1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Birrë apo verë?

John Laurenson / Amarildo Topi4 Dhjetor 2012

Qeveria franceze, e vendosur për të zvogëluar defiçitin buxhetor, ka deklaruar se do të rrisë taksën ndaj birrës. Francezët thonë se një gjë e tillë është e pandershme dhe do të nxjerrë birrën nga tregu.

Fotografi: Tiziana Fabi/AFP/GettyImages

Ata thonë se taksat e reja do të prekin akoma më shumë të varfrit dhe kulturën e pirjes së një gote birre në bare. Disa ditë më parë isha në gjendje të shihja personalisht një gjë të tillë. E gjeta veten në një periferi të një qyteti francez, ndërkohë që prisja fëmijët e mi, të cilët ishin duke marrë disa leksione të kërcimit hip-hop. Më duhet të prisja 50 minuta. Kisha blerë një picë dhe në parkimin e errët, fillova ta ha, por edhe nëse e përtypja ngadalë, 50 minuta janë shumë. Kështu që ndeza makinën dhe vendosa të gjeja një bar tipik francez, bistro.

Pamje simbolikeFotografi: John Laurenson

Në vitin 1960 kishte 200.000 të tillë, ndërsa sot rreth 35 mijë. Në një intervistë të bërë së fundmi me kreun e Shoqatës se Bareve, Klubeve të Natës, Restoranteve dhe Hoteleve në Francë, ai më tha se sot mund të shohësh më shumë kulla kishash sesa bare. Çfarë do të thotë kjo?

Sidoqfotë, pavarësisht statistikave jo optimiste, djali im më tha që aty afër ndodhej një bar. Atje shkojnë shumë pak vetë, vazhdoi ai, sepse ajo duket më shumë si një shtëpi normale se sa një bistro. Është pikërisht ajo që dua, mendova.

Le kir

Duke pyetur disa banorë të zonës më në fund e gjeta. Një vajzë e re bionde që qëndronte pas banakut, më përshëndeti sapo hyra. Së bashku me dy klientë të tjerë ishte edhe një qen bulldog, që pushoi të lehurat sapo baristja dhe dy klientët e qetësuan. Me shumë kënaqësi porosita Kir. Një pije që nuk e kisha shijuar që në vitet 90'. Kir-i ka qenë një pije mjaft e preferuar e prodhuar nga vera e bardhë dhe likeri i rrushit të zi pa fara.

Pija mban emrin e Felix Kir, ish-kryetari i Bashkisë së Dijonit, i cili krijoi pijen pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë pushtimit ushtarët gjermanë pinë të gjithë verën e kuqe. Pas luftës kryebashkiaku nuk kishte me çfarë të qeraste miqtë që vinin në qytet dhe kështu lindi Kir. Rajoni kishte sasi të mëdha Bourgogne Aligote dhe një tjetër produkt lokal të quajtur Creme de Cassis, që së bashku krijuan pijen. Kur të pini ndonjëherë Kir, mbani mend se ishte faji i gjermanëve.

Pamje simbolikeFotografi: John Laurenson

Birra, gjithnjë e më shumë pija e të varfërve

Dy klientët e tjerë ishin duke pirë birrë. “Seize-cent-soixante-quatre” quhej birra. Një emër i ngatërruar që bëhet akoma më i vështirë për t'u thënë nëse ke pirë disa gota më parë. Një e treta e birrës që konsumohet në Francë, prodhohet po aty. Birra më e konsumuar është Kronenburg, që prodhohet në rajonin e Alsasës. Kjo është edhe më e lira. Me taksat e reja të qeverisë një gotë birrë do të jetë 60 cent më e shtrenjtë. Kjo është një taksë që prek të varfrit më thonë dy klientët dhe pronari i kafenesë. Të varfërit më parë pinin verë, por tashmë nuk e bëjnë një gjë të tillë.

Në vendet e Evropës veriore, vera ka qenë gjithmonë pija e klasës së mesme dhe po shëndërrohet në të tillë edhe për Francën. Industria franceze e verës është ende më e madhja në botë ku punojnë më shumë se 250 mijë njerëz. Vera franceze është më e kërkuara në tregun botëror dhe shquhet për cilësinë e saj të lartë.