1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëm tek prodhimi i rrymës ndjehet kthesa energjetike

Gero Reuter / Angelina Verbica28 Shkurt 2013

Shfrytëzimi i energjive të ripërtëritshme është rritur në Gjermani në vitin 2012. Por zgjerimi i ndërtesave me ngrohje ekologjike ka ecur shumë pak. Tek makinat, kamionët dhe aeroplanët kjo tendencë thuajse nuk ndjehet.

Quelle: JUWI Fotograf: Jan Hosan JUWI Wind PV und Solaranlagen Ort: Wörrstadt Deutschland
Fotografi: JUWI/Fotograf: Jan Hosan

Impiantët fotovoltaikë, hidrikë, të erës dhe të biogazit mbuluan në vitin 2012 rreth 23 për qind të nevojave energjetike të Gjermanisë, tre për qind më shumë se një vit më parë. Kështu prodhuesit e energjisë vazhduan trendin e ndryshimit të energjisë. Në vitin 2005 pjesa e energjisë së rinovueshme ishte ende në masën 10 për qind, ndërsa në vitin 2008 u bë 15 për qind. Kjo rritje u bë e mundur, sepse zgjerimi i burimeve të energjisë të ripërtëritshme u përshpejtua. U shtuan edhe centralet e energjisë diellore dhe të erës me një kapacitet total prej 10 fuqi gigavatësh (GW). Në fund të vitit 2012 kapaciteti i centraleve të prodhimit të energjisë së rinovueshme arriti 73 GW.

Fotografi: DW

Energjia e erës mbetet kryesuesja

Investitorët e vegjël dhe të mëdhenj instaluan 1008 mullinj të rinj ere me një kapacitet të përgjithshëm prej 2,4 GW, një e pesta më shumë se në vitin e kaluar. Në këtë mënyrë energjia e erës mbetet kryesuesja në mesin e burimeve të energjisë së rinovueshme. Me një kapacitet të përgjithshëm prej 31.3 GW ajo siguroi në vitin 2012, vit që nuk pati shumë erë, tetë për qind të prodhimit të energjisë elektrike. Megjithatë energjia e erës nuk është e shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme në Gjermani: Deri tani në energjinë e erës kanë investuar kryesisht rajonet e pasura me erë në veri dhe në lindje të Gjermanisë. Landet, që kryesojnë këtu, janë Schleswig-Holstein-i dhe Brandenburg-u. Era siguron atje rreth 50 për qind të energjisë elektrike të prodhuar.

Por kullat e turbinave moderne të erës bëhen gjithnjë e më të larta dhe fletët rrotulluese gjithnjë e më të mëdha. Prandaj ndërtimi i tyre ia vlen tani edhe në klimën e butë në brendësi të jugut të Gjermanisë. Mullinjtë e erës arrijnë sot një lartësi prej 130 metrash. Mullinjve të erës në detin gjerman të Veriut u duhet një lartësi prej vetëm 80 metrash.

1,3 milionë panele diellore në duar të qytetarëve

Gjermania e jugut kryeson në ndertimin e fotovoltaikëve. Kështu panelet diellore me fotovoltaikë në çatitë e shtëpive japin më shumë se dymbëdhjetë përqind të energjisë në këtë rajon. Në të gjithë Gjermaninë kryesisht pronarët e shtëpive dhe bujqit prodhojnë rrymë me 1,3 milionë panelet diellore, që disponojnë. Me një kapacitet të përgjithshëm prej 32,4 GW ata japin pesë përqind të përzierjes së energjisë elektrike. Vetëm në vitin e fundit kapaciteti u rrit në rreth 7,6 GW.

Nga përparimi i teknologjisë, prodhimi në masë dhe konkurrenca globale çmimi i qelizave solare ka përjeteuar në vitet e fundit një rënie të dukshme. Nga kjo përfitojnë klientët. Nëqoftëse rryma nga një panel i madh diellor në vitin 2008 kushtonte akoma më shumë se 30 cent kilovat-orë (kWh), në zonat e pasura me diell të Gjermanisë kushton ndërkohë nën 10 cent për kilovat-orë kWh. Nëse pronarët e shtëpive me panele të vogla prodhojnë energji elektrike diellore me 15 cent për kilovat-orë, KWh, ata paguajnë sot 40 përqind më pak, se sa po ta merrnin rrymën nga një furnizues i energjisë. Prandaj energjia diellore është e leverdisshme për ata, që e konsumojnë atë vetë.

Rrymë dhe ngrohje nga biomasa

Një shtyllë e rëndësishme e kthesës energjitike është biomasa. Ndryshe nga mullinjtë e erës dhe panelet diellore, impiantet e biogazit mund të prodhojnë energji pikërisht, kur ajo nevojitet. Të 7600 impiantet në Gjermani kanë një kapacitet prej gjashtë GW dhe prodhojnë shtatë për qind të energjisë elektrike të Gjermanisë nga energjia e drithrave të fermentuara, e mbeturinave dhe e plehut organik.

Edhe druri i mbetur nga pylli, ose nga fabrikat e sharrave mund të përdoret si lëndë e parë për impiantet e biogazit. Në Gjermani ka 250 centralë të vegjël, që e përçojnë rrymën dhe e përdorin për ngrohje.

Rritet eksporti i energjisë edhe pas shkëputjes nga nga energjia atomike

Pas katastrofës bërthamore të Fukushimës në mars 2011 qeveria gjermane ka nxjerrë përfundimisht nga rrjeti tetë prej 17 centraleve bërthamore në Gjermani. Prodhimi bërthamor ra me 40 për qind. Kundërshtarët e ndërprerjes së prodhimit bërthamor të energjisë druheshin atëherë se do të nevojiteshin për një kohë të gjatë importe të energjisë nga jashtë. Por ndodhi ndryshe: Në bilancin e përgjithshëm Gjermania tani eksporton më shumë energji elektrike, se sa para fazës së energjisë bërthamore.

Ngrohje me dru, energji gjeotermale dhe diellore

Gjermanët konsumojnë rreth një të tretën e energjisë për ngrohje, që është shumë më pak se më parë. Që nga viti 2005 ata kanë arritur shumë përmes sistemeve më efikase të ngrohjes dhe izolimit të ngrohjes: Krahasuar me vitin 2005 gjermanët përdorin sot një të katërtën më pak naftë dhe gaz.

Rreth njëmbëdhjetë për qind e energjisë së ngrohjes vjen nga burimet e ripërtërishme. Kohët e fundit ka një rritje me rreth një për qind çdo vit. Tre të katërtat e energjive të ripërtëritshme janë nga druri. Pjesa tjetër vjen nga biogazi, pompat gjeotermale të nxehtësisë dhe sistemet termike diellore.

Një ndër dy ndërtesa të reja ka ndërkohë një sistem ngrohjeje, që përdor energji të rinovueshme. Një ndër tri shtëpi ka një pompë ngrohjeje, një ndër pesë një sistem diellor termik. Rreth gjashtë për qind e ndërtesave të reja ngrohen me pellet druri.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Përshpejtimi i kthesës energjetike i domosdoshëm

Deri në vitin 2050 qeveria gjermane do të mbulojë 60 për qind të nevojave totale të energjisë në Gjermani nga burimet e ripërtëritshme të energjisë. Në vitin 2000 shifra ishte vetëm katër, ndërsa tani është 13 për qind. Për të arritur qëllimin e saj deri në vitin 2050, Gjermania do të përshpejtojë transformimin e energjisë. Potencialin më të madh ekspertët e shohin tek zgjerimi i mëtejshëm i energjive të rinovueshme dhe rritja e efikasitetit energjetik të ndërtesave dhe objekteve.

Më ambiciozet janë planet e qeverisë për energjinë elektrike. Prodhuesit gjermanë dëshirojnë që deri në vitin 2050 të prodhojnë 80 për qind të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. Për të arritur këtë qëllim duhet kapërcyer një pengesë e madhe: zgjerimi i rrjeteve dhe i depozitave, që çojnë rrymën atje, ku nevojitet.

Thuajse aspak prezent në transport

Më i vonuari në revolucionin energjitik mbetet akoma trafiku. Shumica e makinave dhe kamionëve punojnë kryesisht me benzinë dhe naftë. Avionët kanë nevojë për kerosinë. Në fakt edhe benzina dhe nafta përmbajnë tani sasi të caktuara të bioethanolit dhe bionaftës, por vëllimi i përgjithshëm i biokarburanteve nuk është rritur vitet e fundit. Ai është ende nën gjashtë për qind.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW