BE rrit presionin ndaj Kroacisë për dorëzimin e kriminelëve
22 Gusht 2013Vendi më i ri i BE-së, Kroacia, ka nxehur menjëherë Brukselin: Vetëm dy ditë para hyrjes në familjen europiane më 1 korrik 2013 Zagrebi miratoi një ligj që ndalon ekstradimin e të dyshuarve për krime që mund të ishin kryer para datës 7 gusht 2002. Kroacia „ndryshoi rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme“, kritikonte në një intervistë për DW Gunther Krichbaum, Kryetar i Komitetit të BE-së në Bundestag.
Komisioneria e Drejtësisë në BE Viviane Reding i këshilloi qeverisë së Kroacisë, të zbatonte „menjëherë“ dispozitat për urdhër-arrestin Europian. Të premten (23 gusht 2013) skadon afati i ultimatumit të Komisioneres: Deri atëhere Ministri i Drejtësisë së Kroacisë Orsat Miljeniq duhet të raportojë se ky amendament do të hiqet nga ligji.
Tërheqja e amendamentit duhet të bëhet të paktën deri në vjeshtë shkruhet në një letër zyrtare të Reding drejtuar qeverisë kroate. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë Komisioni i BE do të marrë në shqyrtim bllokimin e granteve financiare për Kroacinë.
Amendamenti i kundërshtuar mbron nga dorëzimi para organeve gjyqësore oficerin në pension të ish shërbimeve sekrete Josip Perkoviq dhe 20 kroatë të tjerë të dyshuar për krime.
" Në gjueti për "armiqtë e brendshëm"
Perkoviq ishte më parë oficer i lartë i shërbimeve sekrete jugosllave (Uprava drzavne sigurnosti - UDBA). Policia sekrete e komunistëve në pushtet ishtë gjatë gjithë kohës në kërkim të të ashtuquajturve "armiq të brendshëm" të Jugosllavisë dhe emigrantëve aktivë politikisht.
UDBA, e në veçanti Josip Perkoviq, u bënë përgjegjës për vrasjen e disidentit dhe biznesmenit të naftës Stjepan Gjurekoviq. Vrasja u bë në vitin 1983 në qytetin bavarez Wolfratshausen. Edhe pse prokurori i Karlsruhes ka kërkuar dorëzimin e ish-agjentit, deri tani nuk ka ndodhur asgjë. Ndërkohë shumë vëzhgues nga jashtë pyesin se pse Kroacia mbron një të dyshuar për krime, Perkoviq jeton i pashqetësuar në lagjen Nobel të Zagrebit.
Plagë të vjetra në Kroaci
Rasti i Perkoviq ka hapur plagë të vjetra në Kroaci. Ka të bëjë me pranimin e të kaluarës dhe pyetja se pse Gjurekoviq ishte halë në sy për komunistët. Gazetari investigues Zheljko Peratoviq thotë në një intervistë për DW-në se Gjurekoviq, mbi të gjitha ishtë një rrezik për karrierën e politikanit Mika Spiljak, i cili në fund të vitit 1983 kishte planifikuar të merrte drejtimin e shteteve te Jugosllavisë.
Por pengesë ishte një aferë korrupsioni tek kompania kroate e naftës INA ku ishte përfshirë djali i tij, thotë Petroviq. "Biznesmeni Gjurekoviq mund të dëshmonte në skandalin e korrupsionit", thotë gazetari. "Mbështetësit e Spiljak patën frikë se nëpërmjet veprimeve ilegale të të birit mund të rrezikohej karriera e babait." Në mënyrë që të mos ndodhte asgjë, drejtuesit politikë të shërbimeve sekrete të asaj kohe në ish-Jugosllavi dhanë urdhërin për vrasjen e Gjurekoviq, thotë Peratoviq. "Pas vrasjes së tij Spiljak u bë President i Jugosllavisë dhe agjenti sekret Josip Perkoviq u shpërblye me postin e shefit të UDBA për Kroacinë.“
Historiani kroat Ivo Banac thotë në një bisedë me DW se nuk ka asnjë dyshim që UDBA ishte një "institucion kyç i sistemit totalitar“ në ish-Jugosllavi. UDBA kontrollonte shoqërinë me ndihmën e mediave dhe një rrjeti të gjerë informacioni, thekson Banac.
Ruajtësi i sekreteve të Tugjmanit?
Por përse është kaq e vështirë sot për Kroacinë të dorëzojë një ish agjent të shërbimeve sekrete të asaj kohe? Në mediat e vendit më të ri anëtar në BE, shkruhet se nëse Perkoviq dorëzohet ai mund të zbulojë sekrete të papëlqyeshme për politikanët kroatë dhe aksione të shërbimeve sekrete kroate dhe atyre jugosllave. Ai thuhet se ka patur marrdhënie mjaft të ngushta me ish presidentin kroat Franjo Tugjman. Pasi Kroacia shpalli pavarësinë e saj në vitin 1991, Perkoviq ishte përgjegjës për ndërtimin dhe drejtimin e shërbimeve sekrete të shtetit të ri. Edhe sot ai ka lidhje të mira me politikanët, shprehet gazetari investigativ Peratoviq.
Unë kam informacione për "shumë njerëz të rëndësishëm në Kroaci", deklaronte Perkoviq në një intervistë të ditëve të fundit për një gazetë kroate. Fjalët e tij tingëllojnë si një kërcënim. Historiani Banac kritikon se ekziston ende një rrjet aktiv, që ka interes të mbrojë klikën e së shkuarës. Ai shpreson se presioni i perëndimit "do të shërbejë si një katalizator për të hedhur dritë në bodrumet e errëta të historisë kroate“.