1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Eulex-i nuk mund t'i kalojë të gjitha kompetencat!"

Bahri Cani/Johan von Mirbach20 Shtator 2013

Eulex-i mund t'i transferojë disa kompetenca tek institucionet e Kosovës, por jo të gjitha, thotë në intervistë me Deutsche Welle shefi i Eulex-it, Bernd Borchard.

Bernd Borchardt,shefi i misionit Eulex në Kosovë.
Fotografi: DW/B. Cani

Deutsche Welle: Mund të na thoni se cilat janë sukseset kryesore të këtij misioni në Kosovë?

Bernd Borchardt: Mendoj se kemi arritur me të vërtetë suksese të mëdha. Deri tani kemi përfunduar 430 raste dhe procese. Këtu nuk kemi të bëjmë me delikte të vogla, por me 430 vendime në rastet më të komplikuara: korrupsion, kriminalitet i organizuar dhe krime lufte. Rastet e krimeve të luftës duhet shpjeguar edhe më hollësisht. Shumica e këtyre proceseve bazohen mbi kallëzimet dhe të dhënat e misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK-ut. Në vitin 2008 nga UNMIK-u kemi marrë dokumentacionin për 1200 raste. 500 prej tyre janë vënë ad akta, sepse nuk ka dëshmitarë apo dëshmi për ngritjen e aktakuzës. Ndërsa rreth 600 të tjera po ndiqen prej organeve tona – gjysma janë në nivelin e hetimeve policore, e gjysma tjetër në nivelin e prokurorëve. Eulex-i ka një mandat ekskluziv për ndjekjen dhe procesimin e rasteve të krimeve të luftës. Ne shumë raste ua kemi dhënë gjykatësve dhe prokurorëve vendorë, por në të shumtën e rasteve kemi të bëjmë me ekipe të përziera prej vendorëve dhe ndërkombëtarëve. Deri tani kemi përfunduar 29 procese për krimet e luftës, pra më pak se 10 % e të gjitha rasteve. Kemi edhe 94 raste të hetimeve aktive në nivelin e prokurorëve. Ndër to edhe rastet e masakrave shumë të rënda në Dubravë dhe Krushë, ku janë bërë masakra të tmerrshme. Por më duhet të them se ligjvënia kosovare i kufizon mundësitë tona, sepse ligjet këtu nuk parashikojnë mundësinë e dënimeve në mungesë, pra in-absentia - denimin e persoanve që nuk janë në vend. Ndërkohë që shumë të dyshuar nuk janë në Kosovë. Në përgjithësi, krimet e luftës janë një terren shumë i vështirë, sepse këtu bëhet fjalë për vepra që janë bërë para 14 -15 vitesh. Pra nuk ka mbetur gati asnjë dëshmi në vendin e krimeve, nuk ka gjurmë gishtërinjësh apo ADN të të dyshuarve. Duhet të punojmë me dëshmitarë, të cilët janë nën presione të vazhdueshme dhe kanë frikë. Shumë gjëra edhe janë harruar, sepse kanë kaluar 15 vjet. Sa i përket korrupsionit: këtu bëhet fjalë për njerëz të korruptuar ose ata që i kanë korruptuar të tjerët. Deri tani kemi përfunduar 42 raste, ndërsa 39 janë në nivelin e prokurorisë. Këtu janë të angazhuar edhe shumë prokurorë kosovarë. Nëse nuk bëhet fjalë për ndonjë korrupsion tepër të madh, çështja ka kaluar tek organet vendore. Ne merremi me rastet më të rënda. Deri tani kemi ngritur aktakuzë kundër dy ish-ministrave, një proces duhet të hapet shumë shpejt. Në të kaluarën kemi nxjerrë para drejtësisë shumë persona të korruptuar në institucionet e rëndësishme, duke përfshirë këtu edhe një prokuror special të Kosovës, të ngakuar me drejtimin e njësisë për luftë kundër korrupsionit.

Po cilat janë problemet e brendshme të Eulexit, pasi në kuadër të këtij misioni ka shumë lëvizje të kuadrove? Ka pasur edhe kritika nga institucione të ndryshme për mungesë efikasiteti?

Lëvizija e kuadrove është me të vërtetë një problem, sepse kur një gjykatës largohet nga Kosova, procesi duhet të fillojë nga e para. Në shumicën e rasteve e kemi evituar këtë, por ka edhe raste kur largohen edhe prokurorët dhe pasardhësi i tij duhet të njihet me rastin. Kjo kërkon shumë kohë dhe është e vështirë, sepse duhet që rasti të studjohet dhe të flitet me shumë njerëz. Ne po përpiqemi që rastet të kalohen pa probleme të mëdha, pra që prokurori i vjetër të jetë këtu derisa vjen prokurori i ri dhe të njihet me rastin. Por pjesëtarët e misionit vijnë nga 32 vende të ndryshme, dhe ndonjë herë organizimi është i vështirë, që do të thotë se jo gjithmonë kemi sukses.

Cilat janë shkaqet pse Eulexi edhe më tej duhet të mbetet në Kosovë?

Ne jemi të bindur se në verën e ardhshme, në disa sektorë mund t'i kalojmë kompetencat tona tek autoritetet e Kosovës. Kjo nuk është fare e diskutueshme. Ne kemi filluar të tërhiqemi ngadalë nga disa funksione të ekzekutivit, ku do të mbetemi vetëm në funksione këshilluese. Por në disa sektorë jemi të mendimit se duhet të vazhdojmë punën tonë, dhe duhet të kemi madje edhe më shumë kompetenca. Për shembull, në veri të Kosovës. Për kompetencat tona atje aktualisht po bisedohet në Bruksel, por është shumë e mundur që atje në të ardhmen të kemi edhe më shumë obligime në lëminë e gjykatave dhe prokurorive. Në lëmitë e tjera edhe tani jemi shumë të angazhuar, në veçanti në zbatimin e rezultateve të dialogut. Në kufirin me Serbinë kemi të angazhuar 200 bashkëpuntorë ndërkombëtarë, që do të thotë se rreth 10 % të personelit të përgjithshëm punon në mbështetjen e autoriteteve të doganave dhe policisë atje. Një sektor tjetër ku kemi punuar me sukses dhe jemi tërhequr në funksionin këshillues është inteligjenca financiare, ku bëhet fjalë për hetimin e pastrimit të parave të pista. Kolegët lokalë ndërkohë janë kaq të aftë sa tani kanë nevojë vetëm për këshilla në disa raste.

Ndër sukseset tona më të mëdha me siguri që është zgjidhja e problemeve me pasuritë e patundshme, sepse nga 44.000 konflikte kemi zgjidhur gati 40.000. Kanë mbetur pra edhe 10 % të rasteve që duhet të zgjidhen deri në verën e vitit të ardhshëm.

Ne jemi duke ndihmuar edhe autoritetet për regjistrat e popullatës. Ne i marrim regjistrat nga Serbia, i kopjojmë dhe i çertifikojmë dhe ua japim autoriteteve kosovare. Ky është një proces shumë i mundimshëm, por mendoj se deri në mars do ta përfundojmë dhe i tërë dokumentacioni do të jetë këtu. Më pas do të kemi vetëm funksionin këshillues. Kjo është e rëndësishme, sepse në këtë mënyrë evitohet mundësia e falsifikimit të identitetit të personave, të cilët, për shembull, më parë janë ndeshur me ligjin, ndërsa pas vitit 1999 kanë mundur të regjistrohen me ndonjë emër tjetër. Filozofia elementare sa i përket transferimit të obligimeve është që ne këtu jemi mysafirë dhe mysafiri nuk duhet të mbetet më gjatë se sa është i dëshirueshëm. Por ne nuk duam që t'i transferojmë obligimet për të cilat mendojmë se ende nuk janë pjekur kushtet. Tani jemi duke shqyrtuar me institucionet e Kosovës rrugën se si mund të realizohen këto gjëra. Jam shumë optimist se do të gjejmë një zgjidhje të pranueshme.

Zoti Borchardt, ne kemi biseduar edhe ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, i cili thotë se në vitin 2014 duhet të përfundojë mandati i tanishëm i Eulexit dhe se ju duhet të merrni vetëm rolin e këshilluesit dhe monitoruesit. Mendoni se Qeveria e Kosovës është e gatshme t'i marrë përgjegjësitë e plota në sektorin e shtetit juridik?

Diskutimet tona me qeverinë e Kosovës sillen rreth çështjes së sovranitetit, rreth një sovraniteti të cilin nuk e njohin të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por që e njeh Kosova dhe vendi ynë. Por ende mungon Know How (njohuritë e duhura) në shumë fusha. Ekzistojnë fusha ku mund të punohet në funksionin këshillues si për shembull përpunimi kompjuterik i të dhënave e deri tek mënyra e luftimit të korrupsionit të madh dhe krimeve të luftës. Me autoritetet e Kosovës jemi duke diskutuar modele të ndryshme të bahkëpunimit për "rrumbullaksimin e katërkëndëshit".

Opinioni kosovar në veçanti është shqetësuar pas hapjes së procesin kundër grupit të Drenicës. A do të përfundojë ky proces, teorikisht, deri në qershor të vitit 2014, kur pritet të përfundojë misioni i tanishëm i Eulex-it?

Mendoj që procesi në shkallën e parë mund të përfundojë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Por shkalla e dytë thuajse nuk është e mundur. Po spekuloj, por mendoj se përfundimi i shkallës së dytë nuk është i mundur në këtë kohë. Do të thotë: shpresoj se deri në qershor të vitit të ardhshëm do të kemi vendimin e parë, por as këtë nuk mund ta premtoj.

Shefi i Eulex-it Bernd Borchard, në intervistë me redaktorin e Deutsche Welle-s, Bahri Cani.Fotografi: DW/B. Cani

Një pjesë të shoqërisë kosovare këta të akuzuar i konsideron heronj. Mendoni se institucionet e Kosovës janë të gatshme të organizojnë procese, për shembull kundër zotit Selimi apo pjesëtarëve të tjerë të grupit të Drenicës, pas largimit tuaj?

Çështja e dorëzimit të rasteve konkrete nuk është trajtuar. A janë të gatshme apo jo? Shikoni, në Gjermani këtë vit është hapur një proces për krime lufte nga koha e Luftës së Dytë Botërore, që do të thotë se edhe tek ne ka pasur kohëra kur kriminelët e luftës janë ndjekur me më pak ose më shumë intensitet. Mendoj se Kosova duhet të përballet dhe se do të përballet me këtë problem. Është e mundur që gjërat të ecin më ngadalë pa mbështetjen ndërkombëtare, por shumë miq ndërkombëtarë të Kosovës presin që kjo çështje të hapet. Këtu ka shumë modele që mund të realizohen. Shikoni vendet fqinje, të cilat punojnë me modele dhe shpejtësi të ndryshme, këtu edhe Kosova duhet të gjejë rrugën e vet. Ne do ta mbështesim edhe më tej dhe me siguri që do të jemi prej atyre që do të kërkojnë, që edhe këto procese të bëhet sa më shpejt.

Do të thotë kjo që Eulex-i edhe në të ardhmen do të ketë një rol të rëndësishëm tek rastet e krimeve të luftës në Kosovë?

Bashkimi Evropian ka në Kosovë shumë mundësi për të ushtruar influencën e tij. Ekziston dialogu për liberalizimin e vizave, plotësimi i kushteve dhe shumë sektorë të shtetit juridik. Ne sapo kemi filluar negociatat për Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, ku sektori i shetit juridik ka një rëndësi qendrore. BE është duke zhvilluar një dialog për strukturimin shtetëror të Kosovës. Të gjitha këto janë instrumente, të cilat pavarësisht nga Eulex-i janë në dispozicion dhe mund të përdoren për të ndikuar. Kosova synon anëtarësimin në BE, ndërsa BE-ja angazhohet për funksionimin e shtetit juridik.

Cili është roli i Eulex-it në veri të Kosovës? Atje me siguri që kërkohet më shumë angazhim. Ne kemi biseduar edhe me palën serbe dhe ata thonë se "Eulex-in nuk e kanë tepër për zemër, por janë të lumtuar që ai ekziston në veri". Cilat janë detyrat tuaja kryesore atje, në veçanti për ruajtjen e minoriteteve?

Detyrat tona në veri rrjedhin nga dialogu që po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së. Gati gjysma e gjërave që po ndodhin rreth kontrollit të kufirit është në veri. Ka dhe rezultate shumë të qarta sa i pëket ndërtimit të strukturave policore. Këtu nuk kanë përfunduar të gjitha gjërat, por ne kemi filluar bashkëpunimin me policinë në veri të Kosovës. Atje tani kemi edhe një shef të policisë, që është partneri ynë për bisedime. Ne duam që së bashku të ndërtojmë një polici efikase të pranueshme edhe nga popullata e atjeshme. Ky është qëllimi. Edhe pse policia ende është shumë larg kompletimit atje, ne në veri kemi 23 këshillues. Në sektorin e gjykatave ende nuk kemi ndonjë sukses të madh, por negociatat po vazhdojnë. Pas përfundimit të tyre ne me siguri që do të ndihmojmë. Një përvojë e suksesshme është edhe burgu në veri, i cili funksionon mirë, sikur edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Unë e kam vizituar vetë këtë burg dhe kam përshtypjen se funksionon sipas standardeve evropiane.

A mendoni se ekziston rreziku që veriu i Kosovës të mos integrohet në institucionet e Kosovës, në veçanti kur dihet se të rinjtë kanë gjithnjë e më shumë barriera sa i përket gjuhës dhe komunikimit? A mund të çojë kjo madje deri tek largimi mes këtyre dy komuniteteve?

Integrimi i sistemeve është një proces juridik, sepse në veri kemi një shumicë serbe me sisteme të veçanta. Por ju keni të drejtë sepse shumë pak serbë mësojnë shqip dhe anasjelltas. Por njerëzit këtu janë shumë fleksibël. Pas ardhjes së misioneve ndërkombëtare në Kosovë, njerëzit këtu me një shpejtësi impresionuese e kanë mësuar anglishten. Kjo më kujtohet mirë, sepse në Kosovë kam qenë edhe në vitet 1998/99. Pra kur të hapen mundësitë e tregtisë dhe komunikimit me serbët, shumë shpejt do të gjenden mjaft njerëz të cilët do ta mësojnë edhe gjuhën.

Intervistuan: Bahri Cani / Johan von Mirbach