1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140710 UNAIDS Bericht

14 Korrik 2010

Afërsisht 30 vjet pas shpërthimit të epidemisë së AIDS-it, njerëzit kudo në botë vazhdojnë ta klasifikojnë AIDS-in në listën e problemeve më të rëndësishme, me të cilat përballet bota.

Fotografi: picture-alliance/ dpa

Programi i Kombeve të Bashkuara kundër AIDS-it tha se të rinjtë në Afrikë po kryejnë një revolucion përsa i përket parandalimit të HIV. Ata i kanë ulur kuotat e epidemisë duke kryer marrëdhënie seksuale të mbrojtur dhe duke pasur më pak partnerë seksualë. Ky lajm u bë i ditur në prag të një konference për HIV-AIDS-in që do të mbahet në Vjenë javën e ardhshme.

Afërsisht 12 mijë të rritur u zgjodhën për sondazhin. Rezultatet tregojnë se afërsisht 30 vjet pas shpërthimit të epidemisë së AIDS-it, njerëzit kudo në botë vazhdojnë ta klasifikojnë AIDS-in në listën e problemeve më të rëndësishme, me të cilat përballet bota.

Optimizëm se përhapja e HIV mund të frenohet rreth vitit 2015

Veç kësaj, drejtori ekzekutiv i UNAIDS-it, Michel Sidibe, thotë se rreth gjysma e të pyeturve janë optimistë se përhapja e HIV mund të frenohet rreth vitit 2015: "Megjithatë, gjysma e njerëzve të anketuar thotë se mungesa e fondeve është pengesë. Dhe më shumë se 70% e njerëzve thotë që fondet duhet të shkojnë në parandalimin e HIV. Kjo nënvizon rëndësinë e ndalimit të infeksioneve të reja."

Përhapja e HIV në botë sipas numrit të popullsisë

Sondazhi tregon që një në tri vetë e konsideron ndërgjegjësimin publik për AIDS-in si arritjen më të madhe aktualisht. Kjo pasohet nga zbatimi i programeve të HIV dhe futja në treg e medikamenteve të reja. Më shumë se gjysma e të vëzhguarve e konsiderojnë mungesën e shërbimeve parandaluese si pengesën më të rëndësishme. Stigmatizimi dhe diskriminimi janë barrierat e tjera që përmenden.

Ndërgjegjësimi publik për AIDS-in arritja aktualisht më e madhe

Në përfundimet e tjera të rëndësishme, që përmenden në raportin e UNAIDS-it është që infektimi me HIV tek të rinjtë po bie në shumë vende në botë, veçanërisht në pjesë të Afrikës subsahariane. Sidibe thotë që raporti tregon se ka pasur një reduktim 25% të infeksioneve me HIV tek të rinjtë në 15 vendet më të prekura. Ato përfshijnë Botsvanën, Etiopinë, Kenian e Zimbabvenë.

"Këto rezultate të shkëlqyera në këtë raport kanë ndodhur, sepse të rinjtë po kryejnë marrëdhënie seksuale të mbrojtur, të rinjtë vendosin të kenë marrëdhënie seksuale më vonë, që të kenë më pak partnerë seksualë dhe po përdorin perservativë."

Në një kohë që është shënuar progres në uljen e shkallës së infeksioneve në pjesë të Afrikës, UNAIDS thotë që Evropa Lindore dhe Azia Qendrore mbeten sfidat kryesore. Zëvendësdrejtori ekzekutiv i UNAIDS-it, Paul de Lay, thotë se 57% e infeksioneve të reja në këto rajone ndodhin tek të rinjtë që injektojnë droga.

Autor: Lisa Schlein/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani