Bejrut: Dhjetëra të vrarë dhe mijëra të plagosur
5 Gusht 2020Pas shpërthimit të tmerrshëm në Bejrut me shumë viktima, Franca ka dërguar të mërkurën dy avionë luftarakë me ndihma, ku ndodhen 55 pjesëtarë të mbrojtjes civile dhe tonelata me me ndihma për trajtimin e të plagosurve. Po ashtu priten të nisen edhe mjaft mjekë të emergjencës. Presidenti Macron ka premtuar ndihma. Libani ka qenë më parë pjesë mandatit francez në Lindjen e Afërt dhe dy vendet janë ende shumë të lidhura.
Ndërkohë sipas të dhënave të fundit flitet për 100 të vdekur dhe 4.000 të plagosur, por pritet që numri i viktimave nga shpërthimi të rritet. Sipas Ministrisë së Jashtme në Berlin të plagosur ka pasur edhe nga radhët e punonjësve të ambasadës gjermane në Bejrut dhe ndërtesa në të cilën ndodhet ambasada gjermane është dëmtuar.
Shpërthimet ndodhën në zonën e portit dhe shkaktuan ndërprerjen e energjisë në shumë zona të qytetit. Media lokale botuan fotografi të viktimave dhe njerëzve që kanë ngecur nën rrënoja. Ushtria libaneze ndihmoi për transportimin e të plagosurve në spitale. Nga qytetarët u kërkua të dhurojnë gjak.
Gazetari i DW, Razan Salman, njoftoi me telefon nga Bejruti se spitalet tani janë plotësisht të mbingarkuara dhe se në rrugët pranë spitaleve ka pasur skena katastrofike. Po ashtu gazetarët njoftojnë se në portin e Bejrutit kishte marrë flakë një anije.
Shkaku i shpërthimeve është ende i paqartë. Sipas autoriteteve të sigurisë shpërthimet e fuqishme në Bejrut mund të jenë shkaktuar nga lëndë eksplozive të vjetra që ruheshin në një depo në port. Shefi i sigurisë, Abbas Ibrahim, tha se në një nga depot e portit qenë depozituar "lëndë tepër eksplozive që ishin konfiskuar disa vite më parë" dhe me sa duket ato kanë shpërthyer. Fjala është për rreth 2750 ton nitrat amoni. Ai tha po ashtu se është ndërprerë edhe kontakti me zjarrfikësit që u nisën për në vendin e ngjarjes për të shuar zjarret që kishin shpërthyer.
Kryeministri, Hasan Diab, njoftoi se personat përgjegjës për fatkeqësinë do të "nxirrenë përpara përgjegjësisë" dhe "të paguajnë çmimin". Në një fjalim televiziv ai kërkoi gjithashtu ndihmë nga të gjitha vendet aleate.
Krizë e thellë ekonomike dhe mosmarrëveshje politike
Libani po përjeton aktualisht krizën e tij më të thellë ekonomike që nga lufta civile që përfundoi në vitin 1990. Ministri i Jashtëm Nassif Hitti njoftoi të hënën dorëheqjen në shenjë proteste kundër mungesës së vullnetit të kolegëve të tij për reforma. Nëse qeveria nuk zbaton reformat e kërkuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Libani kërcënon të bëhet një "shtet i dështuar", paralajmëroi Hitti. Libani po negocion prej dy muajsh me FMN për fonde urgjentisht të nevojshme. Pasojat e pandemisë së Coronës e kanë përkeqësuar krizën.
Shpërthimet në Bejrut ndodhën gjithashtu vetëm disa ditë para se një gjykatë speciale në Hagë të shpallë të premten vendimin për atentatin vdekjeprurës ndaj ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri. Për atentatin ndaj politikanit sunit, gjatë të cilit u vranë edhe 21 vetë të tjerë, janë akuzuar katër anëtarë të milicisë shiite Hezbollah. Gjyqi zhvillohet në mungesë të të akuzuarve.
(e akt.)