1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlin: "Muret bien, kur njerëzit nuk mund t'i durojnë ato“

9 Nëntor 2024

9 nëntor 1989: Muri që ndau Berlinin për tri dekada u shëmb 35 vjet më parë. Po si u ngrit ai dhe çka mbetur sot në Berlin prej tij?

Rënia e Murit të Berlinit: Njerëz nga Berlini Lindor dhe Perëndimor janë ngjitur mbi Murin pranë Portës së Brandenburgut në Berlin, Gjermani. Kjo ngjarje historike shënonte fundin e ndarjes mes Lindjes dhe Perëndimit në Evropë.
Rënia e Murit të Berlinit më 9 Nëntor 1989Fotografi: Norbert Michalke/imageBROKER/picture alliance

Historia e Murit të Berlinit zë fill në gusht të vitit 1961, në kryeqytetin rus, Moskë. Aty u takuan udhëheqësit e atëhershëm të partive komuniste të Bllokut Lindor. Ata vendosën mbylljen e kufirit mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore. Më 12 gusht 1961, Valter Ulbriht, kryetar i shtetit i RDGJ, nënshkroi urdhërat për mbylljen e kufirit. Më 13 gusht, ushtria, policia dhe trupat luftarake nisën të ndërtojnë Murin e Berlinit.

Muri vazhdoi të zgjatet duke u ndërtuar edhe në segmente të tjera. Në fotografi punimet nga ndërtimi i zgjatjes së murit në rrugën Zimmerstrasse në vitin 1964Fotografi: picture-alliance/dpa/akg-images

1961: në gjashtë muajt e parë të vitit largohen nga RDGJ mbi 150 mijë vetë

Më 13 gusht të vitit 1961 Berlini Lindor filloi bllokimin e RDGJ nga Perëndimi. Ngritja e Murit të Berlinit ishte pjesë e kësaj mase. Bashkimi Sovjetik dhe Republika Demokratike Gjermane - RDGJ nuk dinin si të vepronin ndryshe për të penguar valën e refugjatëve nga Gjermania Lindore për në Perëndim. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 1961 u larguan nga RDGJ mbi 150 mijë njerëz. Në vitet e mëparshme ishin larguar mbi tre milionë. Shpesh ishin të rinj me kualifikime të larta ata, të cilët i kthenin shpinën socializmit në tokën gjermane. Rruga Bernauer në Berlinin Qëndror ishte një nga zonat më të përfolura të ndarjes gjermane. Në ditët e ndërtimit të murit këtu njerëzit u hodhën nga shtëpitë e tyre në lindje për në pjesën perëndimore të qytetit. Sepse trotuari ishte pjesë e anës së lirë të Berlinit.

Kulla e vrojtimi në lumin Spree në Berlinin e ndarë më 1963Fotografi: picture-alliance/akg-images/G. Schütz

Për presidentin Kenedi ngritja e bllokadës nuk përbënte shkak për luftë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan me gjakftohtësi. Për presidentin Xhon F. Kenedi ngritja e bllokadës nuk përbënte shkak për luftë. Tre themelet e politikës së tij ndaj Gjermanisë mbetën të paprekura nga ngritja e Murit: qarkullimi i lirë në Berlin, prania e fuqive perëndimore në qytet si dhe liria e popullit në Berlinin Perëndimor.

Checkpoint Charlie 27.10.1961Fotografi: picture-alliance/AP

Për të demonstruar prani, Kenedi dërgoi në qytetin e ndarë gjeneralin Lukjus Klei (Lucius Clay), heroin e urës ajrore të Berlinit në vitet 1948/49 dhe nënpresidentin Lindon B. Xhohnson. Ai vetë e vizitoi për herë të parë në vitin 1963 Republikën Federale të Gjermanisë. Para ndërtesës së bashkisë Shëneberg (Schöneberg) ai mbajti më 26 qershor para qindra-mijëra njerëzve një fjalim lidhur me Murin dhe lirinë. Në këtë vend ai i shqiptoi fjalët që u futën në histori: "Unë jam një berlinez".

Karizma e presidentit Kennedy i pajtoi berlinezët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur Berlini Lindor filloi ndërtimin e Murit ndarës shumë kishin pritur një angazhim më të madh të SHBA. Megjithatë administrata e Kenedit si dhe politikanët gjermanë reaguan me maturi. Ata e dinin: bota ndodhej në prag të një lufte atomike.

"Checkpoint Charlie": tanke amerikane përballë tankeve sovjetike

Kjo u bë e qartë në tetor të vitit 1961. Atëherë bashkëpunëtorët e administratës amerikane u penguan të hynin në sektorin lindor. Në pikëkalimin kufitar "Checkpoint Charlie" shkuan në mënyrë demonstrative tanke amerikane. Përballë tyre ndodheshin tanket sovjetike. Në fund të dyja palët i tërhoqën ushtarët e tyre. Megjithatë, amerikanët ia bënë të qartë botës se do t'i mbrojnë të drejtat e tyre në qytet.

Shiritat që tregojnë sot nga kalonte Muri i Berlinit, pamje nga rruga "Gartenstrasse"Fotografi: Lisa Ducret/dpa/picture alliance

„Muret bien, kur njerëzit nuk mund t' i durojnë ato"

Shumica e turistëve çuditen që prej murit ka mbetur kaq pak dhe kërkojnë gjurmë dhe pjesë të mbetura në qytet. Sot ka fare pak pjesë të mbetura nga muri i Berlinit. Kur më 1989 Muri i Berlinit u hap dhe pak më vonë u rrëzua, pasoi një periudhë e distancimit ndaj këtij kapitulli të dhimbshëm të historisë gjermane të pasluftës. Asgjë nuk duhet ta turbullonte gëzimin për ribashkimin e sapofituar. Ky është një shkak se pse në Berlin kanë mbetur në kaq pak vende pjesë të Murit të Berlinit. Në shumë pjesë të qytetit, vendin ku ka kaluar Muri ta tregon vetëm një vijë e shënuar në tokë. Ndarja gjermano- gjermane zgjati 28 vjet. Sipas të dhënave të Qendrës për Studimet Historike në Potsdam, nga viti 1961 deri në vitin 1989, u vranë në Murin e Berlinit 136 vetë.

35 vjet nga Rënia e Murit të Berlinit - Ekspozitë para Reichstag-utFotografi: Christoph Soeder/dpa/picture alliance

Në rrugën Bernauer ndodhet sot monumenti kombëtar për viktimat e ndërtimit të murit. Gjithmonë më 9 Nëntor në rrugën Bernauer bien trompetat. Ky është një ritual simbolik, pjesë e iniciativës së aktivistëve të të drejtave të njeriut ish-qytetarë të RDGJ-së, Republika Demokratike e Gjermanisë. Çdo vit buçasin tingujt e trompetave një mesazh i lashtë biblik: muret bien, kur njerëzit nuk mund t'i durojnë ato.