1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini sërish në zgjedhje

Anila Shuka | Benjamin Knight
9 Shkurt 2023

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve të shtatorit 2021 berlinezët votojnë sërish.

Deutschland | Wiederholungswahlen in Berlin
Fotografi: Jens Kalaene/dpa/picture alliance

Të dielën, më 12 shkurt 2022, Berlini rivoton për parlamentin e landit (Abgeordnetenhaus) dhe parlamentet e komunave. Nuk janë zgjedhje të reja, por përsëritje e zgjedhjeve të26 shtatorit 2021. Aq i lartë kishte qenë numri "i parregullsive të rënda dhe sistematike”, saqë Gjykata Kushtetuese e Landit, e pa të udhës të urdhëronte përsëritjen e zgjedhjeve.

Fletëvotime me gabime, më pak fletëvotime se votues, në disa pika votimi mungonin kutitë e votimit, disa qendra të tjera ishin pjesërisht të mbyllura gjatë orarit të votimit ose të hapura edhe pas orës 18:00 për shkak të radhës së madhe të njerëzve në pritje.

Zgjedhjet në Berlin, më 26 shtator 2021, njerëzit duke pritur në radhë para një qendre zgjedhore në lagjen Tiergarten Fotografi: Monika Skolimowska/dpa/picture alliance

Shkaku kryesor i kaosit ishte planifikimi i gabuar i kohëzgjatjes së votimit pro person. Ndërsa organizatorët kishin caktuar nga 3 minuta për votues, në një kohë kur secili nga votuesit duhej të vinte kryqe në gjashtë fletëvotimi.

Për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhje, në shumë lande të Gjermanisë kombinohen votime në disa nivele të ndryshme. Më 26 shtator 2021 në Berlin vendosej në katër nivele: për parlamentin federal, për parlamentin e landit, për parlamentet komunale dhe për një referendum për shpronësimin e disa kompanive banesash.

Drejtuesi i ri i Entit Zgjedhor të Berlinit, Stephan Bröchler, tha për DW Politics se kësaj here janë planifikuar nga katër minuta për votues. Kjo është gjë e mirë, duke pasur parasysh se votuesit të dielën do të kenë vetëm nga tre fletëvotimi, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi në fillim që të përsëriten vetëm zgjedhjet për landin dhe ato komunale. Zgjedhjet për parlamentin federal  (gjithmonë elektorati i Berlinit) gjithashtu do të përsëriten, por më vonë.

Më shumë transparencë

Marie Jünemann, e OJQ-së Mehr Demokratie ("Më shumë Demokraci") kritikon faktin që askush nuk mbajti përgjegjësi politike për këtë skandal: Jünemann tha se "Sigurisht që drejtori i mëparshëm i entit zgjedhor dha dorëheqjen, por nuk pati pasoja për ata që kishin përgjegjësi politike në atë kohë, si për shembull në Ministrinë e Brendshme”.

Kryebashkiakja Franziska Giffey ka caktuar një fond të posaçëm prej 39 milionë eurosh (42.5 milionë dollarë) për të siguruar zgjedhje pa probleme. Një pjesë e këtyre parave po shpenzohen për rekrutimin e vullnetarëve që sigurojnë që çdo qendër votimi të ketë personelin e duhur: në vend të 7 deri në 9 vullnetarë për stacion, kësaj here do të ketë deri në 14.

Stefphan Bröchler, drejtuesi i Entit Zgjedhor të BerlinitFotografi: Jens Kalaene/dpa/picture-alliance

Ata kanë për detyrë të kontrollojnë letërnjoftimet, të bëjnë regjistrimin e votuesve, të shpërndajnë fletë votimi, të sigurojnë që votat të vendosen në zarfe të mbyllura dhe të hidhen në kuti të mbyllura, që hapen në orën 18:00 pas përfundimit të votimit dhe më pas numërohen manualisht nga një ekip vullnetarësh brenda qendrës së votimit.  Poashtu është rritur edhe paga ditore e vëzhguesve nga 60 euro në 240 euro në ditë, plus 25 euro nëse marrin pjesë në një seminar trajnimi.

Por ribërja e zgjedhjeve 17 muaj pas zgjedhjeve të para ka edhe probleme të tjera: Disa nga kandidatët janë larguar nga Berlini, dhe për rrjedhojë nuk kanë të drejtë të kandidojnë më. Kështu për shembull në qarkun e Neuköllnit, një kandidat liberal ishte sërish në lista në 1700 fletë votimi postare, edhe pse ai ishte larguar nga qyteti që nga viti 2021: "Kishim mbi 4 000 emra kandidatësh për të kontrolluar dhe pas 18 orësh punë, ndodhi ai gabim i bezdisshëm," tha Bröchler.

Drejtori i Entit zgjedhor tha se përpiqet ta bëjë transparent çdo vendim të tij dhe t'i bëjë vetë publike gabimet  që ndodhin. Këtë qasje e pëlqen Jünemann nga organizata Më shumë demokraci. Ajo thotë se kjo i ka dhënë asaj njëfarë besimi se zgjedhjet do të shkojnë mbarë.

Besim, që e kanë partitë të tjera. Të paktën, kështu del në pah nga raporti i fundit i OSBE-së. Pas një vizite tre-ditore, delegacioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, arriti në përfundimin se kishte një "nivel të lartë besimi" te autoritetet e Berlinit. OSBE tha se nuk ka nevojë që ajo të dërgojë vëzhgues të saj. Megjithatë vëzhgues do të ketë nga Këshilli i Evropës.

A do të mbetet koalicioni aktual?

Ndërsa zgjedhjet teknikisht pritet të ecin  mirë, pyetja që lind është se a do të ketë Berlini të njëjtin koalicion qeverisës siç e ka tani. Aktualisht landi qeveriset nga një koalicion i majtë, i përbërë nga Partia Socialdemokrate, Të Gjelbrit dhe E Majta. Por sondazhet para zgjedhjeve paralajmërojnë ndryshime.

26 shtator 2021 - Franziska Giffey për Berlinin, Olaf Scholz në nivel federal, Manuela Schwesig në Mecklenburg Vorpommern - Tre politikanët socialdemokratë ishin fituesit e ditës. A do të arrijë Giffey (majtas) të dalë sërish fituese? Fotografi: Britta Pedersen/dpa/picture alliance

Sipas institutit infratest dimap, ekziston aktualisht një garë kokë më kokë ndërmjet kandidates socialdemokrate, kryebashkiakes aktuale të Berlinit, Franziska Giffey, dhe kandidatit të Unionit Kristiandemokrat, Kai Wegner.

Temat në Berlin janë qiratë e larta dhe mungesa e hapësirës së banimit, zgjerimit rrjetit të qarkullimit publik dhe rrugëve për biçikleta si edhe zgjerimi i autostradës që rrethon qytetin, A100.

Një rol të në rëndësishëm luajti këto muajt e fundit edhe çështja e sigurisë së brendshme, sidomos pas rrëmujës së shkaktuar në natën e ndërrimit të viteve, ku pati sulme mbi forcat e shpëtimit, zjarrfikëse dhe forcat policore. Sidomos këtë të fundit e shfrytëzuan partitë spektrit konservator e të djathtë për të kritikuar qeverinë aktuale për politikat e dëbimit të azilkërkuesve.