1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bilanc - një vit pas liberalizimit të vizave në Maqedoni

27 Dhjetor 2010

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh e shfrytëzoi me kujdes mundësinë e lëvizjes së lirë, por një pjesë e keqpërdorën atë. Pas kritikave nga Brukseli, autoritetet maqedonase kanë intensifikuar fushatën parandaluese.

Pamje simbolike e vizës Shengen. Qytetarët maqedonas nuk kanë nevojë për të udhëtuar me vizë në zonen ShengenFotografi: picture-alliance/chromorange

Një vit pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të regjimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian, qytetarët e Maqedonisë kanë përvoja të ndryshme. Një pjesë e madhe e qytetarëve kanë shijuar beneficionet e liberalizimit të regjimit të vizave. Me posedimin e vetëm një passaporte biometrike ata kanë udhëtuar pa pengesa në vendet e Shengenit.

Rreth 250 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar mundësinë e udhëtimit pasi ka hyrë në fuqi liberalizimi i vizave. Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane në Maqedoni vlerëson se një numër i pakët i qytetarëve në Maqedoni kanë shfrytëzuar udhëtimet drejt BE-së për shkak se ata përballen me probleme sociale, ekonomike si dhe për shkak të burokracisë rreth dhënies së pasaportave biometrike.

Qytetarë maqedonas për herë të parë pa viza në BEFotografi: Glamcevski

Maksut Sinani, një qytetar nga Shkupi tregon një përvojë negative: “Jam nisur për në Itali, kur kam arritur në kufi më kanë kthyer prapë, më kanë kërkuar 1000 euro për të hyrë atje, edhe pse janë hekur vizat ne prap përballemi me probleme.“

Keqpërdorim i lirisë së lëvizjes

Mundësia e udhëtimit pa viza në vendet e BE-së tregoi edhe një anë tjetër të realitetit në Maqedoni. Sipas të dhënave të Eurostat-it, gjatë nëntë muajve të fundit të këtij viti, 4315 qytetarë nga Maqedonia kanë kërkuar status azili në vendet e BE-së. Belgjika, Suedia, Gjermania dhe Italia ishin destinacionet më të shpeshta nga fluksi i azilkërkuesve nga Maqedonia. Qytetarët romë nga Shuto Orizarja e Shkupit tregojnë pse e kanë ndërmarrë këtë hap: “Na premtonin që për 100 euro të na dërgojnë ne Belgjikë .“ Një qytetar tjetër thotë: “Varfëria shpesh herë të bën të verbër, na premtonin një jetë më të sigurtë në vendet e Evropës dhe ne i besonim këtyre premtimeve sepse jetonim në varfëri të skajshme.”

Pamje simbolikeFotografi: DW / Anila Shuka

Politikanë nga Belgjika, Gjermania dhe Suedia vizituan gjatë vitit 2010 komunën e Likovës dhe Shuto Orizares prej nga vjen edhe numri më i madh i azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e BE-së. Ata kanë premtuar mbështetjen e saj me një sërë projektesh, të cilat janë vlerësuar si të rëndësishme për banorët e këtyre komunave e që kanë të bëjnë me zvogëlimin e papunësise dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Fushatë për qartësimin e detyrimeve dhe përfitimeve nga liria e lëvizjes

Zyrtare të BE-së i kanë bërë apel qeverisë së Maqedonisë që edhe më tej të vazhdojë me një fushatë për prarandalimin e dukurisë së azil kërkimit në vendet e BE-së.

Kryetarja e këshillit kombëtar për Eurointegrime, Radmilla Sheqerinska vlerëson se qeveria duhet më shumë të fokusohet në informimin e mirëfilltë të liberalizimit të regjimit të vizave edhe gjatë vitit në vijim. “Deri më tani qeveria nuk ka sqaruar zëshëm se çka nënkupton marrëveshja për liberalizim të regjimit të vizave. Qytetarëve duhet t'iu bëhet me dije se nuk kanë asnjë gjasë minimale për të fituar azil politik me liberalizimin e regjimit të vizave” thotë Sheqerinska.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi