BE - menaxhim krizash para Krishtlindjeve
15 Dhjetor 2015Temat nuk mungojnë në samitin e BE-së të enjten dhe të premten (17.12 - 18.12). Edhe sa i përket çështjeve jashtë samitit programi i BE-së është i ngjeshur. Në politikën e jashtme mund t'i dilet të paktën të mbyllet një nga çështjet e hapura duke arritur në një marrëveshje për një qeveri uniteti në Libi. Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier shpreson për këtë edhe pse ky vend pas kësaj do të ketë nevojë për shumë ndihmë. Në Siri megjithatë hapat për negociata janë ende shumë larg. BE-ja vazhdon të apelojë në adresë të Turqisë, që ta mbështesë vendin fqinjë Sirinë dhe BE-në në çështjen e refugjatëve.
Trupa të reja për kufijtë e jashtëm
Të martën (15.12) Komisioni i BE-së paraqet planin për një Trupë Europiane për Mbrojtjen Kufitare. Kjo trupë duhet të përfshijë një kontigjent të qendrueshëm prej rreth 1500 policësh, të cilët të jenë të mobilizueshëm shpejt dhe të pajisen me anijet dhe helikopterët e vet. Deri tani trupa për mbrojtjen e kufijve Frontex ka qenë e varur nga ndihma e vendeve anëtare dhe nuk ka pasur mandat të mjaftueshëm. Në të ardhmen Brukseli do të mund të angazhojë trupën e formuar rishtazi edhe përkundër vullnetit të vendeve anëtare, për të vrojtuar kufijtë e jashtëm. Greqia ka refuzuar në mënyrë konsekuente që të pranojë ndihmë europiane në këtë drejtim.
"Kufijtë tanë të jashtëm janë kufij të përbashkët. Së fundi ne nuk kemi qenë në gjendje, që t'i mbrojmë ato në rast nevoje", deklaron nënpresidenti i Komisionit të BE-së Frans Timmermans. Përveç kësaj në të ardhmen Frontex duhet të jetë i mobilizueshëm edhe për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar. Nisma e Komisionit të BE-së i referohet një iniciative gjermano-franceze të fillimit të muajit. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière: "Ne kemi rënë dakord në Europë, që shtetet të kujdesen për një mbrojtje të sigurtë të kufijve të jashtëm të BE-së." Kjo ka qenë baza për heqjen e kufijve të brendshëm." Ministri i Jashtëm Steinmeier thekson në Bruksel, se një forcim i Frontex-it mund të ndihmojë, për t'i kontrolluar më mirë kufijtë e jashtëm.
Shpërndarje vullnetarisht e refugjatëve
Me propozimin e kancelares Angela Merkel të enjten (17.12) paradite zhvillohet një lloj samiti shtojcë për shpërndarjen e refugjatëve në Europë. Ajo ka mbledhur "një koalicion të të vullnetshmëve", i cili përbëhet nga vendet që pranojnë më shumë refugjatë, ndër to Austria, Suedia dhe Greqia, që ndërkohë mbështetet edhe nga Franca. Pas zgjedhjeve rajonale qeveria franceze sheh për vete ende më shumë hapësirë në këtë drejtim. Edhe Turqia do të marrë pjesë, prej saj BE-ja shpreson në radhë të parë, që ajo mund të frenojë migracionin e refugjatëve.
Në çështjen e refugjatëve klima mes një pjese të europiano perëndimorëve dhe lindorëve është tërësisht e trazuar, qëkurse Sllovakia dhe Hungaria para mëse një jave dorëzuan ankesë në Gjykatën Europaine kundër shpërndarjes së planifikuar të vetëm 140.000 refugjatëve brenda BE-së. Për këtë arsye qeveria gjermane dhe qeveri të tjera europiano perëndimore kërkojnë zgjidhje pavarësisht nga Europa Lindore.
Ky plan mund të funksionojë thotë Ska Kelleer, eurodeputete ekologjiste, vetëm nëse do të ketë "një marrëveshje afagjatë dhe të qendrueshme për risistemimin e refugjatëve në Europë". Që të jepet një sinjal kundër emigracionit të pakontrolluar nevojitet një garanci për kontigjente vjetore me rreth 300.000 deri në 500.000 refugjatë. Refugjatëve duhet t'u jepet një shans real për shpërngulje, në mënyrë që "ata më mirë të presin dy apo tre vjet për të ardhur në Europë, se sa të hipin nëpër anije". Megjithatë tani për tani ka pak sinjale gatishmërie për një zgjidhje të tillë.
Debat mbi Brexit
Dëshirat e posaçme të Britanisë së Madhe, që do t'i reformojë raportet e saj me BE-në, kryetarët e shteteve dhe të qeverive duan t'i debatojnë gjerësisht në samit. Por një zgjidhje të shpejtë nuk do të ketë, pasi kryeministri David Cameron nëntor doli me kërkesa të reja konkrete. Sidoqoftë kryeministri do ta mbajë referendumin popullor për anëtarësimin në BE në verën e vitit 2016. Vendimet duhet të merren më së voni në samitin e pranverës, thotë eurodeputeti David McAllister. Lidhur me këtë çështje ai konsiderohet si personi gjerman i kontaktit pas kuintave dhe deklaron, se një marrëveshje të shpejtë kryesisht lidhur me punën e detajuar juridike varet nga ekspertët e BE-së.
McAllister dëshirat britanike i ndan në tri fusha: shumë e lehtë është, që të përmbushen kërkesat për më shumë aftësi konkurruese, tregti të lirë dhe reduktim të burokracisë. Këtë e pranojnë pothuajse të gjitha vendet anëtare. Nuk është e lehtë kërkesa për t'u garantuar më shumë të drejta parlamenteve kombëtare. Por këtë mund ta zgjidhësh me vullnet politik. Më e vështirë do të jetë, nëse do të bëhet fjalë për mbrojtjen e tregut financiar britanik nga vendimet e Eurozonës. "Të gjithë e kuptojnë dëshirën e britanikëve", thotë McAllister. Por ka një treg të brendshëm europian me rregulla dhe Eurozonën me 19 anëtarë, që duan të avancojnë bashkarisht. Këtu nuk mund të ketë një të drejtë vetoje për britanikët.
Ajo që as nuk mund të shtrohet është përjashtimi i migrantëve të punës nga BE-ja nga sistemi social britanik, që kërkon Britania e Madhe. "Për këtë është i rëndësishëm parimi i mosdiskriminimit", thotë eurodeputeti. Në radhë të parë kërkohet në këtë aspekt kreativiteti i juristëve, që duhet të gjejnë një zgjidhje, e cila të pranohet edhe nga Gjykata Europiane. Në parim asnjë vend i BE-së nuk do një Brexit, dalje të Britanisë së Madhe nga BE-ja, thekson McAllister, dhe ka edhe vullnet që këtij shteti t'i bëhen lëshime: "Bëhet fjalë për kufirin mes fleksibilitetit dhe një Europe à la carte". Të tilla "teka" apo siç i thonë britanikët "Cherry Picking", raundi i kryetarëve të shteteve dhe qeverive nuk do t'i lejojnë kolegut të tyre David Cameron.