën në përpjekje për të depërtuar në Evropë përmes Detit Mesdhe rreth 2.000 vetë. Atyre që arritën ta shkelnin tokën e kërkuar u duhej të kalonin një kalvar të tërë burokracish që lidhen me statusin e azilantit.
Në BE ekziston vërtet që prej vitit 2005 një ligj i përbashkët për azilin, por shumë vende nuk e kanë adaptuar atë ende në legjislacionet e tyre kombëtare. Pikërisht problemet me të cilat u duhet të ndeshen vendeve të ndryshme në lidhje me politikën e azilit janë në qendër të vëmendjes së takimit të ministrave të punëve të brendshme të vendeve të BE-së në Brdo në afërsi të kryeqytetit slloven Ljubljanës. Sipas fjalëve të një zëdhënësi Komisioni i BE-së ka vendosur që deri në veri të përpunohen propozimet e reja, dhe të bëhen ndryshime te ato ekzistueset sidomos në lidhje me personat që kanë nevojë për mbrojtje të posaçme.
Pas zgjerimit të Shengenit dyfishohen azilkërkuesit
Aktivizimi i Komisionit të BE-së lidhet sidomos me problemin e shtimit të numrit të azilkërkuesve pas zgjerimit të zonës Shengen drejt lindjes. Në Austri p.sh. vetëm katër javë pas hapjes së kufijve lindorë numri i azilkërkuesve është dyfishuar. Edhe në kufirin lindor të Polonisë po shtohet rrjedha e emigrantëve sidomos nga Çeçenia. Sapo hyjnë në Poloni ata përpiqen të shkojnë në ato vende të BE-së, në të cilat u njihet azili, gjë që është kundër ligjit, sepse sipas ligjit për azilin, kërkesa për azil duhet bërë në vendin ku personi shkel për herë të parë territorin e BE-së.
Komisioni i BE-së synon që me ligjin e ri për azilin t'u presë rrugën ndryshimeve në këtë ligj në vendet e ndryshme anëtare. Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet njësimit në të gjitha vendet e BE-së të kritereve, se cilët persona mund të përfitojnë prej së drejtës së azilit dhe cilët jo.