1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bideni vazhdon ndërtimin e murit dhe mbrohet

9 Tetor 2023

Presidenti amerikan Biden vazhdon të ndërtojë murin që nisi paraardhësi i tij Trump e që ai vetë nuk e donte. Ai nuk mund të bënte gjë tjetër, sepse paratë për të ishin miratuar nga Kongresi, thotë.

Tijuana, kufiri mes Meksikes dhe SHBA
Tijuana, kufiri mes Meksikes dhe SHBAFotografi: Guillermo Arias/AFP/Getty Images

Duket si një kthesë politike 180 gradë, dhe për një çështje shumë emocionale. Departamenti i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se do të ngrejë barriera të reja në kufirin me Meksikën dhe do të pezullojë një sërë rregulloresh mjedisore.

Kështu që tani Joe Biden gjithashtu vazhdon të ndërtojë murin që mbrojti fuqishëm paraardhësi i tij Donald Trump  - dhe që ai vetë e kishte refuzuar vazhdimisht. Para se të merrte detyrën, Biden kishte premtuar se administrata e tij "nuk do të ndërtonte një mur tjetër".

Përballë kësaj deklarate të mëparshme, Biden tani mbrohet duke thënë se nuk kishte zgjidhje tjetër, se duhej të zbatonte një masë të miratuar në 2019 ende nën mandatin e Trumpit: "Paratë u ndanë në mënyrë eksplicite nga Kongresi për murin kufitar. Unë u përpoqa të rishpërndaj paratë. Kongresi nuk e bëri. Tani më duhet të ndjek ligjin. Nuk mund ta ndaloj atë."

I pyetur nëse ai besonte se muri kufitar ishte efektiv sot, Biden u përgjigj: "Jo".

Fotografi: Aimee Melo/dpa/picture alliance

Kritika edhe nga partia e tij

Pavarësisht kësaj mbrojtjeje, kritikat vijnë nga të gjitha frontet, përfshirë edhe partinë e tij. Muri kufitar është një zgjidhje e shekullit të 14-të për një problem të shekullit të 21-të, thotë, për shembull, kongresmeni demokrat nga Teksasi, Henry Cuellar. "Nën Obamën dhe Trumpin, numri i emigracionit ka rënë. Dhe kur ne i kemi dëbuar gjithashtu", tha Cuéllar për televizionin CNN. Ai shtoi se administrata Biden po kryente gjithashtu disa dëbime, "por ka frikë të tregojë publikisht se ne po i kthejmë njerëzit mbrapsht".

Trumpi u përgjigj në një mesazh në rrjetet sociale duke thënë se Biden po i jepte Trumpit të drejtë duke ndërtuar barriera të reja kufitare. Biden-i duhet t'i kërkojë falje atij dhe popullit amerikan.

Kongresmenja republikane nga Florida, Maria Salazar tha për deklaratën e Biden-it në CNN: "Është shumë hipokrite. Kjo është arsyeja pse publiku amerikan është kaq i indinjuar nga politikanët e zgjedhur të të dyja partive, sepse ndonjëherë ata thonë një gjë dhe bëjnë një tjetër. Ky është shembulli i përsosur."

Republikanët bëjnë thirrje për mbrojtje më të mirë të kufijve

Biden-i kishte qenë tashmë objekt i kritikave të ashpra përpara njoftimit aktual për çështjen e murit, gjithashtu nga drejtime të ndryshme: kryebashkiakët demokratë të qyteteve të mëdha si Nju Jorku dhe Çikago, ku ardhja e emigrantëve është veçanërisht e lartë, i kanë kërkuar presidentit për ca kohë që të bëjë më shumë për të trajtuar shifrat e larta të emigracionit.

Disa republikanë në Kongres vazhdojnë të lidhin politikën e imigracionit me ndihmën për Ukrainën. Ata kërkojnë që në vend që të shpenzojë miliarda për ndihmën për Ukrainën, Biden duhet të mbrojë më mirë kufirin e tij me Meksikën. Një gjë duket e sigurt: kjo temë do të luajë një rol të rëndësishëm në muajt e ardhshëm zgjedhorë.