1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE- Shqipëri, Asocijim- Stabilizim

Viron Gjymshana2 Shkurt 2006

Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barrozo dhe komisioneri përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn, do të vizitojnë Tiranën më 18 shkurt. Ata pritet të nënshkruajnë me autoritetet shqiptare marrëveshjen e Asocim Stabilitetit.

Pllakat e zgjerimit të BE-së
Pllakat e zgjerimit të BE-sëFotografi: EU
Pas një periudhe të stërzgjatur bisedimesh dhe pas disa shtyrjeve të njëpasnjëshme duket se më në fund edhe Shqipëria, do të nënshkruajë me Bashkimin Europian marrëveshjen e asocim - stabilitetit.

Lajmi bëhet i njohur nga burime zyrtare të BE-së në Bruksel. Madje këto burime përcaktojnë edhe datën e mundshme të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje : më 18 shkurt gjatë një vizite që presidenti i Komisionit Europian Barrozo dhe komisioneri Rehn do të zhvillojnë në Tiranë.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje edhe Shqipërisë i hapet rruga e fillimit të bisedimeve për të arritur në një status tjetër marrëdhëniesh me BE-në, në atë të vendit kandidat për anëtarësim. Por duket se rruga deri atje do të jetë e gjatë.

Maqedonia përshembull e ka nënshkruar marrëveshjen e asocim - stabilitetit me BE-në që në prill të vitit 2001 dhe vetëm para një muaji, pra më 15 dhjetor asaj iu njoh statusi i vendit kandidat, por pa u përcaktuar ende data se kur do të fillojë procesi i bisedimeve që duhet të përmbyllet me pranimin e Maqedonisë në BE.

Në fakt kohët nuk duken shumë të përshtatshme për një zgjerim të ardhshëm të BE-së me anëtarë të rinj nga vendet e Europës Juglindore. Franca, e mbështetur deri diku edhe nga Danimarka dhe Hollanda, janë shprehur hapur për një periudhë « ngrirjeje » të procesit të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Kryeministri francez Villëpën nënvizoi pak ditë më parë gjatë një konference të organizuar në Salzburg të Austrisë se europianët ndjehen të çoroditur nga zgjerimi i menjëhershëm i BE-së më 2004, kur në Bashkimin Europian u pranuan në të njëjtën kohë 8 vende nga Europa Lindore si dhe Qipro dhe Malta. Prandaj Franca dhe disa vende të tjera kanë këmbëngulur që çdo zgjerim i ri duhet të kryhet vetëm pasi BE-ja të ketë aprovuar kushtetutën e saj të re. Siç dihet në njërin nga nenet e projekt kushtetutës është theksuar se çdo anëtar i BE-së ka të drejtë të organizojë një referendum mbarëkombëtar për të pranuar apo hedhur poshtë anëtarësimin e një vendi të ri.

Por jo të gjitha vendet janë shprehur për një ngadalësim të zgjerimit të BE-së. Kështu psh Britania e Madhe e mbështet me forcë këtë proces, njëlloj si Austria, e cila mban këtë 6 - mujor edhe kryesinë e rradhës të BE-së. « Ballkani përbën një nga përparësitë e presidencës sonë » - deklaroi dje edhe një herë tjetër ministrja e jashtme austriake, Ursula Plashnik. Madje presidenca austriake e BE-së ka paraparë edhe organizimin në muajin mars të një takimi të nivelit të lartë kushtuar ardhmërisë së integrimit të vendeve ballkanike në Bashkimin Europian.

Në krye të rradhës së vendeve që presin të anëtarësohen në BE gjenden tani Rumania dhe Bullgaria, anëtarësimi i të cilave është vendosur tashmë të kryhet gjatë 2 viteve të ardhshëm. Pas tyre renditen Turqia, Kroacia dhe së fundi edhe Maqedonia. Sidoqoftë nënshkrimi i marrëveshjes së asocim stabilitetit përbën për Shqipërinë një etapë të rëndësishme në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.