1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini krah Francës: Merkel pjesë e marshimit të Parisit

la/(dpa,rtr,ape)10 Janar 2015

Kancelarja Merkel ka premtuar luftë të përbashkët për vlerat europiane. Duhet mbrojtur dinjiteti i njeriut pavarësisht nga besimi, ka thënë Merkel, që të dielën merr pjesë në marshimin përkujtimor të viktimave në Paris.

Klausurtagung des CDU-Bundesvorstandes 09.01.2015 Angela Merkel
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Charisius

"Aty ku sulmohen vlerat, duhet të ngremë zërin", ka bërë të ditur kancelarja gjermane Angela Merkel në kuadër të një konference të CDU-së në Hamburg. Është një sinjal i rëndësishëm për miqësinë gjermano-franceze "që në këto momente të qëndrojmë bashkë". Njerëzit në Gjermani i qëndrojnë krah Francës, kur bëhet fjalë për të mbrojtur vlera të tilla si liria e shtypit apo liria e fesë, ka thënë Merkel.

"Vlerat mbrohen"

Sipas kancelares gjermane që tani bëhet e qartë se viti 2015 do të jetë një sfidë për mbrojtjen e këtyre vlerave që janë të rëndësishme për europianët. "Kur kjo vihet në rrezik si në sulmin barbar kundër karikaturistëve, atëherë duhet të tregojmë unitet", theksoi Merkel.

Fotografi: AFP/Getty Images/M. Alexandre

Kancelarja bëri të qartë se së bashku me ministrin e Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere do të jetë pjesë e marshimit përkujtimor të dielën në Paris. Ky marshim organizohet për të kujtuar viktimat e sulmit terrorist kundër revistës satirike "Charli Hebdo" e viktimat e tjera të sulmeve të ditëve të fundit në Paris. Edhe krerë të tjerë të shteteve europiane kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre si kryeministri britanik, David Cameron, kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy dhe kryeministri italian, Matteo Renzi. Renzi shkroi në twitter: "JeSuis Charlie" Nuk do ta lejojmë frikën të ndryshojë Europën." Edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama i siguroi qeverisë në Paris solidaritetin e vendit të tij. "Ne luftojmë së bashku me ju për vlerat që ndajmë", theksoi presidenti amerikan në një miting në shtetin amerikan Tenesse.