BE në pararojë për mbrojtjen e klimës?
9 Mars 2007
Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së janë mbledhur të enjten (08.03) në Bruksel në samitin e parë nën kryesimin e presidentes së radhës të këshillit të BE.-së, Angela Merkel. Kancelarja do që deri në mbyllje të takimit (09.03) të 27 shtetet antare të BE-së të vendosin qëllime ambicioze dhe të detyrueshme për mbrojtjen e klimës. Por ajo has në rezistencën e Francës si dhe të anëtarëve evropiano-lindorë si Çekia.
Angela Merkel do që të vendosë një gur themeli për mbrojtjen më të mirë të klimës. Ajo qysh përpara takimit theksoi: "Unë pres që ne t´ia arrijmë të vendosim qëllime ambicioze. Unë besoj, që Evropa mund të jetë pararojë pikërisht lidhur me mbrojtjen e klimës dhe në politikën e energjetike, nëse ne ia dalim të vendosim qëllime të qarta."
Qëllimi prioritar është kufizimi me mesatarisht 2 gradë i rritjes së temperaturës globale. Sipas përllogarive të Komisionit të BE-së për këtë duhet që deri në vitin 2050 në mbarë botën emisionet e dioksidit të karbonit duhet të ulen me 50% në nivelin e vitit 1990.
Në fokus është kryesisht çlirimi i dioksidit të karbonit prej automjeteve. Deri në vitin 2012 ky duhet të ulet mesatarisht nga 186 në 120 gram për kilometër. Shoqatat e mjedisit kërkojnë në këtë kontekst për prodhuesit e automobilëve vlera me limite të detyrueshme. Por industria e fuqishme gjermane e automobilëve reziston kundër kësaj.
Një mjet tjetër për të ulur emisionet e gazrave që krijojnë efektin serë në atmosferë është përdorimi më me intensitet i energjive të rigjenerueshme. Ndërkohë kuota e përdorimit të këtyre energjive në konsumin e përgjithshëm të energjisë në BE
është rreth 6,5%. Gjermania me një kuotë prej 5,3% madje është nën mesataren. Kancelarja Angela Merkel dëshiron tani që të angazhohet fort, për rritjen me 20% të energjive të rigjenerueshme. Por lidhur me këtë normë të detyrueshme që synohet ka mosmarrëveshje të mëdha brenda BE-së.
Por janë mbi dhjetë shtete që e kundërshtojnë këtë plan. Kryesisht Franca, që një pjesë të madhe të energjisë e përfton prej centraleve bërthamore, është shprehur kundër këtij propozimi.Presidenti francez Zhak Shirak synon që në luftën kundër ndryshimit të klimës të vlerësohet energjia atomike. Nga ana tjetër kryeministri i Luksemburgut Zhan-Klod Junker bën thirrje për burime të përziera të energjisë duke marrë parasysh situatën e secilit vend: "Ne sa i përket energjisë së erës nuk mund të veprojmë si vendet fqinjë, që mund t´i instalojnë mullinjtë e tyre të erës në det të hapur. Por nëse ne i bashkangjitemi Belgjikës dhe Holandës që përftojnë më shumë energjitë alternativë dhe në kuotën e tyre të përfshihet edhe Luksemburgu, atëherë unë e konsideroj këtë një zgjidhje evropiane."
Ndërkohë që vendet si Irlanda, Austria, Belgjika dhe Danimarka, që e tejkalojnë kuotën mesatare të përdorimit të energjisë diellore, të erës dhe të ujit e mbështesin propozimin e kancelares Merkel. Kryeministri danez Anders Fogh Rasmunsen ka deklaruar: "Unë mendoj, që BE-ja duhet të bëhet e gjelbër dhe për t´ia arritur këtij qëllimi ne na duhen rregulla të detyrueshme. Ne duhet të përdorim më shumë energji të rigjenerueshme."
Merkel pranon që mbrojtja e klimës kushton para. Askush nuk e mohon këtë, theksoi ajo, duke argumentuar megjithatë, se nëse sheh në plan afatshkurtër kostot janë shumë më të larta se sa dobia. "Por nëse mendojmë në afate përtej 20, 30 apo 35 vjetësh, atëhere duhet që ta bëjmë këtë", thekson Merkel. Vetëm çështja e kostove nuk mund të jetë vendimtare. Edhe dëmet që shkakton ngrohja e pafrenuar e atmosferës janë të pallogaritshme. Merkel: "Ne duhet të negociojmë në vështirësi, por unë shpresoj, që do të arrijmë në konkluzione, që do të jenë në dobi si për hapjen e vedneve të punës, ashtu edhe për forcimin e rolit paraprijës të BE-së."