BE kërkon nga Beogradi të bashkëpunojë me Ahtisarin
31 Janar 2007Bashkimi Europian po përpiqet të bindë zyrtarët e lartë në Beograd që ata ta presin dhe të diskutojnë me Ahtisarin rreth propozimit të tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Kjo kërkesë e BE-së vjen pas deklaratave të kryeministrit serb, se ai nuk ka tagër të takohet tashmë me Ahtisarin, dhe me të duhet të takohet kryeministri i ardhshëm.
Zyrtarët e lartë në Beograd madje ia kanë bërë të qartë Brukselit se koha më e përshtatshme për vizitën e Ahtisarit në Beograd duhet të jetë pas formimit të qeverisë së re serbe.
Në vetë vendet anëtare të Bashkimit Europian qëndrimet për këtë çështje janë të ndara. Ministri i jashtëm francez Filip Dauste Blazy la të kuptohet fund-javën e kaluar, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, se një mundësi e tillë, pra shtyrja e paraqitjes së propozimit të Ahtisarit pas formimit të qeverisë së re serbe, ndofta ia vlente të merrej parasysh.
Por, jo më larg se dje, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike, Jaap de Hop Scheffer, ndër të tjera nënvizoi qartë se NATO mbështet kalendarin e punës të Marti Ahtisarit, që me fjalë të tjera do të thotë, që paraqitja e propozimit nuk duhet shtyrë pas datës së parashikuar më 2 shkurt.
Një ditë më pas dhe pikërisht sot, ishte shefi i politikës së jashtme të BE-së Havier Solana, që shprehu shpresën se si Tadiçi ashtu edhe Koshtunica do ta presin Ahtisarin dhe do të diskutojnë me të rreth propozimit të tij për statusin e Kosovës.
Me këtë rast zyrtari i lartë i BE-së deklaroi se Bashkimi Europian dëshiron që në Beograd të formohet një qeveri proeuropiane që do të mbajë një qëndrim konstruktiv edhe në zgjidhjen e statusit të Kosovës.