BE: Shtohet tregtia me njerëz
17 Prill 2013
Evropa nuk po ecën përpara në luftën kundër trafikimit të njerëzve. Numri i viktimave të prostitucionit të detyrueshëm është rritur vitet e fundit. Këtë e vërteton një studim i cili u prezantua të hënën (15.04.) nga Komisioni i BE-së në Bruksel. "Më shumë se 23.600 vetë kanë qenë në intervalin kohor 2008 deri 2010 viktima të identifikuara ose të dyshuara të tregtisë me njerëz në BE", deklaroi Komisionerja e BE-së për Sigurinë, Cecilia Malmström. Pjesa më e madhe e të prekurve, rreth 60 për qind, vijnë nga vende të BE-së, kryesisht nga Rumania dhe Bullgaria, pasuar nga Afrika dhe Amerika e Jugut.
Por edhe vetë Malmström pranon: "Ne shohim vetëm majën e ajsberbut": Juristja Marian Benbow, e cila merret me temën e tregtisë me njerëz në Organizatën Ndërkombëtare për Migrimin, formulon me fjalë edhe më të ashpra: "Një krahasim i situatës së viktimave të tregtisë me njerëz, në vende të ndryshme të BE-së, është i pamundur për shkak të mungesës së të dhënave." Tregtia me njerëz është një krim që zbulohet nga kontrollet. "Kjo do të thotë që vetëm atje ku kryhen vërtet kontrolle, identifikohen të prekurit", shpjegon Benbow në bisedë me DW.
Sipas studimit të BE-së numri i viktimave është rritur, ndërkohë që numri i dënimeve të kontrabandistëve të qenieve njerëzore ka rënë. Pikërisht këtë donte të pengonte një direktivë e BE-së për luftimin e tregtisë me njerëz, e miratuar dy vjet më parë. Por direktiva është zbatuar deri tani vetëm nga Çekia, Letonia, Finlanda, Hungaria, Polonia dhe Suedia. Ajo parashikon një përkufizim mbarevropian të veprës penale, një ndjekje më të rreptë të keqbërësve dhe mbrojtje më të mirë për viktimat. Afati për futjen e direktivës në legjislacionet kombëtare ka mbaruar në 5 prill 2013. Gjermania nuk i është përmbajtur afatit dhe tani Komisioni i BE-së kërcënon me sanksione.
Kritikë ndaj autoriteteve gjermane
Në Gjermani ende polemizohet për zbatimin e direktivës. Sipas të dhënave zyrtare projektligji i Ministrisë së Drejtësisë parasheh një zbatim pikë për pikë të direktivës. Por pikërisht këtë nuk e beson zëdhënësi i grupit parlamentar të konservatorëve (CDU/CSU) për politikën e brendshme, Hans Peter Uhl: "Ministria e Drejtësisë planifikon vetëm aplikimin e masave për disa vepra penale ekzistuese edhe mbi rastet e tregtisë me njerëz." Për deputetin kjo nuk është e mjaftueshme pasi nuk parashikohet ashpërsimi i nevojshem i së drejtës penale, në rast tregtie me njerëz me qëllim shfrytëzimin seksual.
Edhe organizata për të drejtat e njeriut si UNICEF kritikojnë mungesën e ashpërsisë tek masat penale: "Kur dikush sjell në Gjermani një të mitur dhe e detyron të prostituohet, atëherë janë përmbushur kriteret e veprës penale të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual, por jo ato të tregtisë me njerëz. Por sipas ligjit gjerman tregtia me njerëz dënohet më ashpër", thotë Rudi Tarneden, zëdhënës i UNICEF në Gjermani.
Situatë e vështirë në mbledhjen e të dhënave
Philipp Schwertmann nga "Aleanca gjermane kundër tregtisë me njerëz" dyshon se puna e detyruar është një fenomen më i përhapur se prostitucioni i detyruar. Rastet e shfrytëzimit të punës megjithatë shpesh tërheqin më pak vëmendjen. Në studimin e Komisionit të BE-së thuhet se dy nga tre viktima të trafikantëve të qenieve njerëzore detyrohen të ushtrojnë prostitucion dhe rreth një e katërta shfrytëzohen si fuqi punëtore. Schwertmann dyshon se ekziston një raport të anasjelltë dhe mbështetet në shifrat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO).
"Askush nuk ndihet përgjegjës"
Rudolf Gafner, zëdhënës për shtyp i degës zviceriane të organizatës humanitare Terres des Homme, thekson rëndësinë e trajtimit të fateve individuale. Problemi i tregtisë me njerëz është shumë kompleks. Çdo vit zhduken mijëra fëmijë migrantësh pa shoqërues nga qendrat e azilimit apo strehat për të rinjtë dhe askush nuk kujdeset për t'i kërkuar. "Vetëm në Francë llogaritet se janë 5000 fëmijë që zhduken pa lënë gjurmë. Është e qartë se fëmijë të tillë bien edhe viktima të kontrabandistëve të qenieve njerëzore", thotë Gafner në bisedë me DW. Sipas tij për t'u marrë me problemin e tregtisë me njerëz duhen bërë hulumtime dhe duhet diferencuar qartë, por deri tani askush nuk ndjehet përgjegjës.
Autor: Günther Birkenstock/ Eliana Xhani
Redaktoi: Auron Dodi