1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bihet dakord parimisht për koalicionin në Maqedoni

Fatos Musliu10 Korrik 2006

Partia VMRO-DPMNE ka kërkuar nga partnerët e mundshëm të koalicionit qeveritar mbështetje të pakushtëzuar

Parlamenti maqedonas
Parlamenti maqedonasFotografi: aptn


Partia VMRO-DPMNE, e cila fitoi shumicën e mandateve në zgjedhjet parlamentare, ka arritur parimisht dakordimin për formimin e qeverisë së re me Partinë Demokratike Shqiptare, Partinë e Re socialdemokrate, dhe Partinë për Ripërtërirje Demokratike.
Në kuadër të këtyre partive do të bëhet përpjekje t'i bashkangjitet edhe Partia e Ardhmërisë Evropiane.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Bicikliski. Gjithnjë sipas tij përfaqësuesit e këtyre partive në parim kanë pranuar programin ekonomik të VMRO-DPMNE-së për qeverisjen gjatë katër viteve të ardhshme. Të gjitha këto parti së bashku do të siguronin 64 mandate të deputetëve, me të cilat do të formohej edhe shumica parlamentare.

VMRO-DPMNE nga partnerët e mundshëm të koalicionit qeveritar ka kërkuar mbështetje të pakushtëzuar. Në partinë fitimtare ende ka dilema për përfshirjen e partisë shqiptare, BDI, e cila ka fituar më shumë mandate të deputetëve, 18 në numër. Zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti për Deutsche Welle-n thotë se mbrëmë është realizuar takimi i parë i përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Ajo thekson se ky takim nuk është i papritur. Këto dy parti kanë fituar besimin më të madh të qytetarëve në zgjedhjet e 5 korrikut. Meqë bëhet fjalë për takimin e parë, ai është zhvilluar në një atmosferë mjaft konstruktive dhe ka patur më shumë karakter njohës.

"Ne presim që takimet të vazhdojnë edhe më tej, diçka konkrete gjithsesi se nuk është arritur ndonjë marrëveshje, duke marë parasysh se është takim i parë i këtij lloji. Por megjithatë ne jemi të gatshëm për të vazhduar bisedimet dhe për t'i shqyrtuar opcionet politike të të dyja partive"- ka deklaruar Ermira Mehmeti.

Përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski ka konfirmuar se bisedimet me BDI-në kanë qenë mjaft konstruktive në veçanti pikpamjet për programin ekonomik. Gjithnjë sipas Milloshovskit , participimi i BDI-së në qeverinë e re mbetet opcion i hapur. Pas konsultimeve të liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski me përfaqësues të partive tjera do të dihet definitivisht se, cilat parti do të përbëjnë koalicionin qeveritar .

Përfaqësuesi i BE-së në Maqedoni, ambasadori Ervan Fuere në një prononcim ka vlerësuar se është punë e brendshme, formimi i koalicionit dhe se në këtë drejtim ndërkombëtarët nuk do të ndërhyjnë. Por, ai ka nënvizuar se do të ishte në të mirë të Maqedonisë që qeveria e ardhshme të pasqyrojë multietnicitetin e shoqërisë dhe respektimin e shumicës që ka fituar në zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut.