Sanksione të reja kundër Sirisë
26 Qershor 2012Për herë të 16-të që nga shtypja e kryengritjes në Siri, BE-ja vendosi të hënën (25.06.2012) sanksione kundër qeverisë siriane. Në takimin e ministrave të Jashtëm u vendos që institucione të tëra qeveritare dhe shtetërore në Siri, duke përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të përfshihen në një listë të zezë. Megjithatë, rezoluta e re e BE-së për sanksionet duket e pafuqishme. Kush e ka emrin në listën e zezë tö BE-së, e cila tashmë është bërë mjaft e gjatë, nuk ka të drejtë të udhëtojë për në BE, atyre mund t'u ngrihen asetet dhe t'u vihen barriera tregtare. Megjithatë, rezoluta e re e BE-së për sanksionet duket e pafuqishme, sepse të gjitha masat deri tani nuk kanë pasur ndonjë ndikim në pakësimin e dhunës. Ndërkohë që evropianët janë kundër një ndërhyrjeje ushtarake, prej goditjes së një avioni luftarak turk prej Sirisë situata është bërë edhe më e komplikuar.
Turqia nuk duhet të provokohet
Ministrat e Jashtëm e dënuan në Luksemburg ashpër incidentin me avionin. Edhe pse rrethanat e sakta të kësaj ngjarjeje mund të "interpretohen në mënyrë të ndryshme", tha francezi Laurent Fabius duke aluduar me deklaratën rreth shkeljes së hapësirës ajrore të Sirisë, qëllimi i avionit është "i papranueshëm". Homologu i tij nga Luksemburgu Jean Asselborn tha: "Kjo është e mundur vetëm në një diktaturë." Ministri gjerman Guido Westerwelle tha se e shtëna qe "tërësisht disproporcionale" por i bëri thirrje Turqisë që të tregohet e kujdesshme, sepse të gjithë janë të interesuar që situata të mos vazhdojë të përkeqësohet më tej."
Shpresa se Moska do të ndryshojë qëndrim
Edhe pse NATO mblidhet të martën (26.06.2012) me kërkesë të Turqisë në një takim urgjent nga deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen, mund të konkludojmë që tani se NATO nuk e konsideron këtë rast si rast për mbrojtjen e aleancës. Edhe disa prej ministrave të Jashtëm të BE u shprehën në këtë mënyrë si p.sh. holandezi Uri Rosenthal, vendi i të cilit është gjithashtu një anëtar i NATO-s. "Ne nuk jemi për ndërhyrje Ne vazhdojmë të mbështesim planin e Ananit dhe vazhdojmë të jemi për një tranzicion politik në Siri." Homologu i tij austriak Michael Spindelegger shpreson se Rusia, e cila ka mbështetur deri tani regjimin sirian dhe penguar kështu shumë përpjekje diplomatike për t'i dhënë fund shtypjes, do të ndryshojë qëndrim. Qëllimin e avionit turk Spindelegger e shikon si një nga disa ngjarje që tregojnë se "çfarë mund të ndodhë në rast se kësaj çështjeje nuk i jepet fund". "Unë shpresoj shumë se edhe Rusia është e gatshme për bisedime" - tha ministri i Jashtëm austriak Michael Spindelegger.