BE-së i duhet projekt dhe qëllim i ri
16 Qershor 2006
Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së u munduan me fjalë që të përhapnin optimizmin dhe të rezatonin besimin, se mund ta ringjallin kushtetutën e BE-së të konsideruar si të varrosur. Kjo mund të ndodhë dikur majin e ardhshëm pas zgjedhjeve në vendet kritike ndaj kushtetutës si Franca dhe Holanda. Vetëm se si mund të ndryshohet, të plotësohet, apo të thjeshtohet marrëveshja për kushtetutën, që më pas edhe me Rumaninë e Bullgarinë, të mund të ratifikohet nga 27 vendet antare, kjo mbeti sekreti i pjesëmarrësve të samitit. Kjo ka të bëjë me atë që timonierët e shtetit as vet nuk e dinë, se ç´drejtim duhet të marrin. Nëse shefja e shtetit më të madh anëtar, kancelarja Angela Merkel, që po sitilizohet si dirigjentja e re evropiane, nuk dëshiron ta ndryshojë tekstin e kushtetutës, të njëtin mendim kanë edhe 15 vendet antare që ndërkohë e kanë ratifikuar atë.
Franca do të ngrejë në fuqi vetëm disa pjesë të kushtetutës. Luksemburgu bën thirrje për krijimin e një bërthame të Evropës, në të cilën grupe shtetesh të bashkëpunojnë më intensivisht në disa fusha të politikës. Presidenti i Komisionit të BE-së, Hoze Manuel Barrozo i do të dyja: dikur ratifikimin e kushtetutës dhe përpara intensifikimin e bashkëpunimit, sikur të ekzistonte kushtetuta. Beligjka do shtetet e bashkuara të Evropës. Kryeministri britanik Toni Bler s´është më i interesuar për kushtetutën. Ai do të largohet nga posti përpara se të përcaktohet fati i mëtejshëm i kushtetutës. Qeveria në Poloni s´ka ndonjë interes të madh për kushtetutën, sepse vota e polakëve skeptikë ndaj Evropës s´është aspak e sigurt. Nëse nxjerr një bilanc një vit pas pushimit për t´u menduar konstaton, se projekti i kushtetutës ishte me shumë ambicje. Ai duhet të varroset përfundimisht dhe duhet të përqëndrohet vëmendja tek ato që mund të realizohen. Një marrëveshje e re është e nevojshme, që të përgatisë procedurat e vendimmarrjes në BE-në me përmasa të reja dhe me pranime të reja. Por kjo marrëveshje nuk do të quhet më kushtetutë, në mënyrë që të parandalohet ngjallja e frikës prej supershtetit BE.
Fiksimi ndaj një kushtetute gjithëpërfshirëse dhe fjalët e vazhdueshme për krizë janë të gabuara. Evropa edhe pa kushtetutë me hapa të vogla do të ecë përpara. Sfida ka mjaft. Qoftë për formësimin e globalizimit, për politikën unike ekonomike, apo për zgjerimin edhe me gjashtë vende të tjera ballkanike e ndoshta edhe me Turqinë. Pavarësisht nga kriza e brendëshme BE-ja nuk u tërhoq nga ato që ka premtuar. Pas Bullagrisë dhe Rumanisë do të pranohen edhe shtetet e tjera të Ballkanit. Por duke marrë parasysh edhe rezervat ky proces do të ngadalësohet. Aftësia absorbuese e unionit nën presionin e Francës, Gjermanisë dhe Austrisë do të luajë një rol më të madh se deri më sot. E kjo anë e medaljes së zgjerimit do të jetë vendimtare veçanërisht në vlerësimin për Turqinë. Në dhjetor kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së do të shprehen më në detaje lidhur me aftësitë absorbuese të vendeve të tyre. Edhe ky problem tani për tani u shty.
Presidenti i Komisionit të BE-së, Hoze Manuel Barrozo ka të drejtë, kur tërheq vëmendjen, se qytetarët në BE s´duan t´ia dinë nëse qeverisen me ose pa kushtetutë, atyre u interesojnë rezulatet. BE-ja duhet të ofrojë rezultate dhe dobi konkrete.
Paqja në Evropë, liria e udhëtimit, qarkullimi i lirë i mallrave dhe i shërbimeve, monedha e përbashkët: të gjtiha këto arritje ndërkohë pranohen si të vetëkuptueshme. BE-ja ka nevojë për një projekt dhe një qëllim të ri. Kancelarja gjermane, Angela Merkel me ratin e 50 vjetorit të themelimit të Komunitetit Evropian verën e ardhëshme ka shansin të japë tonin. Ajo si presidente e ardhës së Këshillit të BE-së duhet të kujdeset, që qeveritë në vendet antare të zhvillojnë vullnetin politik për një projekt të ri të përbashkët. Endrrën e vjetër të kushtetutës evropiane, që ka dështuar disa herë, ndoshta mund ta ëndërrojmë sërish pas dhjetë ose pesëmbëdhjetë vjetësh.