BE-së mund t'i duhet të ndërhyjë ushtarakisht në Libi
10 Shkurt 2016DW: Konferenca e Sigurisë në Mynih mbahet në kohë të turbullta. Cila është sipas jush çështja më të rëndësishme, për të cilat do të flasin pjesëmarrësit në kryeqytetin bavarez?
Wolfgang Ischinger: Pafundësia e konflikteve është tema qendrore. Lufta në Siri, e cila është bërë një konflikt rajonal, kriza e refugjatëve, sulmet kibernetike, terrorizmi xhihadist - të gjitha këto sfida i tejkalojnë kufijtë. Dhe ne ende nuk ia kemi dalë ende mbanë për t'u përgjigjur bashkarisht në mënyrë efektive. Disa shtete duket se po kërkojnë zgjidhje kombëtare, por të tilla nuk ekzistojnë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg ka bërë thirrje kohët e fundit për rifillimin e Këshillit NATO-Rusi. Ju e mbështetët propozimin e tij. Rusia nuk është përgjigjur ende. A mendoni se Moska do të bjerë dakord, edhe pse Gjermania gati do t'i dyfishojë shpenzimet e mbrojtjes dhe SHBA-të duan të rrisin qartë shpenzimet e tyre për të mbrojtur Evropën?
Pse Rusia nuk duhet të dojë? Por nuk befason askënd në Moskë që Perëndimi tani është duke investuar përsëri shumë në aftësitë ushtarake. Kjo ka kohë që është e nevojshme.
Kriza e refugjatëve në Evropë jo vetëm që nuk është zgjidhur ende, por shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të jenë thellësisht të përçara për çështjen e refugjatëve. Cila mund të ishte një zgjidhje?
Së pari, Evropa duhet të gjejë më në fund një kompromis për shpërndarjen e refugjatëve. Së dyti, ne na duhet urgjentisht një strategji gjithëpërfshirëse për të ndalur luftën në Siri. Kjo nuk do të jetë e mundur pa arritur një mirëkuptim themelor me Moskën, Rijadin dhe Teheranin, sado e vështirë që të jetë. Këtu BE-ja mund të jetë më aktive në arenën diplomatike. Së treti, kemi nevojë urgjente për më shumë ndihmë për refugjatët direkt në rajon.
"Shteti Islamik" me sa duket ka humbur terren në Siri dhe Irak, por në të njëjtën kohë qe në gjendje të zgjeronte ndikimin e tij në Libi dhe gjetkë. Sa i rrezikshëm është "Shteti Islamik" ende për rajonin, por edhe jashtë?
"IS-i" ka qenë shumë i suksesshëm në mbushjen e vakumit të pushtetit në shumë pjesë të Lindjes së Mesme. Grupi është më i fortë se Al Qaeda ka qenë ndonjëherë, sidomos me rrjetin e tij në Evropë dhe operacionet e tij të forta digjitale për rekrutim dhe propagandë. "IS-i" do të jetë gjatë një problem i madh për Evropën. Në Libi, për shembull, BE-ja mund të mos e shmangë dot ndërhyrjen ushtarake nëse IS vazhdon të përhapet atje. Ky është p.sh. vetëm një nga shumë arsyet pse Evropa ka nevojë për aftësi për të zhvilluar një politikë të besueshme të përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Wolfgang Ischinger është kryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut dhe diplomat gjerman për një kohë të gjatë.