031210 Facharbeiter Vorrangprüfung
4 Dhjetor 2010
Koncepti i ministres së Punës është: Punonjësit e kualifikuar në të ardhmen duhet ta kenë më të lehtë për të ardhur në Gjermani. Von der Leyen do t'i reduktojë pengesat burokratike. Pengesë është i ashtuquajturi kontroll prioriteti, që do të thotë, vetëm nëse nuk ka punonjës në Gjermani, apo në BE, që të mund të punojnë në këtë vend pune, mund të vijë një specialist i kërkuar, për shembull nga India.
Mirëpritet nga ekonomia
Ekonomia e ka pritur prej kohësh këtë iniciativë prej Ministrisë së Punës. Achim Dercks, nga dhoma gjermane e Industrisë dhe Tregtisë thotë: "Eshtë e qartë mungesa e punonjësve të specializuar në profesionet teknike. Inxhinierë në thuajse të gjitha degët, specialistë IT dhe teknikë pa diplomë janë të nevojshëm." Edhe në mjekësi ka mungesa - edhe këtu ka pak punonjës, koalicioni do ta ndryshojë shpejt rregullin e shqyrtimit të prioriteteve.
As CSU nuk kundërshton
Edhe partia konservatore CSU është tani e gatshme për bisedime. Politikani i CSU Hans-Peter Friedrich thotë: "Nëqoftese mbahet brenda kufijve të dispozitave ligjore, që ekzistojnë, nëqoftëse janë shfrytëzuar dhe funksionojnë, ne nuk kemi asgjë kundër."
Ministrja e Punës do të paraqesë tani një listë me profesione veçanërisht të kërkuara. Nëqoftëse çdo gjë shkon pa probleme, dispozitat e reja mund të zbatohen në pranverën e ardhshme.
Autor: Axel John
Redaktoi: Angjelina Verbica