1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bill Gates dhe Bill Clinton në konferencën e SIDA-s në Toronto

17 Gusht 2006

"SIDA është një konflikt i vazhdueshëm për njerëzit dhe për njerëzimin", kështu shprehet ministrja gjermane e zhvillimit Viecorek-Zeul e SPD-së, e cila merr pjesë në konferencën më të madhe të SIDA-s në Toronto

Konferenca AIDS 2006- Bill Gates dhe Bill Clinton
Konferenca AIDS 2006- Bill Gates dhe Bill ClintonFotografi: AP

Shkencëtarë dhe ekspertë shkëmbejnë eksperiencat e tyre në konferencën pesë-ditore. Dy figura të njohura fondacionesh, Bill Gates dhe Bill Clinton shfrytëzojnë rastin të përforcojnë angazhimin etyre në luftën kundër SIDE-s.

Salla e qendrës së konferencave në Toronto ishte mbushur plot e përplot. Nuk kishte asnjë karrige të lirë. Në fund të fundit jo pa arësye. Në podium qëndronin jo vetëm dy figura të njohura në të gjithë botën, por njëkohësisht edhe dy njerëz të angazhuar në luftën kundër SIDA-s. Bill Gates dhe Bill Clintoni.

Këtë forum e shfrytëzojnë aktivistët për të sensibilizuar publikun me kërkesat e tyre: "Ne na duhen më shumë infermierë" bërtasin ata dhe gjejnë mbështetjen e ish-presidentit amerikan. Ai e quan luftën kundër SIDA-s si një nga problemet më urgjente në botë: "Ne nuk mund ta bashkojmë botën me gjithë diferencat që ka, nëse ne nuk fitojmë luftën kundër SIDA-s.", tha Bill Clinton.

Edhe Bill Gates i kushton një pjesë të mirë të punës së fondacionit të tij luftës kundër SIDA-s. Kjo sepse sëmundja e SIDA-s është një nga më të tmerrshmet, thotë themeluesi i Microsoftit: "Që nga momenti i infektimit të një të sëmuri deri në momentin e vdekjes, ai vuan, shpenzon kursimet e tij, rreziku që të infektojë partnerin e tij apo të saj është shpeshherë shumë i madh dhe e gjitha kjo ka sigurisht edhe ndikim tek fëmijët."

Gates angazhohet para së gjithash që të avancojë kërkimi shkencor në gjetjen e medikamenteve kundër SIDA-s si përshembull të ashtuquajturat Mikrobizidet. Mikrobizid është një lloj prezervativi, një lloj prezervativi kimik, që gratë mund ta përdorin si një unazë silikoni dhe që përbën kështu një barrierë kimike kundër SIDA-s.

Ky preparat po provohet ndërkohë dhe Bill Gates ka shpresa tek ai: "Në qoftë se ne do të kemi nje mjet ndihmës që mund ta përdorin gratë, gjë të cilën ne nuk e kemi momentalisht, atëhere do të ndryshonte përhapja e sëmundjes. Atëhere ne do të kishim vite ku në tërësi do të infektoheshin më pak njerëz."

Derisa një preparat i tillë të dalë në treg do të duhen akoma disa vite. Atëhere e ardhmja në kontinentin e Afrikës që është edhe kontinenti më i prekur nga SIDA, do të ishte në duart e grave. Deri tani ato nuk mund të mbrohen nga kontakti seksual i pambrojtur. Kjo sepse nga njëra anë atyre iu duhet të sigurojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre dhe nga tjetër, sepse partnerët e tyre i ndryshojnë shpeshherë partneret e tyre dhe si rrjedhojë kjo është një mundësi më shumë për t´u infektuar pas modpërdorimit të prezervativit.

Edhe pse situata është shpeshherë mjaft dëshpëruese, Bill Clintoni ka shpresë në luftën kundër dobësimit të imunitetit: "Optimizmi im bazohet tek njerëzit. Nuk ka as mungesë idesh, as inteligjence, as ëndrrash dhe as përpjekjesh në ndonjë vend të botës, në asnjë vend. Ka vetëm mungësë investimesh, shansesh dhe sistemesh të cilat funksionojnë në varësi të njëra tjetrës."

Konferenza e SIDA-s në Toronto me 24 mijë pjesëmarrës, që është edhe konferenca më e madhe e mbajtur ndonje herë, tregon se nuk mungon angazhimi në luftën kundër kësaj sëmundje të tmershme.