1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biden: Çdo ditë tjetër është me rrezik

25 Gusht 2021

"Sa më shpejt që ta përmbyllim aq më mirë." Me këtë fjali, presidenti amerikan, Joe Biden bën të qartë, se do të marrë fund edhe shpëtimi i forcave lokale apo të tjerëve nga Afganistani. Data 31 gusht po afron.

USA I Joe Biden über die Situation in Afghanistan
Fotografi: Susan Walsh/AP/picture alliance

Rrjetet televizive amerikane kishin bërë të ditur që pasditen e së martës se presidenti do të mbante një fjalim. E kur presidenti Joe Biden u shfaq mes flamurëve për fjalimin, vëzhguesve iu bë e qartë, se ku po përqëndrohen prioritetet në Shtëpinë e Bardhë. Joe Biden  e hapi fjalën e tij me përpjekjet për t'i dhënë hov koniunkturës amerikane dhe buxhetin.

Rrezik për trupat

Vetëm pas këtyre anoncimeve, presidenti amerikan filloi të fliste për Kabulin, për të cilin ai ishte konsultuar më parë me shtetet e G7-s, Kanadanë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Japoninë dhe Gjermaninë në një video-konferencë. Dhe siç pritej Biden nuk ndrysoi qëndrim: SHBA duan mundësisht të tërheqin trupat deri më 31 gusht nga Afganistani. Duke iu referuar misioneve të shpëtimit, ai tha se "sa më shpejt t'i përmbyllim aq më mirë."

Çdo ditë tjetër në Kabul e rrit rrezikun për trupat amerikane, theksoi Biden. Ai iu referua shprehimisht rrezikut të një sulmi nga dega lokale e milicisë terroriste, "Shteti Islamik", që është e armiqësuar edhe me talibanët. Ushtria amerikane ka ende 5800 ushtarë për evakuimet nga Kabuli.

Fotografi: Sgt. Samuel Ruiz/U.S. Marine Corps/AP Photo/picture alliance

Por Joe Biden theksoi, se e ka udhëzuar Pentagonin dhe Departamentin Amerikan të Shtetit të përgatisin plane alternative për të përshtatur kohën e tërheqjes, nëse kjo do të jetë e nevojshme. Lidhur me konsultimet e G7-s, presidenti amerikan, tha se "jemi të një mendimi, se nuk mund t'i besojmë fjalës së talibanëve. Ne do t'i vlerësojmë ata në bazë të veprave, dhe do të koordinohemi ngushtë për të gjitha hapat." Vendimtare është, nëse talibanët do t'i respektojnë detyrimet ndërkombëtare dhe do të pengojnë kthimin e Afganistanit në "një bazë të terrorizmit". Sipas vëzhguesve po kaq vendimtare do të jetë edhe qëndrimi i talibanëve në ditët e ardhshme.

Asnjë pyetje

Me ndihmën e amerikanëve janë evakuuar nga Afganistani rreth 70.700 vetë, bëri të ditur presidenti amerikan. E kur përfundoi sqarimet në lidhje me Afganistanin, Joe Biden u largua nga salla, pa iu përgjigjur asnjë pyetjeje.

DASH: Nuk kemi mundësi të ofrojmë informacione të tjera

Lidhur me ardhjen e refugjatëve afganë në Shqipëri, Departamenti Amerikan i Shtetit iu përgjigj Deutsche Welles, se "për shkak të natyrës së komplikuar të këtyre zhvendosjeve dhe për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e personave që vijnë, nuk kemi mundësi të ofrojmë informacione të tjera për kohën e mbërritjes, transportin, vendndodhjen lokale dhe destinacionin e mëtejshëm."

 

 

la/ml/fw (dpa, ap, rtr, ABC, CBSN)