1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE kërkon nga Gjermania rregulla më strikte në luftën kundër korrupsionit

Agenturen/Bahri Cani3 Shkurt 2014

Komisioni Evropian kërkon nga Gjermania hartimin e rregullave të qarta për kalimin nga politika në ekonomi. Kohët e fundit në Gjermani pati reagime për mundësinë e kalimit të një ish-ministri në një koncern të madh.

Symbolbild Korruption
Fotografi: picture alliance/CTK

Komisioni Evropian ka hartuar raportin e tij të parë për luftimin e korrupsionit në Bashkimin Evropian, ku edhe Gjermania është një prej vendeve të prekura. Në raportin e paraqitur këtë të hënë (03.02.2014) në Bruksel nga komisionerja e Brendshme e BE-së, Cecilia Malmstrëm, thuhet se duhen hartuar rregulla të qarta për kalimin e politikanëve në sektorin e ekonomisë. Në këtë kuadër duhet të pëcaktohet edhe një kohë brenda së cilës politikanët nuk mund të marrin ndonjë pozitë të lartë ne ekonomi, në mënyrë që të evitohet mundësia e korrupsionit dhe keqpërdorimit të influencës së dikurshme politike për qëllime biznesi.

Gjermania duhet të rimendojë edhe mënyrën e financimit të fushatave elektorale në këtë vend. Megjithatë Gjermanisë i jepet në përgjithësi një notë e mirë, sa i përket gjendjes së luftimit të korrupsionit. "Gjermana është ndër vendet më të suksesshme në BE, sa i përket luftimit të korrupsionit", thuhet në këtë raport.

Cecilia Malmström kërkon rregulla të qarta për kalimin e politikanëve në sektorin e ekonomisë.Fotografi: Georges Gobet/AFP/Getty Images

Debati për futjen e një kohe të caktuar për pamundësimin e ushtrimit të ndonjë detyre në ekonomi nga politikanët, është hapur në Gjermani pas bërjes publike të mundësisë, që ish ministri në zyrën e kancelares, Ronald Pofalla (CDU) të kalojë në bordin drejtues të sipërmarrjes më të madhe gjermane të hekurudhave, Deutsche Bahn. Komisioni i BE-së është i mendimit që Gjermania duhet të gjejë një zgjidhje, që të evitohen keqpërdorimet e mundshme.

Komisioni pohon në këtë raport se korrupsioni është një dukuri negative që e gjejmë në të gjitha vendet anëtare të BE-së. Si pasojë e korrupsionit, ekonomia e vendeve të BE-së shënon humbje në vlerë prej rreth 120 miliardë euro në vit. Mënyra dhe mjetet e luftimit të korrupsionit dallojnë shumë në vendet anëtare të BE-së. "Për shkak të korrupsionit shumë qytetarë kanë humbur mirëbesimin ndaj institucioneve demokratike dhe shtetit juridik. Kjo dëmton rëndë edhe ekonominë evropiane dhe ul të ardhurat nga tatimet", kumtoi Malmstrëm.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW