Beyond Color- Pavioni shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia
31 Tetor 2010
Me punime të përgatitura nën temën "Beyond Color", ("Ngjyrat e arkitekturës"), ekipi shqiptar prezanton idetë aktuale mbi arkitekturën në Shqipëri. Bienalja qëndron e hapur nga 29 gushti deri 21 nëntor. Titulli "Takim në arkitekturë" i është dhënë nga njëri prej emrave më të rëndësishëm të arkitekturës botërore, nga japonezja Kazuyo Sejima.
Tirana në qendër
Pavioni shqiptar "Ngjyrat e arkitekturës" ka në qendër Tiranën, fenomenin urban më të fuqishëm në Shqipëri. Ai merr pikënisjen nga ngjyrimi i fasadave të ndërtesave në Tiranë, një aksion i madh politik dhe artistik, në debatet mbi të cilin u përfshinë gati të gjithë shqiptarët duke dhënë në një mënyrë apo në një tjetër mendimin e tyre. Por tani disa vjet më vonë, çfarë ka mbetur nga ai aksion? Çfarë ka përtej ngjyrave, fasadave, mureve, betonit dhe masës? Çfarë ka përtej bulevardit, rrugëve plot makina?
Grupi i kuratorëve me Gjergj Bakallbashin, Enida Mitron, Egest Gjinalin kërkojnë të zgjerojnë edhe të thellojnë me autorë të tjerë diskutimet për arkitekturën dhe design-in e Tiranës. Ata kanë mbledhur rreth 20 arkitektë, urbanistë, profesorë të arkitekturës, historianë, fotografë, edhe 20 studentë. Të gjithë njerëz që takohen në punën e tyre në arkitekturë ose me arkitekturën. Të pyetur për Tiranën, ata kanë dhënë propozime specifike, filma, fotografi, intervista, diskutime dhe punime shkencore. Shumë nga punimet janë "vështrime": vështrim drejt ngjyrave, vështrim drejt bulevardit, vështrim drejt fasadave, vështrim drejt trashëgimisë, drejt rrugëve, drejt hapësirave.
Këto vështrime prezantohen si imazhe në pavionin shqiptar në Binale. Pavioni është konceptuar si një box i zi. Salla e pavionit, ka në qendër tetë projektorë që lëshojnë imazhe në të gjitha muret e sallës. Imazhet ose shkrimet e lidhura me to, janë pjesë e diskutimeve që janë duke u zhvilluar midis pjesëmarrësve të pavionit.
A ka diskutim për arkitekturën në Shqipëri?
Gjergj Bakallbashi: "Kjo mungon. Njerëz që mendojnë dhe kanë mbase mendime të shkëlqyera, ide, argumenta, fantazi, që janë në Shqipëri apo diku tjetër nuk kanë një forum ku t`i këmbejnë ato. Diskutimi dhe kthimi në idera të aplikueshme, duke u kuptuar nga njerëzit dhe duke u marrë parasysh në vendimet e përditshme të ndërtuesve, investitorëve, vendim-marrësve, arkitektëve urbanistë, ka munguar deri tani, në mënyrë të theksuar."
Puna për të ngritur pavionin shqiptar në Bienale ka nisur pikërisht me mbledhjen e këtyre ideve. Që në fillim të vitit 2010 organizatorët janë përpjekur të mbledhin kontribues me disa ekspozita arktekture të hapura në Tiranë në kohë të ndryshme.
Secili nga kuratorët ka preferencat e veta. Kokuratori Egest Gjinali, është përqëndruar tek stacioni i trenit të Tiranës. Pesë grupe kanë ofruar projekte mbi stacionin e trenit të Tiranës, duke treguar vizionet e tyre për zhvillimin e tij. "Pyetja që iu bë arkitektëve ishte çfarë ndodh në 50 vjet ekzistence të stacionit të trenit? Ndodh që një hapësirë që është pothuajse në qendër të Tiranës, rri e pashfrytëzuar, e djerrë ndërkohë që mund të ketë shumë mënyrë për ta interguar atë në sistemin urban."
Kokuratorja tjetër Enida Mitro, i prezanton idetë e saj për Tiranën me një film. "Me mjetet vizuale të filmit, vendosa të gjej një mënyrë për të treguar kush është identiteti dhe kush është ky qytet. Filmi quhet "Carte Blanche", një term juridik që përkatëson një autorizim për të vepruar dhe marrë vendime pa kufizime. Mungesa e kufizimeve është në bazë të kaosit vizual dhe funksional që ka përcaktuar fytyrën e Tiranës."
Çfarë do të ndodhë me pavionin, kur bienale të mbyllet në muajin nëntor? Idetë e pavionit do të mund të prezantohen në Shqipëri, dhe të shtjellohen për audiencën në kontekstin e një diskutimi. Kuratorët mendojnë se nëse arrijnë këtë, atëherë e kanë kryer me sukses punën pionier, prezantimin për herë të parë të Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia.
Autor: Aida Cama
Redaktoi: Dr. Pandeli Pani