1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

Biden: Kishte ardhur koha ta përfundonim këtë luftë

1 Shtator 2021

Presidenti amerikan, Joe Biden e justifikoi tërheqjen e trupave nga Afganistani. Në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë ai nuk i kurseu kritikat për paraardhësin e tij, Trump, dhe ish-qeverinë afgane.

USA I Präsident Joe Biden zur Lage in Afghanistan
Fotografi: Evan Vucci/AP/picture alliance

Pas tërheqjes së plotë të të gjithë ushtarëve amerikanë nga Afganistani, Presidenti amerikan Joe Biden ka mbrojtur përsëri vendimin e tij të diskutueshëm. "Ishte koha për t'i dhënë fund luftës", tha Biden në fjalimin e tij para kombit në Shtëpinë e Bardhë. Tërheqja e trupave deri më 31 gusht nuk u bë pa plan. "Ajo u caktua për të shpëtuar jetë amerikanësh," tha Biden. Sipas Biden-it, fajtor për situatën e krijuar kishte qenë paraardhësi i tij, Donald Trump.Biden kishte bërë në maj një marrëveshje me talibanët dhe kishte premtuar tërheqjen e trupave amerikane. Ai tha se nuk kishte alternativë tjetër: ose të tërhiqte trupat ose të lejonte përshkallëzimin e konfliktit.

90 përqind e amerikanëve në siguri

Presidenti Biden, më 29 gusht 2021, duke pritur të zbresin në tokën amerikane trupat e 13 ushtarëve të vrarë në aeroportin e Kabulit më 26 gusht. Fotografi: Carolyn Kaster/AP/picture alliance

Biden e quan evakuimin një "sukses të jashtëzakonshëm". Presidenti përsëri i hodhi poshtë kritikat se tërheqja mund të ishte bërë në mënyrë më të rregullt. Biden tha se "sfidat" me të cilat u përballën ushtarët gjatë tërheqjes ishin të pashmangshme. Sipas tij, një evakuim i mëparshëm do të kishte shkaktuar kaos në aeroport. Biden theksoi se rezultati ishte se 90 përqind e amerikanëve, që donin të largoheshin nga Afganistani, ishin në siguri. "U bë e mundur të dilnin nga Afganistani dyfish më shumë njerëz nga sa pritej fillimisht. Vetëm SHBA janë të afta ta bëjnë këtë", tha ai. "Ushtria dhe diplomatët rrezikuan jetën për të shpëtuar të tjerët. 20 ushtarë u plagosën dhe 13 u vranë. Shtetet e Bashkuara u janë mirënjohës atyre dhe familjeve të tyre." 

Lufta kundër terrorizmit vazhdon

Pas tërheqjes nga Afganistani, SHBA do të vazhdojë të ndërmarrë veprime kundër degës lokale të milicisë terroriste, "Shteti Islamik" (IS). Ai paralajmëroi grupin që mori përgjegjësinë për sulmin e fundit në aeroportin e Kabulit se SHBA do të vazhdojë t'i kërkojë.

"Ne nuk kemi mbaruar ende me ju, djema," tha Biden. Lufta kundër terrorizmit vazhdon edhe pas tërheqjes nga Afganistani, megjithëse pa trupa tokësore. Shtetet e Bashkuara do t'i gjuajnë dhe gjejnë terroristët "deri në fund të botës", tha Biden.

Biden fajësoi gjithashtu ish-qeverinë afgane dhe forcat e sigurisë së vendit që ua lanë në dorë kontrollin talibanëve. Në kundërshtim me pritmëritë, forcat afgane të sigurisë nuk ishin një kundërshtar i fortë në luftën kundër talibanëve. Qeveria afgane u rrëzua dhe Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi. Ata do t'i kishin "dorëzuar vendin armiqve të tyre, talibanëve". Kjo rrit rrezikun për forcat e armatosura amerikane dhe aleatët e tyre.

Aeroporti i Kabulit, më 31 gusht u largua edhe ushtari i fundit amerikan. Fotografi: U.S. Central Command/dpa/picture alliance

Ndërkohë, sipas një telefonate, një kopje të së cilës e ka siguruar agjencia e lajmeve Reuters, Biden ka lavdëruar më parë në mënyrë eksplicite ushtrinë afgane para se talibanët të vinin në pushtet. "Ju keni ushtrinë më të mirë," kishte thënë Biden në një telefonatë me Presidentin Ghani në korrik. Me largimin e ushtarëve të fundit amerikanë nga aeroporti i Kabulit, misioni ndërkombëtar në Afganistan përfundoi pas gati 20 vjetësh. Biden kishte njoftuar në korrik se të gjitha trupat amerikane do të tërhiqeshin deri më 31 gusht. Pas njoftimit për tërheqjen e trupave amerikanë, talibanët kishin përparuar me shpejtësi në drejtim të Kabulit.