BE shton presionin ndaj Hungarisë
18 Prill 2013Qeveria hungareze ka vite që është në mosmarrëveshje me institucionet e Brukselit. Komisioni Evropian ka shprehur në mënyrë të përsëritur shqetësimin e tij në lidhje me ndryshimet kushtetuese që partia hungareze FIDESZ arriti t'i kalojë në parlament me dy të tretat e votave të saj dhe që tani dëshiron t'i zbatojë edhe në praktikë. Planet e fundit të diskutueshme kufizojnë pavarësinë e gjyqësorit, i caktojnë mediave rregullat për reklamat gjatë fushatës elektorale dhe parashohin që qytetarët hungarezë të marrin pjesë në gjobat e BE-së kundër shtetit.
Reding: Hungaria mund të humbasë të drejtat e votimit
Komisionerja e BE-së për drejtësinë, Viviane Reding ka siguruar të mërkurën (17.04.) Parlamentin Evropian se "ne do të vazhdojmë të këmbëngulim që legjislacioni hungarez të jetë në përputhje me ligjin e BE-së dhe që të respektohet ligji."Komisioni do të shqyrtojë situatën me kujdes dhe në mënyrë objektive dhe pastaj do të vendosë nëse mund të jetë e nevojshme një procedurë për shkelje të marrëveshjes. Komisionerja nuk e përjashtoi mundësinë që si një mjet i fundit të aplikohet edhe neni 7 i Traktatit të BE-së. Me "shkeljet e vazhdueshme të të Drejtave Themelore të BE-së" Hungaria mund të humbasë të drejtat e saj të votimit në Këshillin e Ministrave, që praktikisht është e barabartë me një përjashtim. Por përdorimi i kësaj "bombe atomike", siç u quajt aplikimi i nenit 7 nga Reding do të shqyrtohet me kujdes të madh.