1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bimët e egra pastrojnë ajrin

Iduna Wünschmann/Pandeli Pani27 Korrik 2013

Bimësia e egër është mjaft e shëndetshme dhe mund të ndikojë pozitivisht për cilësinë e ajrit.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Një grup studiuesish dhe shkencëtarësh në Berlin po studiojnë mundësinë se si bimët e egra, që rriten buzë rrugës, mund të pastrojnë ajrin e qyteteteve të mëdha. Dihet se kudo, ku ka automjete, prej frenave dhe gomave si dhe gazrave të pafiltruar çlirohen grimca, që shkaktojnë dëmtime të mushkërive. Berlini ka një rrjet rrugor prej rreth 5.300 km, prandaj edhe ndotja e ajrit me grimca, që shkaktojnë dëmtime të mushkërive nuk është e vogël. Grimcat e vogla janë të padukshme dhe meqë qëndrojnë në ajër një kohë të gjatë njerëzit mund t'i thithin.

Në vitin 2009 studiuesit e Universitetit Teknik të Berlinit ekzaminuan 12 parcela eksperimentale në zona të ndryshme të kryeqytetit, disa me shumë trafik dhe disa të tjera me më pak.

Analiza, për të kuptuar se cilat bimë thithin më tepër pluhurFotografi: picture alliance/dpa

Në Bulevardin Karl-Marx p.sh. kalojnë 60 mijë makina në ditë makinë. Po sa nga pluhuri, që shkaktohet thithin bari dhe lulet e egra, që rriten përgjatë rrugës dhe parcelave të gjelbra? Dr. Ina Säumel, ekologe pranë Universitetit Teknik të Berlinit, sqaron: "Studimet tona kanë treguar, se sa më shumë trafik të ketë në rrugë, aq më shumë pluhur mblidhet në sipërfaqet e gjetheve."

Cilat lloje gjethesh thithin më tepër pluhur?

Pas matjes së sasisë së ndotjes grupi studimor i Universitetit Teknik të Berlinit analizoi dhe 16 lloje lulesh të egra, të cilat kanë struktura të ndryshme gjethesh dhe sipërfaqeje të tyre, për të parë se cilat lloje gjethesh thithin më tepër pluhur dhe grimca, që shkaktojnë dëmtime të mushkërive.

Pas katër vjet analizash me mikroskop rezultoi se bima, që thith më tepër pluhur dhe grimca, që çlirohen nga frenat dhe gomat është bari i zogjve, i ndjekur nga pelini, luledelet, rradhiqet, lule dylli dhe tërfili i bardhë.

Sidomos bimët, që kanë gjethe me qimëzim të fortë, thithin shumë pluhur. Po ashtu studiuesit arritën në përfundimin, se sa më të ndryshme të jenë lartësitë e rritjes së bimeve dhe llojet e tyre, aq më i mirë është funksioni filtrues i tyre.

Jo parcela vetëm me bar të njëtrajtshëmFotografi: picture-alliance/dpa

"Hulumtimi ynë tregon se ne duhet të heqim dorë prej parcelave dhe lulishteve vetëm me bar të njëtrajtshëm, ose prej shtretërve me të njëjtën lule dhe të mundësojmë, që në anë të rrugës të rriten dhe të zhvillohen bimë të egra, sepse bimësia e egër është më e shëndetshme dhe mund të ndikojë pozitivisht për cilësinë e ajrit", thotë Dr. Ina Säumel.