Biden: Armëpushimi në luftën e Gazës tepër afër
17 Gusht 2024Bisedimet për armëpushim në luftën në Rripin e Gazës duket se kanë hyrë në fazën përfundimtare. Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken, qëndron sot (17.08) personalisht nëIzrael për të vazhduar "përpjekjet intensive diplomatike" atje, tha zëdhënësi i ministrisë Vedant Patel. Qëllimi është që të arrihet marrëveshja përfundimtare, e cila është e nevojshme për të gjitha palët në rajon në mënyrë që patjetër të shmanget përshkallëzimi i gjendes në Lindjen e Mesme.
Netanjahu falënderon Egjiptin, Katarin dhe SHBA-në
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shpreson tek presioni i ndërmjetësve për t'i çuar në përfundim bisedimet për armëpushim në Gazë me Hamasin. Në një deklaratë ai falënderoi Egjiptin, Katarin dhe SHBA-në për përpjekjet e tyre për të bindur islamistët që të heqin dorë nga refuzimi i një marrëveshjejes për pengjet.
Izraeli shpreson se presioni i tyre do ta bindë Hamasin të pranojë propozimet e bëra në fundit të majit në mënyrë që detajet e marrëveshjes të mund të fillojnë të zbatohen.
Përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes ndërkohë kanë nisur
Sipas informacioneve të agjencisë së lajmeve AP negociatorët e Lindjes së Mesme kanë nisur madje përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit për Rripin e Gazës edhe para arritjes së marrëveshjejes përfundimtare. Propozimi aktual për marrëveshjen mbyll thuajse çdo çështje të mbetur hapur mes Izraelit dhe Hamasit, tha një burim i mirëinformuar për statusin e negociatave.
Sipas burimit në Kajro është ngritur tashmë një grup i posaçëm pune që merret me çështjet logjistike lidhur me zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit. Sipas burimit, bëhet fjalë për lirimin e pengjeve të militantëve islamikë Hamas, për ndihma humanitare për banorët e Rripit të Gazës dhe për mbikqyrjen e respektimit të marrëveshjes.