Berlini rrëzon shpresat para samitit të BE-së për krizën
18 Tetor 2011Jo shumë larg, por në fundjavë ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, kishte theksuar pas takimit të G20-s në Paris se vendet e eurozonës do të paraqisnin një paketë të zgjeruar për zgjidhjen e krizës së borxheve deri në samitin e BE-së të dielën. Shtypi madje raportoi për një "masterplan" gjermano-francez". Por tani qeveria gjermane ka shkelur frenat.
Hapa të rëndësishëm për një rrugë të gjatë
Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert uli pritshmëritë para samitit të BE-së. Ai i cilësoi ato si "hapa të rëndësishëm pune të një rruge të gjatë". Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka bërë të qartë se nuk mund të realizohet ëndrra që me një paketë masash të zgjidhet përfundimisht kriza, dhe gjithçka të marrë fund. Megjithatë në Bruksel ekziston shpresa që "që të ecet dukshëm përpara", tha Seibert.
Vendet e eurozonës duan në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të 27 vendeve të Europës, (23.10.2011) të paraqesin një paketë zgjidhjesh për krizën. Pritet një koncept i bazuar mirë për shpëtimin e Greqisë së zhytur në borxhe. Seibert tha se po përgatitet një paketë e tillë dhe po diskutohet. Këtu bën pjesë edhe stabilizimi i sektorit bankar përmes një rekapitalizimi të bankave. Merkel do të paraqesë pikat kryesore të kursit së saj në një deklaratë para Bundestagut të premten.
Bien tregjet e aksioneve
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Seibert nuk u shpreh për përfshirjen e bankave në shpëtimin e Greqisë. Ndërkohë ministri i Financave, Schäuble nuk e kishte përjashtuar këtë mundësi. Bankat deri më tani janë dakord vetëm të heqin dorë vullnetarisht për 21% të kredive dhe janë gati të ofrojnë kredi me afate më të gjata.
Dyshimet për aftësinë në zgjidhjen e krizës kanë sjellë humbje të mëdha në tregjet botërore të aksioneve. Dax humbi 1,8% të vlerës, ndërsa Dow Jones 2,1%.
Autor: Pia Gramm/Lindita Arapi
Redaktoi: Amarildo Topi