1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Kosova do të mbetet e vetme nëse nuk i dëgjon aleatët

16 Gusht 2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se Kosova duhet të sigurohet që ura mbi lumin Ibër të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit.

Ura e Ibrit
Fotografi: Idro Seferi/DW

Bashkimi Evropian e paralajmëroi sërish Kosovën se rrezikon të mbetet e "vetme dhe mbrapa”, nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët e vet, pas veprimeve të fundit në veriun e Kosovës ku përfshihet edhe synimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Kështu deklaroi në Bruksel zëdhënësi i BE-së Peter Stano. "Vetëm mund të rikujtoj për të gjithë ata, të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës, përfshirë BE, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe, kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t'i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, tha Peter Stano.

Sipas tij, çështja e hapjes së urës në Mitrovicë duhet të diskutohet në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, por që nuk ka të bëjë me ndonjë marrëveshje të re, por me zbatimin e asaj të arritur më parë. "Qeverisja e mirë nënkupton që t'u afrohesh dhe t'i angazhosh komunitetet ndaj të cilave kanë ndikim vendimet specifike. Që të merret me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do të thotë të diskutohen modalitetet e implementimit të marrëveshjes së arritur për urën e jo një marrëveshje e re”, tha Stano.

Autoritetet ndërkombëtare të sigurisë KFOR, dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, thanë se hapja e urës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë dhe i bënë thirrje qeverisë së Kosovës "mos ta ndërmarrë këtë veprim të pa koordinuar, por çështja e urës të zgjidhet me diskutime në Bruksel”. "Hapja e urës për trafikun e makinave tani, rrit mundësitë për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it, përfshirë amerikanët të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në një deklaratën DASH.

Fotografi: Vjosa Cerkini

"A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes policisë sonë dhe ushtarit amerikan?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj, e kundërshton idenë që çështja e urës mbi lumin Ibër të diskutohet në Bruksel, dhe e kritikoi  deklaratën e zëdhënësit, Peter Stanio, por ajo thotë se veprimet për hapjen e urës duhet të bëhen në koordinim me aleatët e Kosovës. "Ne duhet të sigurohemi që kur të hapet ura të mbetet e hapur dhe jo që kur të hapet të nxisë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes policisë sonë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet me një gjë të tillë. Pra të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin, sepse ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë”, tha presidentja Vjosa Osmani.

Qeveria e Kosovës vazhdon të këmbëngulë në synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve. Ura mbi lumin Ibër, e ndan qytetin e Mitrovicës në veri me shumicë serbe dhe në jug me shumicë shqiptare. Qeveria e Kosovës thotë se "hapja e urës do t'i shërbente lëvizjes së lirë dhe se nuk është kundër askujt dhe aq më pak kundër aleatëve të Kosovës”. Megjithatë, synimi i qeverisë, nxiti edhe protesta të serbëve të Kosovës në veri të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës.

Fotografi: Idro Seferi/DW

Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, janë pajtuar në vitin 2014 që ura mbi Lumin Ibër të hapet për qarkullim. Me një plan, ishte paraparë i ashtuquajturi "revitalizim i urës”. Ditë më parë edhe qeveria e Kosovës në planin e saj për hapjen e urës bëri një kontroll teknik mbi qëndrueshmërinë e saj, dhe sipas raportit "konkludohet qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”. Megjithatë, Ura mbi lumin Ibër vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve, ndërsa, forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë qëndrojnë vazhdimisht duke patrulluar mbi të.  

Ura që ndan

03:25

This browser does not support the video element.

 

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë