1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE me qendrim të njësuar në Këshillin e Sigurimit

Anila Shuka31 Mars 2007

Ministrat e BE-së mbështesin përpjekjet e Ahtisaarit dhe vlerësojnë deklaratën e Sekretarit të Përgjitshëm të OKB-së. Kubish: Procesi i negociatave në Këshillin e Sigurimit ështe me fund të hapur.

Ferrero Waldner dhe Steinmeier në Bremen
Ferrero Waldner dhe Steinmeier në BremenFotografi: AP
Debati për statusin e ardhshëm të Kosovës, zhvilluar në fillim të takimit joformal të ministrave, zgjati më shumë se ç’pritej. Në të u diskutua kryesisht se ç’qëndrim do të mbajë BE-ja në negociatat që do të zhvillohen gjatë javëve të ardhshme në Këshillin e Sigurimit. Ministri gjerman i punëve të jashtme dhe njëherësh kryetar i radhës së BE-së, Frank Walter Steinmeier, tha se qendrimi i BE-së në lidhje me Kosovën është i njësuar. „Të gjithë antarët e BE-së i kanë përshëndetur përpjekjet e presidentit Ahtisaari. Ata çmojnë edhe qendrimin e qartë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që propozon mbështetjen e plotë të planit të Ahtisaarit“, tha ai të premten mbas ditës së parë të takimit. Paradite Steinmeier ishte takuar me ministrat e vendeve evropianë që janë anëtare të Këshillit të Sigurimit, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Sllovakisë për të unifikuar pozicionin e BE-së në Këshillin e Sigurimit. Ministri i punëve të jashtme të Sllovakisë, Jan Kubish, ndeshet në vendin e tij me një rezistencë të madhe ndaj pavarësimit të Kosovës. Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle në shqip, ai e la të hapur qendrimin e mëtejshëm të Sllovakisë në Këshillin e Sigurimit: „Ne do ta diskutojmë rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit. Ne tani kemi një plan dhe ky do të jetë një diskutim, të cilit nuk i dihet fundi“, tha Kubish për negociatat që pritet të fillojnë javën e ardhshme për projektrezolutën e re për Kosovën. Presidenca gjermane është e interesuar që ky proces të përfundojë në një afat të arsyeshëm, kishte thënë Steinmeier para takimit. Mbas takimit ai vuri theksin në domosdoshmërinë e një rezolute të re për Kosovën: „Në se ne nuk do të kemi një rezolutë të re, atëherë do të kemi vetëm një bazë juridike për vazhdimin e UNMIK/ut. Kjo është pasoja më e vogël. Pasoja më e madhe është që shpresat e ngjallura në rajon gjatë viteve të fundit do të zhgënjehen dhe kjo përbën një burim destabilizimi, të cilin duhet ta shikojmë me shumë vëmendje, prandaj edhe përpiqemi që të mbajmë një qendrim të përbashkët në Këshillin e Sigurimit“, u shpreh Steinmeier. I vetëdijshëm u tregua kryetari i radhës së BE-së për problemin që ekziston me qendrimin e Rusisë: “Ne po bisedojmë me palën ruse, por deri tani nuk kemi arritur ta ndryshojmë dukshëm qendrimin e saj. Prandaj ekzistojnë proceset e negociatave, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje. E ne do të përkushtohemi me shumë kujdes në këtë çështje”, premtoi ministri gjerman. Në deklaratën e nxjerrë fill mbas prezantimit të planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit presidenca gjermane e kishte theksuar më me forcë pozicionin mbrojtës të BE-së ndaj propozimit të ish-presidentit finlandez për statusin e ardhshëm të Kosovës. Nga prononcimet nga ministrave të premten në Bremen ky qendrim nuk del shumë qartë në pah. Një diplomat nga vendet antare të BE-së megjithatë bën të ditur, se krahas Sllovakisë në takimin e së premtes janë shprehur me rezerva edhe Rumania e Greqia. Ministrja greke e punëve të jashtme, Dora Bakojanis, nuk konfirmoi qendrimin mëdyshës së saj. Ajo thotë se tani fjalën e ka Këshilli i Sigurimit, ku BE-ja duhet të ketë një linjë të përbashkët: „ Dhe është mjaft e rëndësishme që të merren në konsideratë edhe interesat e përligjshme të Serbisë në rajon“, - i tha ajo Deutsche Welles. Serbia ishte pika tjetër e rendit të ditës në takimin e ministrave në Bremen. BE_ja vazhdon të jetë e gatshme për ta afruar atë sa më shpejt drejt Evropës, siç bëri të ditur Steinmeier. Por ai tërhoqi vëmendjen që politikanët të tregohen përgjegjës në përballimin e sfidave që kanë përpara: “Ne i zgjasim Serbisë dorën. Rruga që ka përpara Serbia në muajt e ardhshëm nuk është kurrsesi e lehtë për popullsinë në Serbi. Është zgjidhja e statusit, janë reformat e nevojshme demokratike, është qeveria, që është duke u krijuar: të gjitha kërkojnë shumë vetëdije përgjegjësie nga personat përgjegjës”, - tha Steinmeier. Dorën e zgjatur të saj ndaj Serbisë, BE-ja ka ndër mend ta konkretizojë me lehtësime në procedurat e vizave, veçanërisht për të rinj dhe studentë. Në ditën e parë të takimit, ministrat diskutuan shkarazi edhe për dokumentin e hartuar nga Komisioni i BE-së për misionin e ardhshëm të tij në Kosovë. Takimi joformal vazhdon të shtunën me çështje të tjera akute të politikës ndërkombëtare si gjendjen në Iran e Lindjen e Mesme dhe me bisedime me kandidatët zyrtarë të BE-së, Turqinë, Kroacinë dhe Maqedoninë.
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW