1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini: Nuk ka pasur dakordësim me qeverinë e Kosovës

30 Qershor 2023

Pas SHBA, BE, edhe qeveria gjermane ka mohuar të ketë pasur koordinim me Gjermaninë në prag të vendimit të qeverisë së Kosovës për t’i shpallur terroriste dy organizatat serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

Muri i bardhë i jashtëm i MPJ Gjermane. Mbi të të ngjitura shkronjat: Auswärtiges Amt, pra, Zyra për Çështje të Jashtme. Mbi to shihet shqiponja njëkrerëshe e emblemës kombëtare të Gjermanisë.
Ministra e punëve të jashtme të Gjermanisë. Pamje e jashtme. Fotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance

Pas SHBA dhe BE edhe qeveria gjermane ka mohuar që Kosova të ketë pasur koordinim me Gjermaninë në prag të vendimit të qeverisë së Kosovës për t’i shpallur terroriste dy organizatat serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”. Ministria e Jashtme i tha Deutsche Welles se është në dijeni të vendimit: “Këto vendime kanë të bëjnë edhe me proceset dhe hetimet aktuale brenda Kosovës, të cilat ne nuk mund t’i komentojmë. Nuk ka pasur dakordësim me qeverinë gjermane para se të merrej vendimi”, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane.

“Qeveria gjermane dhe BE-ja presin qartë që qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Serbisë të bien dakord shpejt për masat shtensionuese në veriun e Kosovës, për shmangien e provokimeve dhe zbatimin e marrëveshjes së normalizimit për të cilën të dyja palët u pajtuan në shkurt dhe mars. Qeveria Federale është në kontakt të ngushtë me të dërguarin special të BE-së Lajcak dhe mbështet përpjekjet e BE-së”, thuhet më tej në prononcimin e MPJ.

Qeveria e Kosovës kishte shpallur një ditë më parë si “terroriste dhe kërcënim për rendin kushtetues të Kosovës”, dy organizata të serbëve të veriut, "Mbrojtjen Civile, e njohur si "Civilna Sastita”, dhe Brigadën e Veriut e njohur si "Brigada Sever”. Disa nga ambasadorët e vendeve të Quintit në Kosovë, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, thanë se për këtë vendim, qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe për këtë ata janë të habitur. 

Kancelari Scholz për gjendjen në Kosovë, "turpërimi" i Putinit dhe trupat gjermane në Lituani

12:38

This browser does not support the video element.

Ndërkohë udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së pas samitit dy ditor në Bruksel theksuan se zgjidhja e problemeve në veri të Kosovës duhet bërë në bazë të rekomandimeve të 3 qershorit të Bashkimit Evropian, që përfshijnë "pezullimin e operacioneve policore, që kryetarët e komunave t'i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe pjesëmarrjen në zgjedhje të serbëve të Kosovës.

Një ditë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte paraqitur një plan tetë-pikësh për shtensionimin e situatës në veri, duke e kushtëzuar tërheqjen e forcave policore nga objektet komunale me reduktimin e dhunës, ndërsa për zgjedhjet e parakohshme, ai ka kërkuar organizimin e një peticioni që duhet të mbështetet nga të paktën 20% për qind e votuesve, siç e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës. Në planin e tij kryeministri Kurti nuk e përmend çështjen e Asociacionit. BE-ja nuk e ka komentuar planin e Kurtit.

Në mesin e masave të para ndëshkuese që ka parashikuar BE-ja për Kosovën janë: pezullimi i punës së të gjitha grupeve të punës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Po ashtu është paralajmëruar se do të pezullohet financimi i programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për Investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.