Rikthim i Berluskonit?
16 Gusht 2012Ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni preferon që këtë verë ta tregojë veten në formë sportive dhe jo i rrethuar nga bukuroshe me rroba banjo. Një gazetë bulevardeske që ka simpati për të publikoi fotografi të 75 vjeçarit duke bërë vrap. Mjeku personal i Berluskonit, Alberto Zangrillo thotë se Berluskoni gëzon një shëndet si asnjëherë më parë. Prandaj ai mund ta harrojë pushimin në plazh në vilën e tij në Milano dhe të vrasë mendjen në dhomën e tij të punës në Milano se si mund të rikthehet në skenën politike. Sepse Silvio Berluskoni kërkon ta provojë edhe njëherë fatin. Edhe nëse nuk e pranon hapur. Lëkundja e zvarritja ka kohë që bën pjesë në taktikat e tij. Por megjithëse bën sikur nuk ka dëshirë, ka shumë gjasa që Berluskoni të jetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 sërish kandidati kryesor i partisë së tij Popolo dela Liberta.
Po, a ka ai akoma shanse t'i bëjë për vete zgjedhësit? "Berluskonit i vijnë ndore surprizat. Ai është një njeri që sido që ta hedhin bie në këmbë dhe sa më të dobëta të jenë shanset e tij, aq më shumë vrull fiton ai." Kështu gjykon eksperti milanez i mediave, Giorgo Grossi. Berluskoni është edhe një tip që i pëlqen të prijë kopenë dhe nuk e dha vullntarisht dorëheqjen si kryeministër. As kritikat për korrupsion, as vendimet e gjyqeve dhe as skandali i mbrëmjeve të seksit me vajza të reja nuk e rrëzuan dot nga kali. Ishin tregjet financiare që deklaruan në shtator 2011 në mënyrë masive se nuk i besojnë më Italisë, duke e detyruar Berluskonin të jepte dorëheqjen. Interesat për kreditë shtetërore u ngritën në mënyrë të rrezikshme dhe presidenti i vendit, Giorgio Napolitano tërhoqi frenën e emergjencës duke emëruar shpejt një qeveri tranzitore nën drejtimin e profesorit të ekonomisë, Mario Monti.
Spektakël i madh pa përmbajtje?
Ndërkohë, euforia për zellin reformues dhe programet e kursimit të qeverisë Monti ka rënë. Si në tregjet financiare, ashtu edhe në Itali. Gjithnjë e më shumë italianë rënkojnë nga barra e kursimeve në fushën sociale dhe në shëndetësi, ankohen për rritjen e moshës së daljes në pension dhe për taksat e reja. Dhe Berluskoni përpiqet të fitojë pikë sërish me thirrje populiste, si ajo që kërkon ta nxjerrë jashtë Gjermaninë nga eurozona, nëse ajo nuk është dakord të mbajë qëndrim solidar. Pra Gjermania duhet të paguajë. Po tjetër, çfarë mund të ofrojë Berluskoni? Spektakël shumëngjyrësh, si gjithmonë. Ka disa javë që ai po shpërndan fjalë se do të rikthehet në parketin politik. Kolegët i qenë lutur me të madhe që të kandidojë sërish në zgjedhjet e ardhshme dhe beniamini i tij, Angelino Alfano, të cilin kishin filluar ta shihnin si kandidatin e ri shkroi si nxënës i mirë në twitter se edhe ai i kishte kërkuar Berluskonit të merrte drejtimin. Në fakt, partia e tij, pa të, themeluesin dhe sponsorin financiar nuk është gjë tjetër veçse një grumbull amatorësh të politikës. Lajkaxhinjtë e mëdhenj dhe gratë me trupe model kanë bërë karriera të shkëlqyera, kurse të kuptuarit e politikës nuk ka qenë kualifikim i rëndësishëm për postet në parti dhe politikë.
Grupi i fansave jeton
Italianët janë të pavendosur. "Çfarë mund të na ofrojë akoma Berluskoni?" pyesin Angelo Biretta dhe Corrado della porta, të dy në mes të të 40-ave. Janë pikërisht më të rinjtë, njerëzit e interesuar për politikë që kërkojnë një fillim të ri dhe që nuk duan të shohin më "fytyrat e vjetra".
Që kriza është edhe faji i Berluskonit, këtë e besojnë më pak italianë se mund të mendohet. "Kriza është globale dhe jo e krijuar në vend", thotë kamerierja Floriana Bassi ndërsa vëllai i saj, Alberto plotëson:"Ndoshta, si sipërmarrës Berluskoni është ai që e kupton më mirë, si mund të dalim nga situata."