BE shqyrton pasojat pas votimit në Gjeorgji
29 Maj 2024
Pas miratimit përfundimtar të ligjit për një kontroll më të rreptë të shoqërisë civile në Gjeorgji, Bashkimi Evropian njoftoi se do të shqyrtojë pasojat e mundshme lidhur me kandidaturën e këtij vendi për anëtarësim në BE.
"BE ka theksuar në mënyrë të përsëritur se ligji i miratuar nga parlamenti gjeorgjian shkel parimet dhe vlerat themelore të BE-së," tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe Komisioni i BE-së. Vendimi do të ketë ndikim negativ në rrugën e Gjeorgjisë drejt BE-së.
Pasoja për procesin e anëtarësimit
Konkretisht në deklaratën e saj BE-ja kritikon faktin se ligji i ri shkakton pengesa për të paktën tri nga nëntë fusha që janë të rëndësishme për procesin e anëtarësimit në BE. Këto janë lufta kundër polarizimit të shoqërisë dhe dezinformimit, si dhe përparimi në të drejtat themelore dhe përfshirja e organizatave të shoqërisë civile.
Në lidhje me protestat kundër ligjit në Gjeorgji, Borrell dhe Komisioni i BE-së deklaruan: "Ne vazhdojmë të qëndrojmë me popullin gjeorgjian dhe e pranojmë vendimin e shumicës dërrmuese për një të ardhme evropiane të vendit.
"Statusi i kandidatit tani duket se është në rrezik akut, tha deputetja e opozitës Jago Chvitshija. "Detyra e opozitës, përfshirë ne, është ta kthejmë Gjeorgjinë në rrugën e integrimit evropian në të ardhmen," tha ajo.
Gjeorgjia temë në samitin e ardhshëm të BE-së
Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, njoftoi se do ta vendosë këtë çështje në agjendën e samitit të ardhshëm të BE-së, që është planifikuar për në fund të qershorit, pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian. Michel kujtoi se Gjeorgjisë iu dha statusi i kandidatit pasi kishte përmbushur mjaft hapa të nevojshme dhe kishte kryer disa reforma demokratike.
Edhe Këshilli i Evropës e kritikoi vendimin e parlamentit gjeorgjian. Sekretarja e përgjithshme e këtij institucioni, Marija Pejcinoviç Buriç, tha se ligji ishte i papajtueshëm me standardet evropiane. Tbilisi "humbi mundësinë e fundit për të mos e miratuar ligjin dhe për të hyrë në dialog”. Qeveria gjeorgjiane po shpërfill rekomandimet kryesore të ekspertëve të së drejtës kushtetuese në të ashtuquajturin Komisioni i Venecias të Këshillit të Evropës, tha ajo.