Berlin: Hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët nën një çati
28 Maj 2021Vendosja e gurit themeltar është po aq festive sa edhe një ngjarje zyrtare e nivelit të lartë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një ndërtesë që ka të bëjë me besimin. Në të ka rituale, lutje e fjalime, edhe politikanët thonë fjalën e tyre. Në vendosjen e gurit të themelit të„House of One, një ndërtesë e përbashkët reprezentative për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët në Berlin, kuadri muzikor e bën të qartë rëndësinë e këtij eventi të pazakontë dhe unikal. Një grup i vogël i korit të katedrales së Berlinit këndon fillimisht në arabisht „Odën e gëzimit" të Beethoven-it, më pas kjo vepër këndohet edhe në versionin gjermanisht. Pak minuta më pas këndohet në hebraisht "Schalom Alechem", "Paqe me Ju".
Pritshmëritë e politikës
Që prej më shumë se dhjetë vjetësh punohet për këtë projekt nga përfaqësues të tre religjoneve monoteiste. Qëllimi është që në zemër të Berlinit të vendosen nën një çati një sinagogë, një kishë dhe një xhami si dhe mjedise, që do të shërbejnë si pikëtakimi për shkëmbime dhe aktivitete të përbashkëta mes pjesëtarëve të të tri besimeve. Ky projekt është krejt i veçantë jo vetëm në kryeqytetin gjerman, që i kushton rëndësi karakterit të vet sekularist. Kryebashkiaku që qeveris landin e Berlinit, Michael Müller e quan këtë një „projekt të jashtëzakonshëm" dhe një „shtëpi unikale", me të cilën përfaqësuesit e religjoneve në Berlin „po krijojnë modelin e një bashkëjetese paqësore në botë".
Edhe presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble, i cili në kohën kur ka qenë ministër i Punëve të Brendëshme vjeshtën e vitit 2006 konsolidoi Konferencën Gjermane për Islamin dhe me këtë çoi përpara debatin shoqëror mbi këtë temë. Schäuble e quan këtë një „vend i tolerancës dhe i të qenit i hapur", një „projekt i jashtëzakonshëm dhe një ide teologjike mjaft ambicioze". Ai theksoi, se për të ka rëndësi të veçantë fakti, që „qysh në krye të herës" përfaqësuesit e tre religjoneve në Berlin e kanë planifikuar dhe konceptuar bashkarisht këtë projekt.
Donacione nga e gjithë bota
Fillimet e këtij projekti datojnë rreth dymbëdhjetë vjet më parë, kur prifti evangjelist Gregor Hohberg filloi të promovojë në bashkësinë e kishës evangjeliste të Pjetrit për projektin. Që prej dhjetë vjetësh është krijuar një shoqatë dhe janë zhvilluar strukturat e nevojshme. Që prej pesë vjetësh është përcaktuar arkitektura e ndërtesës 46 metra s lartë me gurë masiv. Eshtë sqaruar edhe mënyra e financimit. Qeveria gjermane mbështet projektin me 20 milionë euro, landi i Berlinit me 10 milionë. Mungojnë aktualisht edhe shtatë milionë euro. Por iniciatorët janë plot besim, që me fillimin e ndërtimit do të rritet edhe gatishmëria për investim e personave privatë. Premtime për mbështetje financiare ndërkohë ka jo vetëm nga Gjermania por edhe nga 60 vende të tjera. Kush ka dëshirë jep donacione duke nisur nga shuma simbolike e fare modeste, por edhe shuma të konsiderueshme.
Projekti, i vetmi në botë në këtë formë, është vendosur në zemër të qytetit. Aty ku prej vitesh kalon rruga "Leipziger Straße" me gjashtë korsi ndërmjet sheshit Alexanderplatz dhe sheshit të Potsdamit. Sepse dikur aty ndodhej qendra e Berlinit të vjetër, ku për më shumë se 700 vjet qëndroi aty kisha e Pjetrit, e rëndësishme për historinë e Berlinit të hershëm.
Mbi mbetjet arkeologjike të kësaj kishe do të ngrihet brenda pesë vitesh një vendbanim i përbashkët për të krishterët, hebrejtë dhe myslimanët me një kishë, sinagogë dhe xhami. Tri hapësira rreth një salle qendrore takimesh
Në fakt ceremonia e vendosjes së gurit të themelit e planifikuar me shumë pjesëmarrë për vitin 2020 u anulua për shkak të pandemisë. Ndërsa sivjet ajo u organizua në një kuadër të larmishëm, por fizikisht numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar. Pati përshëndetje nga projektet partnere në Tbilisi të Gjeorgjisë, në Bangui të Afrikës Qendrore, Haifa në Izrael dhe qyteti verior i Gjermanisë, Wilhelmshaven. Në të gjitha këto qytete janë planifikuar projekte të ngjashme. Ndërkohë nëntë vende mbajnë kontakte me „House of One" përmes të ashtuquajturve „ambasadorë të projektit". Kryetari i kuratoriumit të projektit, Roland Stolte nënvizoi, se „ideja është më e madhe se ndërtesa".
Iluminim në vend të urrejtjes
Aq më shumë fiton rëndësi afrimi mes religjioneve në kohët e urrejtjes dhe agresionit. „Eshtë i nevojshëm më shumë iluminim", thekson presidenti i Bundestagut Schäuble duke paralajmëruar nga rreziku i fanatizmit dhe dhunës. Trazirat e ditëve të fundit me motive antisemitizmin në Gjermani tregojnë, se ku mund të çojë abuzimi i politikës me fenë. Tre protagonistët shpirtëror të këtij eventi rabini Nachama, prifti Hohberg dhe imami Kadir Sanci, ishin të pranishëm. Lutja digjitale e mëngjesit erdhi nga xhamia e Berlinit, lutja e mesditës nga një kishë dhe në mbrëmje pasoi lutja nga një sinagogë. Pas pak vitesh kur të jetë inaguruar „House of One" këto lutje do të zhvillohen nën një çati nga porta në portë.