1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Rrugë të reja për mbrojtjen e kufijve?

Bernd Riegert14 Dhjetor 2015

Kufijtë e jashtëm të BE-së kanë vrima si djathi zviceran. Prandaj Komisioni Evropian dëshiron rojet e veta kufitare. Kjo nuk u pëlqen të gjitha shteteve anëtare.

Fotografi: DW/B. Riegert

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë qenë deri tani vetë përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të tyre. Kësaj i kanë dhënë gjithmonë rëndësi, sepse në fund të fundit kontrolli i kufijve të jashtëm është një nga detyrat e mirëfillta të një shteti sovran. Këtë do ta ndryshojë tani Komisioni Evropian. Për shkak të gjendjes kaotike në kufijtë e jashtëm, sidomos në Greqi, Kroaci dhe Itali, presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, propozon që nga shtatori krijimin e një autoriteti të ri të BE-së për mbrojtjen e kufirit dhe bregdetit me kompetenca të zgjeruara. Udhëheqësit e 28 vendeve anëtare të BE e kanë miratuar këtë plan në parim në një nga samitet e tyre të shumta për refugjatët dhe migracionin në vjeshtë.

Plan i guximshëm?

Të martën e ardhshme Komisioni i BE-së do të paraqesë tani gjatë seancës së Parlamentit Evropian në Strasburg projektligjin e parë për mbrojtjen kufitare të BE-së. Zëdhënësi i Komisionit Evropian Margaritis Schinas konfirmoi të premten në Bruksel një raport të gazetës "Financial Times" mbi këtë çështje. Detaje për forcën kufitare, që duhet të ketë më shumë kompetenca se sa agjencia e deritanishme e mbrojtjes të kufijve "Frontex" në Varshavë, Komisioni i BE-së nuk dha. "Ju mund të merrni me mend se ky do të jetë një propozim i rëndësishëm dhe i guximshëm", tha zëdhënësi i Komisionit. "Kontrolli efektiv i kufirit është detyrimisht i nevojshëm për të evituar kërcënimin e Shengenit."

Në zonën Shengen ndodhen 22 shtete të BE (pa Britaninë e Madhe, Irlandën, Qipron, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë) si dhe Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni. Në kufjtë e tyre të brendshëm nuk bëhet kontroll sistematik i personave dhe mallrave. Kjo liri udhëtimi nuk mund të funksionojë, nëse nuk bëhet regjistrimi se kush hyn në zonën Shengen. Duke pasur parasysh qindra mijëra refugjatë të paregjistruar, të cilët kanë ardhur në muajt e fundit përmes Greqisë dhe Italisë në zonën Shengen, kjo gjë nuk mund të garantohet më, kritikon ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere. Në fakt në bazë të traktateve të BE-së Greqia dhe Italia janë përgjegjës për kontrollet e hyrjes në Shengen. Agjencia për mbrojtjen e kufijve "Frontex", sapo ka publikuar shifra, që tregojnë se në Greqi vetëm 20 për qind e refugjatëve janë regjistruar.

Kërkohet që BE të ketë rojen e vet kufitare

Financial Times njofton se autoriteti i ri për mbrojtjen e kufijve do të ketë tani personelin e vet, i cili në rast nevoje do të veprojë në kundërshtim me ligjin e shteteve anëtare. Deri tani "Frontex" vetëm ka mundur të koordinojë aksionet dhe varej nga personeli i shteteve anëtare. Se sa njerëz, sa automjete dhe anije do t'i duhen një mbrojtjeje bregdetare dhe kufitare të BE, dhe çfarë financimi është e paqartë. "Për detajet po negociohet ende në Komisionin Evropian", tha zëdhënësi i Komisionit Evropian Schinas. Deri të martën do të dimë më shumë.

Migrantë në Drahonice ÇekiFotografi: picture-alliance/dpa/L. Zavoral

"Në këtë pikëpamje shtetet nacionale duhet të heqin dorë krejtësisht ose të paktën pjesërisht nga e drejta e tyre e sovranitetit", kërkoi kryetari i grupit parlamentar CDU / CSU në Bundestag, Volker Kauder, në një intervistë me agjencinë gjermane të shtypit. Edhe ministri i Brendshëm gjerman dhe ai francez i kërkuan në një letër Komisionit të BE-së që të krijojë një mbrojtje kufitare të fortë dhe ta zhvillojnë më tej agjencinë ekzistuese të mbrojtes së kufijve "Frontex". Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka ftuar javën e ardhshme krerët e shteteve dhe qeverive në një takim të rregullt. Edhe këtu kontrolli më i mirë i kufijve të jashtëm do të luajë një rol të rëndësishëm. Tusk këmbëngul që emigrantët të mbahen më gjatë në kufijtë e jashtëm, para se të lejohen të hyjnë në zonën e Shengenit. Ky propozim shkaktoi shumë kritika, për shkak se vende të tilla si Greqia, të cilat tashmë janë të stërmbingarkuar, kanë frikë se do të jenë të detyruar për t'u kujdesur për qindra e mijëra njerëz.

Gardh ndermjet Greqisë (Shengen) dhe Bullgaris ta zhvillojnë më tej (jo Shengen)Fotografi: picture-alliance/dpa/V. Donev

A do të heqin dorë shtetet nga sovraniteti?

Greqia pranoi vetëm para pak ditësh, që punonjës të "Frontexit" nga vendet e tjera të BE-së të shkojnë atje. Kjo bëhet përmes një mekanizmi të reagimit emergjent, i cili duhet të arrijë rezultate të shpejta. Nëse do të ketë në dispozicion personel shtesë të nevojshëm, policë, doganierë nga shtetet e tjera anëtare të BE, këtë e dyshon edhe vetë "Frontexi".

Por për shkak të burimeve të pakta ka të ngjarë të jetë një rrugë e gjatë deri tek krijimi i vërtetë i një mbrojtjeje të pavarur kufitare të BE-së, mendojnë diplomatët e BE-së, që e njohin këtë çështje. Përveç kësaj ka disa pengesa ligjore. Është gjithashtu e paqartë, nëse shtetet anëtare do të heqin dorë me të vërtetë nga të drejtat sovrane, për t'ia kaluar ato një autoriteti qendror të BE-së. "Derisa ato do të jenë gati, do të kalojnë disa vite", u shpreh një diplomat të BE-së në Bruksel. Rreth pesë vende kanë rezerva të mëdha.