Biri i Khameneit mund të bëhet pasardhës i të atit
4 Mars 2026
Pas vdekjes së liderit suprem, Irani duket seështë në prag të emërimit të një pasardhësi. Një emër qarkullon aktualisht mbi të gjithë të tjerët: Mukhtaba Khamenei, djali i Ajatollah Ali Khameneit.
Për këtë kishte pasur spekulime edhe më parë, të cilat tani po përforcohen: Mukhtaba Khamenei, biri i Ajatollah Ali Khameneit të vrarë, mund të pasojë të atin. Një komitet prej 88 klerikësh është ngarkuar me përcaktimin e pasardhësit; anëtarët e tij janë, pothuajse pa përjashtim, konservatorë të rreptë, që ishin miratuar më parë nga i ndjeri Khamenei.
Sipas burimeve zyrtare iraniane, 88 klerikët janë takuar tashmë virtualisht. Selia e komitetit u shënjestrua nga sulmet ajrore izraelite dhe amerikane.
Njoftimi ka të ngjarë të bëhet pas funeralit të Khameneit
Disa raporte mediatike, duke cituar burime brenda diskutimeve, pretendojnë se një shumicë e qartë mbështet Mukhtaba Khamenein. Megjithatë, kjo nuk ka gjasa të bëhet zyrtare deri pas funeralit të të atit, i cili fillon sot dhe do të zgjasë tre ditë.
Regjimi iranian ka theksuar në disa deklarata për publikun qëllimin e tij për të zgjidhur shpejt trashëgiminë dhe se, pavarësisht luftës, gjithçka po ecën sipas Kushtetutës. Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes Izraelite, Israel Katz, kërcënoi të sulmojë edhe pasardhësin e Ajatollahut, nëse ai ndjek të njëjtën politikë.
(S.Felser/ARD-Stamboll)