BE plan për uljen e papunësisë së të rinjve
11 Dhjetor 2012
5.5 milion të rinj në vendet e BE-së janë të papunë dhe shifrat janë vazhdimisht në rritje. Situata është më e keqe në jug të kontinentit. Politikanët kanë premtuar të ndryshojnë situatën, por deri tani nuk është bërë asgjë konkrete. Komisioneri i Bashkimit Europian për Punësimin dhe Çështjet Sociale, Laszlo Andor, ka një plan për të përmirësuar situatën.
Idetë kryesore kanë disa muaj që diskutohen. Në thelb çdo të riu europian nën moshën 25 vjeçare do t'i jepet një e ashtuquajtur garanci punësimi, që konsiston në një vend pune, një trajnim ose të paktën një praktikë pune. Ekonomisti Ekkehard Ernst nga Organizata Botërore e Punës (ILO) është pro këtij plani.
"Ne mirëpresim çdo iniciativë të tillë në nivel Europian,” tha ai. Problemi i papunësisë së të rinjve duhet të zgjidhet shpejt, shtoi ai, në të kundërt do ta kemi shumë të vështirë të përshtasim këta të rinj me tregun e punës në të ardhmen.
Implementimi i vështirë
Por Ernst mendon se implementimi i këtij plani do të jetë i vështirë nga ana ligjore.
“Edukimi është një përgjegjësi kombëtare. Bashkimi Europian nuk mund të ndërhyjë aty,” thotë për DW Karl Brenke, një analist nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike. Por të paktën BE-ja mund të japë disa rekomandime shton ai.
Dhe këto rekomandime janë duke u dhënë në bazë të eksperiencave të mëparshme. Suedia ka një garanci të njëjtë të vendosur që në vitin 1990, po ashtu si Austria prej disa vitesh. Në të dyja këto vende niveli i papunësisë është shumë i vogël (në Austri 8 %), ndërkohë në Spanjë dhe Greqi, vende pa një program të tillë, një në dy të rinj janë të papunë.
Jugu i Europës në vështirësi
Në Jug nuk ka shumë eksperiencë praktike mendon Brenke. "Edukimi bëhet më shumë përmes shkollës dhe kur të rinjtë mbarojnë studimet e kanë shumë të vështirë të ecin me këmbët e tyre,” thotë Brenke. Ai thotë se sistemi mësimor i Veriut, që ndërthur praktikën me njohuritë teorike, është shumë i suksesshëm. Të rinjtë marrinj njohuri teorike, por në të njëjtën kohë janë pjesë e një kompanie që i lejon ata të jenë në kontakt me tregun e punës në një moshë mjaft të re. Spanja përshembull vetëm tani është duke përshtatur një sistem të tillë.
Eksperti i ILO-s Ernst, nuk është shumë i bindur për një plan të tillë në nivel Europian. "Në Austri ekziston një bashkëpunim i mirë me kompanitë e vogla dhe ato të mesme, por këtë gjë nuk mund ta themi për vendet e tjera dhe natyrisht që një gjë e tillë do të ndikojë në efektivitetin e kompanive,” thotë ai.
Në terma afatshkurtër praktikat e punës mund të ndihmojnë disa të rinj, por nëse kushtet ekonomike nuk janë të mira në një vend, atëherë një gjë e tillë nuk është një zgjidhje.
Shpresa për bashkëpunim
Por Komisioneri i BE-së Andor, shpreson ende tek bashkëpunimi me qeveritë e vendeve të Europës Jugore për të realizuar planin e tij. Për këtë plan ai mund të përdorë edhe Fondin Social Europian, sepse ekziston një strukturë e ngritur në disa vende.
Sërish Brenke është skeptik. "Bashkimi Europian sigurisht që kërkon të provojë qëllimin e krijimit të tij dhe të përdorë disa fonde, por do të ishte më mirë që qeveritë të marrin rekomandime konkrete që duhet t'i zbatojnë,” thotë ai.
Sidoqoftë sipas Ernst plani i Bashkimit Europian ka një vlerë simbolike që nuk duhet të nënvlerësohet. Mbi të gjitha tregon se problemi i papunësisë së të rinjve tashmë është në axhendën e Brukselit.