1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlinale 2018: Prezantimi i shqiptarëve

27 Shkurt 2018

Kinematografia shqiptare dhe kosovare ka përjetuar ditët më të bukura në Berlinale. Kësaj here asnjë nga filmat e tyre nuk arritën të depërtonin në gara, por nuk munguan emrat shqiptarë, madje edhe tek çmimet.

Deutschland Berlinale 2018 in Berlin
Fotografi: DW/A. Parvez

"Krenare, edhe pse pak e lodhur", ndjehej Sarah Veltmeyer pasi mori Ariun e Kristaltë në kategorinë e filmit me metrazh të shkurtër në kuadër të garës së Berlinales për të rinj Generation14plus. "Jam e lumtur, por ende nuk po më besohet!", tha ajo për DW. „Kiem Holijanda", filmi i saj i xhiruar në Kosovë me aktorë shqiptarë, ishte filmi i dytë i regjisores holandeze të lindur në vitin 1988, por i pari me buxhet. Por ajo që të çudit paksa është që juria rinore u impresionua nga një ngjarje e së përditshmes kosovare, kur tek kineastët shqiptarë ekziston përshtypja se rajoni i Ballkanit nuk është edhe aq atraktiv për kinematografinë.

Personazhe autentikë nga një zonë e harruar

Krenar duhet të ndihen për këtë çmim edhe katër aktorët: dy vëllezërit Andi dhe Florist Bajgora, Arbnesha Grabovci-Nixha dhe Shpëtim Kastrati, sepse juria vërtet që e vlerëson filmin „për mënyrën e rafinuar të shprehjes së emocionit", por shprehet mirënjohëse që ai „na njeh me jetën e dy personazheve autentikë nga një rajon i lënë në harresë".

Për karakterin autentik të filmit e kanë meritën aktorët vetë, të cilët kanë marrë pjesë aktive në përshtatjen e skenarit me realitetin e Kosovës. "Me këtë film ishte një përvojë shumë e veçantë," thotë Andi Bajgora. "Ne kemi punuar shumë si aktorë dhe e kemi përshtatur skenarin me karakteret tona, gjë që e ka shtyrë Sarahn që ta bëjë filmin me emrat tanë. Është njëri prej filmave më të interesantë dhe më të mirë që kam bërë", thotë 15-vjeçari, i cili para tapetit të kuq të Berlinale-s kishte shkelur edhe atë të Oskarit, si një ndër dy aktorët kryesorë në filmin "Shok".

Visar Morina merr „Lolën e Artë"

Visar MorinaFotografi: Imago/CTK Photo

Një tjetër çmim, me të cilën ka arsye të krenohet pak Kosova, është Lola e Artë, të cilin këtë vit e mori një bir i saj, Visar Morina. Çmimi Gjerman për Skenarë, ose ndryshe „Lola e Artë" jepet në fillim të Berlinales për skenarin më të mirë të paxhiruar ende.

„Exil" flet për një imigrant që punon në një firmë farmaceutike dhe vë në fokus përplasjet kulturore në të përditshmen e punës. Morina, i cili vetë ka ardhur si refugjat në Gjermani gjatë kohës së luftës së Kosovës, e ka përjetuar vetë një pjesë të kësaj përplasjeje kulturore, edhe pse tani, 39-vjeçari, nuk mendon shumë për prejardhjen e tij si refugjat.

Në filmin e tij të parë me metrazh të gjatë „Babai" (2015), fitues i tre çmimeve në festivalin e Mynihut, Morina kishte si bashkëprodhues edhe Qendrën Kinematografike të Kosovës, meqë xhirimet ishin bërë atje. Kësaj here filmi do të xhirohet në Gjermani dhe me aktorë gjermanë. Por Morina nuk ka hequr dorë nga vendlindja që e la në moshën 15-vjeçare, dhe me shumë dëshirë do të shkojë të xhirojë aty një film tjetër. "Kosova është vend shumë interesant. Në çdo kënd të rrugës mund të instalosh një kamerë dhe të gjesh diçka. Është një vend i vogël me ndikime shumë të mëdha: nga orienti, me një kapitalizëm jashtë mase të ashpër, me një varfri ose pasuri shumë të madhe. Fellini do të ishte kënaqur në Kosovë”, thotë Morina në intervistë për DW.

Kohë të vështira për kinematografinë

Ilir Butka: Presim më shumë financim

01:32

This browser does not support the video element.

Sado i përshtatshëm që është terreni si në Kosovë dhe në Shqipëri për të prodhuar ngjarje të forta kinematografike, asnjë prej prodhimeve nga Kosova ose Shqipëria nuk arriti këtë vit të depërtonte në garat e Berlinales.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Shqipërisë, Ilir Butka, e shpjegon me faktin që rajoni i Ballkanit ka dalë paksa nga vëmendja e festivaleve të mëdha. "Duhet ta pranojmë që festivalet e mëdha gjithmonë e më shumë bëhen politike domethënë kanë një vizion më të fokusuar drejt politikës. Do të ishte shumë e lehtë të depërtohej në festivale të tilla si Berlini, për shembull, po të ishe sirian ose iraken, ose iranian në këtë periudhë”, thotë Butka për DW.

Tani që vëmendja politike nuk është më e drejtuar nga Ballkani, nevojiten më shumë fonde nga shtetet: "Ne kemi një financim realisht shumë të vogël, domethënë financimi që ne disponojmë aktualisht si në Kosovë edhe në Shqipëri është i barasvlefshëm me financimin e një filmi të vetëm në Europë. Pra, ne nuk mund të ndërtojmë kinematografi, aq më tepër kombëtare, në qoftë se nuk hedhim dritën e financimit mbi situatën aktuale me atë çka ne kemi mundur të ndërtojmë deri tani.”

Bashkëpunim me traditë

Shpresë për përmirësim është bashkëpunimi i ngushtë mes dy qendrave kinematografike të Kosovës dhe të Shqipërisë. Çdo vit ato ngrenë një stendë të përbashkët në European Film Market, që zhvillohet paralelisht me Berlinalen, ku sjellin producentë dhe regjisorë për të krijuar kontakte me bashkëprodhues nga vende të tjera. "Kjo është një mundësi shumë e mirë për ne, sepse këtu në çdo cep mund të takosh dikë, qoftë edhe në kafe,” thotë regjisorja nga Tirana Ajola Daja, e cila vetë është kërkim të koproducentëve për realizimin e filmit të saj Emily K.

Shqiptarët në Berlinalen 2018 - Aktori Nik Xhelilaj për DW

00:44

This browser does not support the video element.

Aktori Nik Xhelilaj, i cili tashmë prej dy vjetësh jeton në Berlin, e vitizon stendën rregullisht. Pak nostaligjik është ai për kohët e shkuara të Berlinales, kur ai ishte "Shooting star” ndërsa Andamion Murataj do të shkonte të merrte Ariun e Argjendtë, për filmin "Falja e Gjakut”. "Ndjehem me fat kur mbaj mend që në vitin 2011 patëm një prezantim shqiptar bombastik në Berlinale”, thotë Xhelilaj. "Por kur vi këtu dhe shoh këtë stendë kosovare dhe shqiptare këtu pas është kënaqësi më vete.”