Berisha: Gjatë vitit 2008 do të realizohen projektet e mëdha të këtij shekulli
31 Dhjetor 2007Kryeministri Sali Berisha gjatë një mesazhi që ka bërë gjatë ditës së hënë e përshkroi vitin 2007, si një vit ku "shqiptarët u ndjenë më të lirë, më të sigurt, më të begatë dhe më të respektuar se asnjëherë më parë. Ky ishte viti në të cilin ato u shpërblyen me rroga dhe pensione më të larta se ndonjëherë, viti në të cilin ekonomia shqiptare u rrit ndjeshëm, papunësia u ul në nivelet më të ulëta se më parë, viti në të cilin shpenzimet në infrastrukturë u rritën tre herë, Shqipërinë e vizituan miliona turistë nga mbarë bota".
Sipas kryeministrit objektivat madhore kombëtare si pavarësia e Kosovës, integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE janë më afër se kurrë. Ai vecoi nga 2007 vizitën e presidentit amerikan Xhorxh Bush, i cili sipas Berishës „ nga Tirana garantoi pavarësinë e Kosovës".
Vitin 2008 Sali Berisha e përshkroi si një vit me „më shumë shpresë të re, më shumë kurajo, vizion, besim, dashuri, mirëqenie, punësim dhe mbi të gjitha realizimin e projekteve tona të mëdha të këtij shekulli: Kosovën e Pavarur, ftesën për integrimin e Shqipërisë në NATO", theksoi mes te tjerave në mesazhin që Kryeministri bëri ditën e hënë me rastin e festës së ndërrimit të viteve.