BE synon nxitjen e sektorit privat
19 Qershor 2006
"Ka ardhur koha që ekonomia e vendeve të Europës Juglindore të kapërcejë stadin e rindërtimit të pas luftërave dhe të kalojë në atë të zhvillimit të plotë të aftësive të saj prodhuese" - kështu u shpreh komisioneri i Bashkimit Europian, përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn, gjatë një konference të organizuar në selinë e Komisionit Europian në Bruksel nga Agjencia e Fondit Europian për vendet e Europës Juglindore. Me këtë rast zyrtari i lartë i BE-së bëri të ditur se Komisioni Europian do t'i japë 60 milionë euro shtesë këtij organizmi.
Duhet thënë se Agjencia e Fondit Europian në ndihmë të vendeve të Europës Juglindore me seli në Luksemburg është ngritur enkas për të mbështetur zhvillimin e sektorit privat në vendet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet dhënies së kredive bankave lokale dhe organizmave mikrofinanciare në këtë rajon. Eshte fjala për një Agjenci që bashkërendon ndihmat dhe huatë që vende të ndryshme, institucione financiare kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe Komisioni Europian u ofrojnë shteteve ballkanike. Deri më tani kjo Agjenci ka në dispozicion 200 milionë euro dhe shpreson që brenda 5 vjetëve të ardhshëm të grupmbullojë nga investitorë të huaj kredi dhe hua me një vlerë të përgjithshme prej 500 milionë eurosh.
Ky takim si dhe të tjerë që priten të organizohen janë pjesë e një strategjie të qartë të Bashkimit Europian në ndihmë të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Strategji që u shpalos qartë edhe gjatë samitit të fund-javës së kaluartë kryetarëve të shteteve dhe qevcerive të 25 vendeve anëtare të BE-së. Sipas saj deri në anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit, Bashkimi Europian në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare duhet të nxisë zhvillimin ekonomik të këtyre shteteve. Presidenti francez Zhak Shirak u shpreh qartë të premten e kaluar se, përveç kritereve politike, të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit etj. vendet ballkanike që duan të anëtarësohen në BE - duhet të kenë edhe një nivel të caktuar zhvillimi ekonomik.
Prania në takimin e Fondit Europian për vendet e Europës Juglindore edhe e drejtorit të përgjithshëm të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillimi Zhan Lëmierr, si dhe i shumë drejtorëve të bankave europiane dhe ministrave nga rajoni ballkanik - dëshmon se kjo strategji ka filluar të vihet në jetë.
Duke përgëzuar këtë nismë si dhe rolin e këtij Fondi në zhvillimin e ekonomisë në vendet ballkanike, Olli Rehn nënvizoi se. "zhvillimi i sektorit privat është baza e krijimit të ekonomisë së tregut, e cila nga ana e saj përbën një konditë kryesore për tu plotësuar nga vendet e ardhshme anëtare".
Nga ana e tij Joachim Rucker zv.përfaqësues i UNMIK-ut në Kosovë vuri në dukje se pas përcaktimit të deri në fund të këtij viti të statusit të Kosovës, problemet e zhvillimit ekonomik të saj do të dalin në plan të parë. Sipas tij është e nevojshme që ndihma e institucioneve ndërkombëtare si dhe e Bashkimit Europian të ecë krah për krah me politikën e privatizimit të ekonomisë lokale në Kosovë.